Shkollat profesionale, mes nevojës dhe mungesës së planifikimit

Pavarësisht një premtimi të qeverisë në vitin 2017 për të krijuar shkolla profesionale në çdo bashki, Shqipëria mbetet pas me vetëm 19 bashki që kanë institucione të tilla në vitin 2024. Me një numër në rënie të shkollave profesionale dhe nxënës që hasin vështirësi për të gjetur punë në fushat e tyre, ekspertët kërkojnë një strategji gjithëpërfshirëse për të adresuar nevojat e tregut dhe mungesat infrastrukturore.

Denis Tahiri

Në 10 Janar 2021, në Investigative Network Albania, do të publikohej shkrimi “U premtua për shkolla profesionale në çdo bashki të vendit, por nga 61 bashki vetëm 20 prej tyre kanë”. Shkrimi faktonte një premtim të bërë në planin e qeverisjes së Partisë Socialiste për mandatin 2017-2021, u premtuan investime në arsimin profesional dhe se çdo bashki do të kishte shkollë profesionale.

Katër vjet pas këtij premtimi, nga verifikimi i Faktoje rezultoi se vetëm 1/3 e bashkive kanë shkolla profesionale dhe një pjesë e tyre janë me financim privat. Edhe në ato bashki ku ofrohet ky lloj shkollimi, nxënës që kanë mbaruar shkollën profesionale e kanë pasur të vështirë gjetjen e një pune në zanatin e vet, ose në disa raste kanë gjetur punë jashtë vendit. Por si është situata aktualisht, pothuajse 8 vite pas bërjes së këtij premtimi?

Në shkrimin e realizuar nga Faktoje në vitin 2021, ajo që vihej re është ne në vend zhvillonin aktivitetin e tyre 35 shkolla profesionale, të cilat ishin të shtrira në 20 bashki. Ajo që theksohej në shkrim ishte gjithashtu edhe fakti që shumë ish-nxnësët të këtyre shkollave, ishin detyruar të emigronin pasi nuk kishin mundur të siguronin një vend pune në Shqipëri.

I tillë është edhe rasti i A.S,  i cili aktualisht ka mbaruar shkollën e lartë për drejtësi në një universitet privat në Shqipëri. Por 32 vjeçari nga Saranda, për shkollë të mesme zgjodhi shkollën profesionale të qytetit, në drejtimin “Hoteleri- Turizëm”.

E bëra 5 vite shkollen, por e pash që nuk kisha të ardhme me të dhe u rregjistrova për juridik në një universitet privat”, thotë ai. Aktualisht ai jeton mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku mendon të shpërngulet përfundimisht.

As me juridikun nuk arrita të gjej një vend pune, kam 2 vite qe jetoj mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, andej punoj në ndërtim, por të paktën kam punë, siguroj të ardhura dhe së shpejti do të shpërngulem përfundimisht”, tregon ai.

Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Ministria e Financave nëpërmjet një kërkese për informacion, numri i shkolla profesionale nga 2021 deri në 2024, ka një renie. Zyrtarisht, në 2021, në një përgjigjë zyrtare për “Faktoje”, Ministria e Financave thoshte se: “Në lidhje me kërkesen tuaj mbi shkollat profesionale, ju sqarojmë se aktualisht në vendin tonë zhvillojnë aktivitetin e tyre 35 shkolla profesionale”. Ndërkohë, në 2024 në listën e shkollave profesionale të vendosura në dispozicion të “Investigative Netëork Albania”, ky institucion liston vetëm 31 shkolla.

Por ndonëse premtimi ishte se do të kishte shkolla profesionale në 61 Bashki, ndërsa në 2021 kishte vetëm në 20 prej tyre, katër vite më pas, ka vetëm në 19 bashki.

Çfarë shkollash profesionale kemi dhe ku?

Në bashkinë e Durrësit, qytetin më i madh bregdetar në vend, rezultojnë dy shkolla profesionale.  Shkolla “Beqir Çela” ofron degë si Shërbime Mjetesh Transporti, Elektronikë, Teknologji Informacioni dhe Komunikim, Termohidraulikë dhe Mekanikë.  Ndërsa shkolla tjetër profesionale “Hysen Çela” ofron drejtime në Hoteleri-Turizëm, Tekonologji Ushqimore, Ekonomi-Biznes, Tekstil-Konfeksione dhe Detari.

Vetëm pak kilometra nga Durrësi, në Golem të Kavajës është shkolla profesionale “Charles T. Erikson” e cila ofron drejtime studimi në Ekonomi-biznes, Bujqësi dhe Veterinari.

Ndërkohë në kryeqytetin Shqiptar, janë funksionale aktualisht 5 shkolla profesionale. Shkolla Hoteleri-Turizë, e cila përvec drejtimit të hotelerisë ofron edhe atë të Tekonlogjisë ushqimore. Gjithashtu në Tiranë është edhe shkolla Teknike Ekonomike e cila ofron drejtime si Ekonomi-Biznes dhe Tekstil-Konfeskione. Një shkollë tjetër profesionale në kryeqytet ështe edhe “Gjergji Cano”, e cila ka dy fusha studimi, Elektronikë dhe Teknologji-Informacioni dhe Komunikimi, ku kjo e fundit, ofrohet edhe në shkollën profesionale TIK “Herman Gmeiner”.  Ndërkohë Tirana ka edhe një shkollë profesionale ndërtimi me emrin “Karl Gega”, e cila ofron fusha studimi si Ndërtim, Gjeodezi, Termohidraulikë, Përpunim Druri, Shërbim mjetesh Transporti, Mekanikë.

Edhe në Bashkinë Kamëz, shkolla profesionale specializim në Shërbime Sociale-Shëndetësore, Hoteleri-Turizëm, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Bujqësi, Ellektroteknikë.

Në bashkinë Fier, janë funksionale dy shkolla profesionale, “Petro Sota” dhe “Rakim Kryeziu”, situatë e njëjtë është edhe në Vlorë, ku operojnë shkollat “Pavarësia” dhe Shkolla Tregëtare. Ajo që bie në sy, është fakti që edhe pse Vlora është e fokusuar në industrinë e turizmit, vetëm në Shkollën Treëgtare ofrohen drejtime drejtime si “Hoteleri-Turizëm” dhe “Ekonomi- Biznesi”, dy degë këto ofrohen edhe në shkollën e vetme profesionale të bashkisë Sarandë, “Antoni Athanas”.

Ndërkohë në Bashkitë si Gjirokastra, Lushnja, Pogradeci, Elbasani, Cërriku, Lezha, Peshkopi, Rubik dhe Kukës, operojnë me nga një shkollë profesionale, ndërsa në Korçë, Berat, kanë veprimtari nga dy shkolla profesionale.

“Ndër bashkitë që kanë shkolla profesionale, ajo që ofron më shumë larmi në formimin profesional është Bashkia Shkodër. Në faqen zyrtare të këtij institucioni renditen 6 shkolla profesionale: Shkolla Teknike Industriale “Arben Broci”, ajo e Ndërtimit “Kolë Idromeno”, Artistikja “Preng Jakova”, Gjimnazi Gjuhësor “Shejnaze Juka”, shkolla Teknike Pyjore “Kolë Margjini”, ajo Teknologjike “Hamdi Bushati” dhe shkolla private Austriake Teknologji-Informacioni “Peter Mahringer””, thuhej në shkrimin e tre viteve më parë të realizuar nga “Faktoje”.

Por në 2024, duket se situata ka ndryshuar ndjeshëm, nga 6 shkolla profesionale, aktualisht janë vetëm 4: Shkollat “Hamdi Bushati”, “Arben Broci”, “Kolë Margjini” dhe “Ndre Mjeda”.

Eksperti: Shkollat të njëjtat profile, mungon infrastruktura mbështetëse

Ndërkohë që numri i shkollave profesionale në gjithë territorin e vendit është ulur, ajo që bie në sy është se jo rrallë herë shumë nga këto shkolla, profilizimet e tyre janë të njëjta. Për ekspertin e arsimit, Ndriçim Mehmeti, problemet janë të shumta, duke nisur nga fakti që sipas tij, i shërbejnë tregut të jashtë të punës.

Ne kemi një natyrë të shkollave profesionale që janë të tërhequra nga tregu i punës, por në një treg pune që është jashtë vendit”, thotë ai duke shtuar që ata që janë profilizuar më së shumti janë në fushën e telekomunikacionit dhe IT, ku sipas tij, pak janë ata që janë të profilizuar në fusha ekonomike që janë të kërkuara apo kërkohen në tregun e brendshëm.  Ndërkohë, zoti Mehmeti ngrin edhe një pyetje nëse kemi vërtet nevojë për 61 shkolla profesionale, nga një në çdo bashki kur nuk kemi nxënës dhe as politika për ta mbështetur.

Përgjigjia në këtë rast është jo,” shprehet ai, duke theksuar se nuk kemi një strategji të qartë për arsimin profesionale dhe mbi të gjitha nuk kemi një mbështetje profesionle – “Me një arsim i cili merr më pak se 2.5% të PBB ne e kemi të vështirë që të bëjmë 61 shkolla profesionale dhe ti profilizojmë në nevojat që kanë bashkitë apo rrethinat për t’iu përgjigjur tregut të punës.”

Për zotin Mehmeti, duhet krijuar një strategji që punësimi nga këto shkolla të nxitet nga vet shteti duke u siguruar praktika pranë bizneseve dhe këto biznese të lidhin kontrrata me shkollën por edhe me vet individës ku shteti të futej si ndërmjetës për të ndihmuar në lehtësimin e taksave dhe tatimeve për aq punonjës sa do të merrnin.

Pra nga njëra anë sigurojmë punonjës të kualifikuar dhe nga ana tjetër shteti krijon lehtësira që ky biznes të zhvillohet”, thotë ai.

Por eksperti thekson urgjencën e pasjes së një studimi të tregut të punës, duke shtuar që është e nevojshme edhe ngritja e një portali të tregut të punës për arsimin profesional në të cilin të thuhet se cilat janë nevojat që kemi sot, çfarë kualifikimesh kërkohen dhe cila është paga që u ofrohet këtyre profesionistëve.

Në këtë mënyrë ne mund të joshim edhe njerëzit të cilët shkojnë, pra unë shkoj në këtë shkollë, kjo shkollë më jep këto përfitime në të ardhmen dhe më jep këto mundësi punësimi”, thotë ai.

E ndërsa arsimi profesional në vend, jo vetëm që nuk ka shkuar drejt krijimit të 61 shkollave profesionale, por ka bërë regres, nevoja për rritjen e kapaciteteve, profilizimit të tyre dhe mbështetjes tashmë duket qartë nga mungesat e punonjësve të specializuar që kemi në vend në industrinë e turizmit./ina-media

 

Artikulli paraprakMilionat e inceneratorit/ Xama: Shkelja po thellohet, bashkia paguan 12 milionë euro në vit
Artikulli tjetërSHBA shuan “ëndrrat” për Berishën: Përsërisim se nuk angazhohemi me individë të përcaktuar për korruspion