41 kg lëndë kanabis u kap nga policia në një shkollë në një fshat të Përmetit. Gjatë operacionit u arrestua 68-vjeçari Myslim Shpata në fshatin Miçan, njofton policia. Droga ruhej në godinën, që dikur shërbente si shkollë e mesme për të rinjtë e fshatrave të zonës. Duke parë përhapjen masive të kultivimit të drogës, shkolla është braktisur dhe funksioni më i mirë që mund të kryejë për momentin është si magazinë e hashashit.
Në vijim të kontrolleve të territorit të ushtruar nga strukturat e Drejtorisë të Qarkut Gjirokastër, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e lëndëve narkotike, më datë 13.07.2017, në fshatin Miçan, Përmet, në ambjentet e ish-shkollës së mesme të këtij fshati, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, kanë gjetur një sasi prej 41 kg lëndë të dyshuar si narkotike kanabis sativa. Gjithashtu nga shërbimet e Policisë u arrestua në flagrancë shtetasi Myslim Shpata, 68 vjeç, banues në fshatin Miçan, Përmet. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.