Shkodër, bizneset kundër tatimorëve

Në Shkodër, komuniteti i biznesit është mbledhur në një tryezë ku kanë shprehur ankesat e tyre, kryesisht ndaj tatimorëve. Biznesi shkodran apelon që inspektimet e tatimorëve, të mos jenë vetëm në funksion të gjobvënies, por edhe si sensibilizim. Ata shtojnë se informaliteti në Shkodër është në nivele të larta dhe kjo dëmton biznesin e ligjshëm. Bizneset në Shkoder deklarohen kundër inspektimeve të tatimoreve, pasi sipas tyre nuk po i lejojnë të ushtrojnë qetësisht aktivitetin. Të mbledhur në një tryezë në kuadër të forumit kombëtar të biznesit, përfaqësues të bizneseve thanë se tatimorët ushtrojnë kontrolle selektive, dhe ende mbetet problem konkurrenca e pandershme dhe informaliteti. Esmeralda Ballesha, përfaqësuese e biznesit: “Inspektimi tatimor ishte një problem që ende është prezent dhe ishte një problem që ne nuk e kemi ndeshur vetëm në Shkodër dhe për këtë më vjen keq sepse është punuar që inspektimi tatimor të jetë partner. Edhe pse ka pasur hapa përpara, informaliteti është në terma të lartë”. Sipas biznesit, klima e tensionuar mes tyre dhe institucioneve shtetërore reflektohet drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit. Esmeralda Ballesha, përfaqësuese e biznesit: “Nëse nuk ka një dialog real dhe efektiv mes organizatave të biznesit dhe qeverisë shikoj një ngërç. Sapo folëm me organizatën e zejeve këtu në Shkodër e cila ishte shumë aktive, por problem kryesor që ajo kishte ishte fakti se sapo ka kaluar një ligj dhe ata nuk kanë ftuar në procesin e dialogut. Duhet të mësohemi që nuk është mirë që të ndryshojmë ligjet.”   Takimet mes komunitetit të biznesit do të shtrihen në të gjithë vendin dhe më pas një raport i detajuar do t’i dorëzohet qeverisë dhe ministrive të linjës, për të bërë korrigjimet e kërkuara.

Artikulli paraprakKonkurrenca hap hetimin e thelluar për furnizimin me karburant të avionëve
Artikulli tjetërBB: Shqipëria, me përqindjen më të ulët të forcës së punës me sigurime në Rajon