Shkresa në KQZ: Zgjedhje vetëm me qeverie teknike

Partitë e koalicionit opozitar kanë zyrtarizuar dje vendimin se nuk do të lejojnë në Shqipëri zgjedhje fasadë, zgjedhje të kapura nga krimi dhe paratë e drogës. Me një kërkesë zyrtare dërguar KQZ-së, partitë e koalicionit opozitar kanë vënë në dijeni se nuk do të paraqesin kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore dhe as si koalicion zgjedhor, deri në arritjen e marrëveshjes politike që siguron zgjedhje të lira e të ndershme, vetëm me një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të sigurojë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. “Partitë politike të koalicionit opozitar, nënshkruese të këtij qëndrimi, duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët për shkak të kërcënimit serioz dhe real të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare. Ju njoftojmë kemi vendosur të mos paraqesim kërkesë për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore në KQZ dhe rrjedhimisht as si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, deri në momentin e arritjes së një marrëveshjeje politike që siguron realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, përmes krijimit të një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të sigurojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës, si dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme ku qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të votojnë të lirë”, citon shkresa e partive opozitare drejtuar KQZ. Në shkresën drejtuar KQZ, koalicioni opozitar thekson se situata e krijuar në vend pengon përmbushjen e vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur të lirë ashtu siç sanksionohet në Kushtetutë, si dhe në Kodin Zgjedhor. “Në këtë rast sjellim në vëmendjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, se deri në arritjen e marrëveshjes politike për krijimin e një qeverie teknike me mbështetje të gjerë që mundëson krijimin e kushteve të mësipërme që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në Shqipëri është e pamundur të organizohen dhe realizohen zgjedhje që përmbushin detyrimin e sanksionuar në nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet se, ‘Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira dhe të barabarta’, si dhe parimin e përgjithshëm parashikuar në nenin 3 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet se: ‘Zgjedhjet bëhen me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë…. Zgjedhësit e ushtrojnë lirisht të drejtën e votës’. Për pasojë, qëndrimi ynë i unifikuar bazohet në nevojën e jashtëzakonshme që ka Shqipëria dhe shqiptarët për sigurimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve evropiane”, thuhet në shkresën e koalicionit opozitar drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Arben Shahini

Artikulli paraprakProgrami i PD, injeksion mbi 1 miliard euro në ekonomi
Artikulli tjetër“Tërheqja do të ishte tradhti para shqiptarëve”