Shkon mbi 100 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi, 4-vjeçarja nxirret e gjallë nga rrënojat

Është rritur mbi 100 bilanci i viktimave të tërmetit të së premtes në Izmir të Turqisë. Autoriteti turk për fatkeqësitë dhe emergjencat njoftoi se më shumë se 800 persona janë liruar nga spitali ndërsa mbi 100 të tjerë vazhdojnë të marrin ndihmë spitalore.

91 orë pasi lëkundja sizmike me magnitudë 6,6 goditi qytetin perëndimor, forcat e kërkim-shpëtimit arritën të martën të nxjerrin të gjallë 4-vjeçaren Aida Gezgin.

Vajza u gjet nën rrënojat e pallatit ku banonte, atje ku dikur ishte kuzhina, afër një makine pjatalarëse që kishte mundur ta mbronte nga rrëzimi i soletës.

Një ditë më parë u shpëtuan mes hidhërimit dhe gëzimit edhe një vajzë trevjeçare dhe një tjetër 14-vjeçare.

Të dyja megjithatë humbën secila njërën prej motrave apo vëllezërve të tyre.

Dy adoleshentë u vranë edhe në ishullin fqinj të Samosit në Greqi teksa po shkonin në shkollë në momentin e tërmetit.

Kërkimet vazhdojnë me intensitet në 5 pallate të tjera ku mbetet i panjohur numri i personave nën gërmadha.

Mijëra qytetarë pritet të kalojnë natën e tyre të katërt në më shumë se 3,500 tendat dhe 13 mijë shtretërit provizorë të siguruar nga shteti turk strehimin e të prekurve nga fatkeqësia.

Në këto ditë, Turqia ka regjistruar më shumë se 1,400 paslëkundje, me dhjetëra prej tyre mbi 4 ballë.

Vendi ndodhet në një pozicionin gjeografik me aktivitet të shtuar sizmik.

Në muajin janar 41 persona po ashtu humbën jetën nga tërmeti në provincën lindore të Elazigut, ndërsa dy më të fuqishëm në vitin 1999 vranë mbi 18 mijë veta në veriperëndim.

Autoritetet po punojnë për të ashpërsuar rregullat për ndërtimet urbane, pasi godinat më të rrezikuara janë të vjetra, të ndërtuara ilegalisht ose pa sigurinë për t’i përballuar lëkundjet e forta sizmike.

Exit mobile version