Dhjetë nxënësit e arsimit fillor nuk u ulën dot në bankat e shkollës në fshatin Mali Kolaj në Velipojë, Bashkia Shkodër. Kjo pasi godina ku prej vitesh mësonin ka mbyllur dyert. Shkak është bërë mungesa e një kontratë qiraje mes pronarit të saj dhe bashkisë.
“Shkolla e Velipojës është 16 km larg dhe mësimi zhvillohet pasdite, ku kthimi natën për të vegjlit është me rrezik. “
Nëse nuk ka zgjidhje për të hapur godinën e shkollës në qëndër të fshatit, kërcënojnë se do t’i lënë fëmijët pa mësim.
Fëmijët kërkojnë të hapë dyert shkolla e tyre, pasi ju duhet të ecin me kilometra në këmbë për të arritur në rrugën kryesore ku i merr furgoni për të shkuar drejt Velipojës.
Zyra e Arsimit u ka ofruar si zgjidhje shkollën në qendër të Velipojës, por për prindërit distanca është shumë e largët.
Furgoni nuk vjen në qendër të fshatit për të marrë fëmijët dhe këta të fundit nuk pranojnë të ecin 5 km në këmbë për të shkuar deri tek stacioni.
E kontaktuar nga vizionplus, drejtorja e ZVA Brisela Kadija sqaroi se transporti është i sguruar dhe nxënësit në Velipojë do të mund të zhvillojnë mësim në klasat respektive, ndryshe nga shkolla e fshatit ku mësimi kryhej në klasë kolektive.
Marrëveshja mes pronarit të godinës dhe bashkisë nuk është arritur pasi prona në fjalë paradoksalisht rezulton e regjistruar në kadastrën e Lezhës, prandaj smund të ketë një kontratë qira.