Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të ikonës së humorit shqiptar dhe shkodran në veçanti, Paulin Preka.
“Zemra e Mjeshtrit të Madh të humorit shqiptar, Paulin Preka, pushoi së rrahuri sot, shkruan Voltana Ademi në Facebook. – Është një lajm shumë i trishtueshëm për familjen, kolegët, miqtë e të njohur por edhe për artin shqiptar. Me një karrierë brilante në skenë dhe në ekran, Mjeshtri i Madh Paulin Preka ka krijuar një epokë, duke u rreshtuar ndër kolosët e artit shqiptar.
Edhe pse sot largohet fizikisht, na ka lënë trashëgim një pasuri të madhe shpirtërore, që do të vazhdojë ta mbajë mes nesh dhe brezave që do të vijnë. U prehsh në paqe Mjeshtër!” përfundoi Ademi.
Bashkia e Shkodrës njoftoi se Mjeshtri i Madh Paulin Preka u ndaj sot nga jeta. Aktori i madh i humorit shqiptar mbylli sytë në Itali, aty ku prej vitesh jetonte me familjen e tij. Ndarja e tij nga jeta, është një humbje shumë e madhe për artin shqiptar.
Paulin Preka u lind në Shkodër me 2 shkurt 1935. Në rregjistrin themeltar të Gjendjes Civile ishte regjistruar me emrin dhe mbiemrin Palok Prek Gjergji, por duke u rritë filloi të thirret nga shoqëria Paulin Preka, emër me të cilin e njohu publiku shkodran e shqipëtar.
Në moshën 8- vjeçare ai u regjistrua në shoqërinë e Kishës Katedrale. Këtu ishte edhe dalja e tij e parë në skenë dhe vlerësimi me çmimin e parë. Në vitet 1945-1946, rreth moshës 11 vjeç, Paulini interpretoi në “Djemtë e Rrugës Pal”, e cila u mirëprit nga publiku.
Një vit më pas, me hapjen e Shtëpisë së Pionerit dhe krijimit të rrethit të teatrit, ai u bë pjesë e tij. Nga viti 1948-1951 u shfaqën tri drama ku u aktivizua edhe Paulini. Për arsye ekonomike, në moshën 17 vjeçare ai u detyrua të fillojë punën.
Në vitin 1953, falë vullnetit të tij, me shumë vështirësi, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës. Bashkë me Tanon Banushin, Paulin Preka udhëhoqi premierën e estradës amatore “Estrada në Penxhere”, e cila pati mjaft humor e sukses.
Në vitin 1953-1954, kur sapo ishte krijuar Klubi i Puntorëve pranë Bashkimeve Profesionale, e ftuan të interpretojë një rol tek drama “Traktoristat” me regjisore Violeta Sekuj. Për këtë rol, Paulin u vlerësua me diplomë nderi për interpretim të lartë.
Pas përfundimit të sherbimit të detyrueshëm ushtarar në 1954, ai u tërhoq në Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë, pranë estradës profesioniste në rolin e konferencierit, ku vazhdoi deri në lirimin e tij nga ushtria në fund të vitit 1956.
Viti 1957 e në vazhdim ishte mjaft i ngarkuar me aktivitete edhe pse ai punonte marangoz në kooperativën e punim drurit. Me Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti shfaqën dramën “Rinija e Baballarëve”, e cila zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë i’u besua pesha ma e madhe e roleve.
Gjatë kësaj kohe, regjisori i Trupës Profesioniste Lec Shllaku e ftoi të interpretoja tek drama “Shtatë Shaljanët” në rolin e Abdullahut (biri i vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqiptare pati një jetëgjatësi të habitshme.
Gjatë vitit 1957-1958, po me trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës, mori pjesë tek komedia brilante e Karlo Goldonit “Gjorgj Dade” e cila u prit mjaft mirë nga publiku shkodran si dhe nga ai i Korçës, Elbasanit, Tiranës e Durrësit duke krijuar bindjen se duhej të pranohej në mes të Trupës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Andrra e tij 23 vjeçare u arrit dhe me atë dëshirë e pasion iu përvesh për 38 vjet aktorit e skenës si në teatër ashtu në estradë, e cila u krijua po në atë vit që Paulin hyri në teatër.
Mbas 8 vjetësh që ai punote si aktor drame, me vendim të Komitetit të Partisë kaloi aktor estrade. Një vit më vonë, për arsye të materialeve që krijoheshin me vështirësi, provoi për herë të parë t’i vijë në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin tim të parë “Bac Byreku” i cili u luajt nga mjeshtri Tano Banushi, Zyliha Miloti, Jolanda Shala dhe Katerina Biga.
Që nga viti 1967 e deri sot janë shkruar nga Paulini me qindra e qindra skeçe, parodi, dialogje emonologje. Materialet e tij janë pëlqyer nga trupa shkodrane e janë kërkuar e luajtur nga trupat e rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit të Shkodrës e nga Mirdita, Lezha, Puka e të tjerë.
Gjatë karrierër si tij Paulin Preka ka marrë shumë diploma e medalje, në vitin 1974 Urdhërin Naim Frashëri i Klasit të III, në vitin 1980 Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të II, në vitin 1988 Titullin e Lartë Artist i Merituar. Në vitin 1996, pak muaj përpara se ta mbyllte karrierën e tij profesioniste, në Takimin e Trupave Profesioniste në Tiranë, u diplomoua “Aktori Më i Mirë i Karrierës”.
Paulin Preka është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë Mjeshtër i Madh dhe nga Bashkia e Shkodrës me “Krenaria e Qytetit”.