Shkëndija synon play-offin

Ëndrra vazhdon për Shkëndijën e Tetovës. Skuadra shqiptare që luan në kampionatin maqedonas, pasi hyri në histori duke kaluar dy ture në Europa League, tashmë synon të sigurojë kualifikimin për herë të parë në fazën play-off të këtij kompeticioni. Të enjten në stadiumin “Philipi 2” në Shkup, kuqezinjtë do të kenë përballë për sfidën e parë të ruandit të tretë kualifikues çekët e Mlada Boleslav. Një kundërshtar më i fortë se polakët e Cracovias dhe azerët e Neftci Bakut, por gjithsesi i kalueshëm.
Nëse Shkëndija bëri mrekullinë, duke eliminuar dy skuadra me emër në dy raundet paraardhëse kjo do të thotë se kuqezinjtë janë një skuadër me potencial dhe i kanë të gjitha mundësitë për të eliminuar edhe Mladën. Formacioni i trajnerit boshnjak, Bruno Akrapoviç është një ndërthurje mes futbollistëve me eksperiencë si Cuculi, Hasani e Ibraimi apo edhe të rinjve premtues si Besir Demiri e Marjan Radeski. Shkëndija ka treguar ka një filozofi të qartë loje dhe kjo skuadër nuk e pret asnjëherë kundërshtarin, por gjithmonë mundohet të imponojë ritmin e saj edhe në ndeshjet që ka zhvilluar gjatë këtij sezoni në Europë.
Mlada Boleslav rivali i ardhshëm i Shkëndijës në Europa League drejtohet nga trajneri Karel Jarolim, që tashmë ka dy poste, pasi prej pak kohësh është emëruar edhe në krye të kombëtares çeke. Edhe pse është një ekip që merr pjesë rregullisht në kompeticionet europiane, Mlada nuk është një skuadër me një emër të madh, ndërkohë që në sezonin e kaluar u pozicionua në vendin e 4-t të kampionatit çek. Shumë pak futbollistë të huaj ka në skuadër trajneri Jarolim teksa boshti i ekipit është nga lojtarët çekë. Në edicionin e kaluar të Europa League, Mlada u eliminua në turin e dytë paraeliminator nga norvegjezët e Stromsgodset, që në ruandin e parë kishin bërë të njëjtën gjë me Partizanin.
Arritja më e madhe e Mlada Boleslav në Europë është pjesëmarrja në fazën e grupeve të Kupës UEFA në sezonet 2006-2007 dhe 2007-2008, por niveli i kësaj skuadre ka qenë disi më i dobët në sezonet e fundit. Nëse luan si ndaj Cracovias dhe Neftci Bakut edhe ndaj Mladës këtë enjte, Shkëndija i ka të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat të mirë dhe për të provuar kualifikimin në play-offin e Europa League, një javë më pas në Republikën çeke.

Artikulli paraprakEros Grezda, pasuesi i Pjacas te Dinamo Zagreb?
Artikulli tjetërSukaj dygolësh dhe fitore me Perak