Shkodra nën ujë, përmbyten 900 ha, Prefekti refuzon shpalljen e emergjencës

Vazhdon të përkeqësohet situata nga përmbytjet në tre njësitë administrative të Shkodrës, Ana e Malit, Dajç dhe Guri i Zi. Grupi i vleresimit eshte ne terren dhe me vone pritet nje vleresim i sakte te situates.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit është rritur sipërfaqja e përmbytur dhe niveli i ujit. Në fshatin Obot kalohet me makina ushtrie. Aktualisht jane 3 makina ushtrie, 2 varka me motor dhe 20 ushtarë të cilët janë në gatishmëri për të plotësuar nevojat jetike të banorëve.
Ndërkohë në njësinë Administrative Dajç është rritur niveli i ujit dhe për rrjedhojë ka shtim të sipërfaqes së përmbytur. Rruga Darragjat- Shirq është e bllokuar nga rritja e nivelit të ujit. Mund të kalohet vetëm me mjete të larta.
Në njësinë administrative Guri i Zi, në afërsi të malit të Vukatanës, konstatohet një gërryerje (erozion) i madh i tokës bujqësore. Që nga darka e kaluar, janë gërryer afërsisht 3 ha tokë, rreth 800 m gjatësi. Situata vijon të mbahet në monitorim nga Bashkia e Shkodrës, e cila deklaron se eshte e angazhuar me te gjithë strukturat e saj.

Prefekti refuzon shpalljen e emergjencës
Situata në qarkun e Shkodrës po përkeqësohet si pasojë e përmbytjes për shkak të shirave dhe shkrirjes së borës. Rreth 900 hektarë tokë në Shkodër dhe Muriqan gjenden nën ujë.
Bëhet me dije se rreth 800 banorë të fshatit Oblikë janë pa ujë të pijshëm si pasojë e përmbytjes së ujësjellësit Oblika 1. Rrezikon të përmbytet edhe ujësjellësi Oblika 2.
Mësohet se në njësinë administrative Dajcc, niveli i ujit ka shkuar 20 cm si dhe rrugët dytësore në fshatin Obot janë tashmë të bllokuara.
Ndërkohë që më herët, pas kërkesës së Kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, për të shpallur gjendjen e emergjencës në zonën e Anës së Malit, ku janë përmbytur 900 ha tokë bujqësore, prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja ka mbledhur në orët e darkës Shtabin e Emergjencave.
Sipas prefektit, për momentin nuk ka një situatë për të shpallur emergjencë civile, pasi gjendja është nën kontroll.

100

“Aktualisht shkarkimet e kontrolluara në total, me gjithë 5 agregatet në punë nga Vau Dejës, janë 1300 m3/sek dhe situata është e menaxhueshme. Situata është duke u monitoruar dhe gjykojmë e shpresojmë se do të ruhet kjo gjendje, duke mos pasur përkeqësim të situates”, mësohet të jetë shprehur prefekti Millja.

Përmbyten disa fshatra në Fushë Krujë
Reshjet intensive të shiut gjatë pasdites së djeshme kanë sjellë daljen e lumit Ishëm nga shtrati. Për pasojë janë regjistruar përmbytje në fshatrat Murqinë dhe Mallkuç të Fushë-Krujës.
Niveli i ujit ne fshatin Murqinë ka shkuar deri në 1 metër, duke ua bërë të pamundur banorëve daljen nga banesat e tyre. Raportohet se jane rreth 30 banesa te rrethuara nga uji. Ndërkohë dhjetra hektarë tokë bujqësore gjendet nën ujë.
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë pasditen e sotme territorin e vendit tonë, kanë shkaktuar problem në autostradën Tiranë-Durrës. Raportohet se disa makina kanë dalë në pjesën anësore të rrugës, (siç shihet nga pamjet më poshtë), pasi qarkullimi është bërë i vështirë.

Njoftimi i plotë i ministrisë së Mbrojtës
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë territorin e Qarkut kanë vazhduar reshjet periodike të shiut të cilat janë shoqëruar me shkrirje të dëborës dhe fryrjen e liqeneve, lumenjve dhe përrenjve. Sipas informacionit nga terreni, kemi sipërfaqe të tokës së përmbytur, kryesisht tokë bujqësore në Bashkinë Shkodër, kryesisht në Njësinë Administrative Bushat, Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit, Gur i Zi dhe Malësi e Madhe.
Bashkia Shkodër
Rruga për në fshatin bruçaj, Njësia Administrative Pult është e bllokuar, po ashtu dhe nga fshati Kir deri në Xhan dhe nga fshati Pog deri në qendër të Njësisë Administrative Pult. Rruga për në fshatin Mazrek të Njësisë Administrative Gur i Zi, është e bllokuar. Gjithashtu në rrugën Gur i Zi – Vukatan ka prezencë uji rreth 30 cm.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 300 ha. Ka prezencë uji në fshatin Obot. Rrezikohet ujësjellësi Oblikë. Përrenjtë kanë prurje të mëdha.

Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka prezencë uji edhe në fshatin Gomsiqe të Njësisë Administrative Velipojë.
Nga institucioni i prefektit vazhdon të monitorohet situata dhe po bashkëpunohet intensivisht me strukturat e Bashkive dhe institucione si: HEC-et, DVP, OSHEE, KESH, Drejtorinë Rajonale të Kullimit, Autoritetin Verior dhe strukturat e ushtrisë, për mbajtjen në kontroll të situatës dhe mirëmenaxhimin e situatave të pritshme.
Aktualisht kemi përqendruar një mjet të ushtrisë në fshatin Obot për të bërë transportimin e komunitetit, meqenëse segmenti rrugor që lidh Njësinë Administrative me këtë fshat është izoluar nga uji.
Në prefekturat e tjera nuk ka probleme (Tiranë dhe Durrës), pasi ka rënë niveli i ujit në rrugë dhe situata po normalizohet.

 

Artikulli paraprakZbarkimi amerikan, DEA dhe CIA tek kokaina
Artikulli tjetërSOS! 60% e shtëpive në Obot të rrethuara nga uji, banorët japin alarmin