Një ngjarje e rëndë tronditi këto ditë qytetin e Elbasanit, ku një nxënëse e klasës së 10 dyshohet se është hedhur nga kati i dytë i gjimnazit.
Mësohet se ngjarja tronditëse ka ndodhur në gjimnazin “Vasil Kamami”.
E mitura e cila kishte ardhur në këtë shkollë nga një qendër sociale është hedhur në rrethana ende të paqarta teksa dyshohet edhe për bullizim.
Fatmirësisht e mitura, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur për shkak të moshës, është jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka marrë në pyetje shokët e klasës së vajzës. Sipas dëshmive, e mitura është vetëhedhur nga kati i dytë i shkollës, ngjarje e ndodhur më herët, por që nuk është bërë publike.
Policia dhe autoritetet po hetojnë ngjarjen, ndërkohë mësohet që vajza është nën kujdes të shtuar pas asaj që ndodhi.
Kjo ngjarje pason një ngjarje tjetër të rëndë ndodhur te e njëjta shkollë pak vite më parë. Shtatë nxënës të shkollës së mesme të përgjithshme, “Vasil Kamami” mbetën të lënduar, pasi u sulmuan nga një bashkëmoshatari i tyre me bombol zjarrfikëse.
Shtatë prej nxënësve kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen si pasojë e kimikateve që ka shkaktuar shkuma që përmban bombola. Në ambientet e shkollës 4 ambulanca bënë të mundur transportin e tyre në spital.
Pyetja që shtrohet është: a po i largohen misionit të edukimit shkollat në vendin tonë apo ka vetëm disa shkolla të cilat në vend të edukimit mund të jenë kthyer në qendra të krimit.