SHKRIM HULUMTUES/ Plagjiatura, shitblerja e punimeve të diplomës dhe premtimet e pambajtura

Në Shqipëri, zyrtarë të lartë dhe akademikë janë akuzuar për plagjiaturën e kërkimeve shkencore. Protestat studentore në 2018 kërkuan rishikimin e titujve akademikë dhe një arkiv digjital të tezave. Ndërkohë që tregu i punimeve akademike lulëzon në internet, institucionet akademike dhe shtetërore japin deklarata kontradiktore mbi gjendjen e problematikës dhe hapat e ndërmarrë për rregullimin e saj.

Autor: Klerisa Azuni

Taulant Balla, ministër i Brendshëm, Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes, Ogerta Manastirliu, ministre e Arsimit, Evis Kushi, ish-ministre e Arsimit, Lindita Nikolla, kryetare e Parlamentit, Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë, janë vetëm disa prej përfaqësuesve të shtetit shqiptar, për të cilët disa vite më parë janë ngritur akuza të forta se i kanë kopjuar kërkimet e tyre, shkencore të nivelit të doktoratës. Akuzat u bënë publike pas një studimi të kryer nga Taulant Muka, Alfonc Rakaj, Vladimir Kola dhe të tjerë.

Plagjiatura si koncept akademik konsiston në mosrespektimin e të drejtave të autorit, duke e prezantuar punën e dikujt tjetër si prodhim origjinal, personal.

Problemet, që plagjiatura sjell në shoqëri, janë serioze. Profesor Fatos Tarifa thotë se plagjiatura është bërë tashmë pjesë integrale e krizës, që sistemi arsimor po has këto vite. Kopjimi, pra plagjiatura, krijon një mentalitet të marrjes së gjërave lehtë në një shoqëri, e bën atë përtace, kur shikon se, në mjedisin ku gjendet, gjërat mund të fitohen pa punuar.

“Rreziku më i madh është efekti zinxhir, që kjo problematikë sjell nga brezi në brez, duke e konsideruar normale dhe të pranueshme si metodë. Plagjiatura kryen shkelje etike dhe morale, që e tjetërsojnë zhvillimin e shoqërisë”, – thotë Tarifa.

Plagjiatura nuk është vetëm problem etik, por edhe ligjor.

Sipas nenit 148 të Kodit Penal, botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet i një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore, që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Plagjiatura nuk është problem i ri, por u vendos në qendër të vëmendjes në dhjetor të vitit 2018 nga protesta e studentëve.

Një nga kërkesat e tyre ishte “Rishikimi i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoratave”.

Zgjidhja, që iu ofrua kësaj kërkese, me VKM 777, 26.12 2018, ishte: Krijimi i Arkivit Digjital të Doktoratave në Republikën e Shqipërisë pranë MASR.

Ministria përgjegjëse për arsimin do të dorëzonte raportet e kontrollit digjital, antiplagjiaturë pranë universiteteve.

Zbatimi i këtij vendimi nisi në qershor të vitit 2019.

Si është situata sot, më shumë se 5 vite pas Aktit për universitetin?

Ministria e Arsimit u pyet në lidhje me programin e plagjiaturës, që përdoret aktualisht dhe institucionet që kanë akses në të.

Ministria nuk e përmendi emrin e programit të antiplagjiaturës, që ka vënë në dispozicion, por nga ky program misterioz, antiplagjiaturë “kanë përfituar 12 universitete publike për një periudhë 1-vjeçare”. ACQJ u përpoq që të merrte një reagim edhe nga zëdhënësi për Mediat i këtij institucioni, por deri në momentin e botimit të këtij shkrimi nuk pati asnjë reagim.

Për të mësuar më shumë për aksesin që universitetet kanë në këtë program antiplagjiaturë, u intervistuan edhe tre përfaqësues të universiteteve shqiptare.

Z. Arben Gjata, rektor i Universitetit të Mjekësisë, pohoi ekzistencën e programit, emrin e të cilit nuk e mbante mend, duke theksuar se në Universitetin e Mjekësisë nuk ka patur asnjë rast plagjiature ndër vite.

“Nuk e mbaj mend emrin, por ka qenë ai programi i atyre kosovarëve, që u bë marrëveshje”, – u shpreh ai.

I pyetur, nëse i është vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit programi antiplagjiaturë, zëvendësdekani i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Fatmir Memaj, tha: “Nuk e kam këtë informacion. Nuk është fusha ime, sepse është fusha e zëvendësdekanes mësimore”.

Zëvendësdekania e Fakultetit të Filologjisë, Prof. As. Dr. Elsa Skënderi, tha: “Ky fakultet nuk ka asnjë akses në ndonjë program plagjiature, të mundësuar nga ministria”.

Në lidhje me mënyrën se si gjykohet punimi i diplomës së nivelit Bachelor dhe Master, prof. Skënderi sqaroi se ky vlerësim kryhet vetëm në bazë të ekspertizës së pedagogut. “Nëse ka dyshime të forta për plagjiaturë, studenti penalizohet”.

Në lidhje me verifikimin e doktoratave me anë të programit antiplagjiaturë, zëvendësdekania e fakultetit përgjigjet:

“Është një aspekt teknik, që unë nuk e di shumë mirë, por di që ka disa kompani, që janë të certifikuara, që e ofrojnë shërbimin”.

BËJMË DIPLOMA DHE DOKTORATA

Situata në institucionet publike është e paqartë, por në faqet online, ku ofrohet shërbimi i bërjes së temave të diplomës, doktoratave, kërkimeve shkencore, ndihmesës në provime etj…, struktura është tejet e mirorganizuar.

Në rrjetin social Instagram ekzistojnë një mori faqesh, që ofrojnë punimet Master e Doktoratë. Niveli i konkurrencës në këtë treg shfaqet në reklamat e shumta. Në Instagram, për shembull, përdoret opsioni i sponsorizimit, i cili me anë të pagesës e shpërndan reklamën në shumë profile.

Dr. Taulant Muka tregon se, kur publikonte emrat e këtyre faqeve në profilet e tij, personale në rrjetet sociale për t`i demaskuar, këto faqe e falënderonin për reklamën, duke mos u shqetësuar apo duke mos u frikësuar për pasojat e veprimit të tyre jo-etik.

Këto biznese ofrojnë zbritje në raste eventesh, ku i ftojnë klientët potencialë që të nxitojnë, pasi oferta nuk duhet humbur. Me krenari postohen punime diplome bashkë me logot e universiteteve si tregues të suksesit të punës së tyre. Në profilet e tyre tregohet se punohet me staf akademik, madje ato publikojnë thirrje për punonjës, duke i ftuar aplikantët që të dërgojnë CV për pozicionin e punës “Krijim punimesh diplome/doktorate”.

ACQJ kontaktoi me 27 faqe ofruese të këtij shërbimi dhe mori përgjigje nga 23 prej tyre. Çmimet nisin nga 30 € deri në 610 € për punimet Master, të realizuara në gjuhën angleze. Çmimi mesatar është 20.000 ALL-25.000 ALL. Pagesa kryhet zakonisht me këste nëpërmjet transfertave bankare, Moneygram, Western Union, por edhe dorazi.

Shumica e faqeve ofrojnë punime nga të gjitha degët dhe mënyrën e funksionimit e kanë të njëjtë. Tema punohet me etapa, sipas udhëzimeve të udhëheqësit të diplomës.

Në momentin që udhëheqësi e orienton, studenti nis komunikimin me faqet dhe ata kryejnë punën që më pas i dërgohet pedagogut. Ky proces bëhet disa herë, derisa të finalizohet tema. Studenti kryen vetëm rolin e transportuesit mes orientimit të udhëheqësit të temës dhe ofruesit të shërbimit.

Prof. Fatmir Memaj thotë se një gjë e tillë nuk është e mundur të ndodhë.

Si udhëheqës diplome ai ia kthen punën shumë herë studentit për përmirësime dhe për këto kthime të shpeshta faqet do të kërkonin më shumë pará, të cilat do të ishin të vështira për t’u siguruar.

“Po e imagjinoni se çfarë kostosh mund t’i japë ajo studentit? I jep një kosto shumë të madhe, sepse kthe njëherë, dy herë, tri herë…”.

Për t’i ofruar siguri klientit, këto faqe i mundësojnë atij edhe testimin antiplagjiaturë të punimit. 10 prej tyre përdorin programin antiplagjiaturë, Turnitin.

Ky program nuk mund të blihet nga kushdo.

Kostoja vjetore për ta blerë këtë program është 5000 $-10000 $.

Për ta blerë duhet të ofrohet një licencë institucioni. Më pas iu jepet akses punonjësve me email me një domain të lidhur me institucionin.

Si mund të kenë akses në këtë program të shtrenjtë këto faqe? Një program, i cili, edhe në rastin kur mund të sigurohen paratë, është i pamundur të blihet nga individë.

Fatos Tarifa, Irena Myzeqari dhe Taulant Muka kanë të njëjtën përgjigje: “Edhe stafi akademik është përfshirë në këtë biznes”. Kjo pohohet edhe nga vetë faqet. Gjithashtu, Prof. Tarifa dhe Dr. Muka e lënë të hapur mundësinë për përfshirje të drejtpërdrejtë nga universitetet.

A mund të minimizohet ky fenomen?

Fatmir Memaj thotë se është diçka e pakapshme dhe se do ekzistojë gjithmonë.

“Është njësoj si korrupsioni. Ekziston korrupsioni në administratën publike? Ekziston.

Çfarë kapet, kapet, çfarë nuk kapet, nuk kapet”.

Prof. Tarifa thotë se kemi të bëjmë me një fenomen botëror, por nënvizon se niveli i plagjiaturave në botë është i ndryshëm nga ai i Shqipërisë. Atje nuk bëhet fjalë për punime të marra shabllon, po për probleme shumë herë më të vogla, në citime apo referenca.

Për minimizimin e këtij fenomeni prof. Tarifa hedh idenë e vetingut të Profesoratit, ku çdo profesor duhet që të dalë përpara një komisioni dhe të justifikojë se si i ka marrë gradat, sepse “nuk mund t’i kërkohet llogari studentit për plagjiaturën, pa iu kërkuar me parë profesorëve të tyre”.

Dr. Irena Myzeqari thotë se, rritja e rolit të Këshillit Etik nëpër universitete do të bënte që punët e dala të jenë më cilësore.

Uljad Berdica, po zhvillon doktoratën në fushën e Robotikës në Universitetin e Oxford-it në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai thotë se studentët, për t`i kontrolluar punët e tyre, kanë akses në programin e plagjiaturës (Turnitin) Në rastin e organizatave profesionale Uljadi përmend IEEE cross check, duke theksuar se programet përdoren më shumë për të parë punët e studentëve, pasi në rastin e doktorantëve nuk bëhet më fjalë për plagjiatura shabllon, që mund të zbulohen nga programi.

DATABAZA, PREMTIM I HARRUAR

Si pjesë e paketës së Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, Ministria e Arsimit përfshiu dhe ngritjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor. Ky institucion u krijua më 31.08.2916, me VKM Nr. 607.

Dy janë detyrat kryesore: shpërndarja e fondeve për programet e kërkimit shkencor dhe administrimi i bazës kombëtare të të dhënave për kërkimin shkencor në sistemin e arsimit të lartë.

Kjo databazë pritej të përfshinte dhe bënte të publike listën e disertacioneve dhe të doktoratave të mbrojtura dhe abstraktet përkatëse; listën e punimeve të diplomës së ciklit të dytë dhe të tretë, të mbrojtura, dhe abstraktet përkatëse në një nga pesë gjuhët e Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht; dhe listën e përditësuar të kontributit shkencor të personelit akademik e kërkimor të institucioneve të arsimit të lartë.

Një ndër pritshmëritë e kësaj databaze ishte dhe përdorimi i saj për të ulur mundësinë e plagjiaturës, si dhe për të lehtësuar aksesin te punimet e dorëzuara dhe të mbrojtura.

Por, kjo databazë sot nuk gjendet.

ACQJ i dërgoi Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor një kërkesë për koment se sa janë plotësuar deri më tani pritshmëritë, që ky institucion kishte që në ngritje të tij dhe se sa janë plotësuar objektivat dhe detyrat, si administrimi i databazës së kërkimeve shkencore; bërja publike e listës së disertacioneve dhe të doktoratave të mbrojtura dhe abstraktet përkatëse; si dhe lista e punimeve të diplomave të mbrojtura të ciklit të dytë dhe të tretë dhe abstraktet përkatëse në një nga pesë gjuhët e Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht dhe italisht.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi AKKSH-i nuk ka dhënë asnjë koment për sa i përket përmbushjes së detyrave të mësipërme, si dhe nëse janë përmbushur objektivat dhe pritshmëritë, për të cilat ky institucion u ngrit.

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

BURIMI: Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

https://acqj.al/plagjiatura-shitblerja-e-punimeve-te-diplomes-dhe-premtimet-e-pambajtura/

Exit mobile version