Qytetarë të shumtë janë mbledhur në pedonalen e qytetit të Shkodrës për të marrë pjesë në një marshim kundër krimit dhe drogës. Me parulla në duar “Kultura e Shkodrës është më fortë se plumbat e drogës”, qytetarët kanë marshuar paqësisht.
Në marshim krahas qytetarëve të shumtë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Mesazhi i Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Angelo Massafra ishte që të bëjmë mirë dhe kurrë mos bëjmë keq.
“Falënderoj organizatorët për këtë marshim paqësor për të dhënë publikisht që ne duam të mirën e Shkodrës tonë dhe Shqipërisë sonë. Duam paqen dhe zhvillimin. Vetëm duke shndërruar mendjen tonë, duke qenë më të bashkuar, duke bërë të mira, vetëm kështu mund të ecim përpara. Sepse jeta jonë është në duart e të gjithëve.
Të gjitha ata që kanë në dorë të na ndihmojnë për rendin dhe sigurinë. Vetëm duke punuar me djersën e ballit buka që hamë ka një shije të jashtëzakonshme, buka tjetër ndoshta është më e majme, por nuk ka atë shije shpirtërore kur buka është fituar me djersë. Më mirë të jemi të varfër, jo në mizerie, të varfër e të ndershëm dhe dita ditës të bëhemi të pasur shpirtërisht me kulturë të fortë. E keqja të zhduket nga zemra e njeriut, e ata që janë vendosur për të keqen, do të lutem o zot që t’i ndryshojë mendjen. Ata që bëjnë të keqen nuk jetojnë me ndërgjegje të keqe.
Duhet të çarmatosim zemrën dhe xhepin, të mos ecim në rrugë as me pistoletë as me thikë. Problemet zgjidhen me dialog, pa u nxehur. Të mendojmë mirë para se të bëjmë të keqen. Papa Francesku ka bërë një takim me qindra mijëra italianë dhe ka thënë ‘të bëjmë të mirën dhe kurrë të keqen’”, u shpreh Imzot Angelo Massafra.
Në dy muajt e fundit në Shkodër kanë ndodhur 6 vrasje dhe dy rrëmbime.