Shkrimi i fortë i Kim Mehmetit: Stabilokratët e lanë Shqipërinë në duart e leninistëve dhe mafias

Kim MEHMETI

Dashakeqët e shqiptarisë kurrë nuk e kanë pasur më lehtë se sot, sepse planet e tyre për ta dëmtuar shqiptarinë, janë duke i realizuar vetë elitat politike shqiptare. Madje ata edhe nuk kanë nevojë, të bëjnë harxhime si dikurë, duke investuar në projekte antishqiptare, por mjafton të lusin Zotin që shqiptarët sa më gjatë të mbetet nën sundimin e trinisë së fatkeqësisë së tyre: Shqipëria në duart e ‘Rilindjes’, Kosova në kthetrat e ‘Klanit Pronto’, e shqiptarët e Maqedonisë në baltën e injorancës politike dhe të hajdutërisë së BDI-së.

Armiqtë e shqiptarisë sot i ndihmon edhe mos larja jonë e borxhit ndaj ardhmërisë: mospastrimin e të sotmes sonë nga pisllëku politik, ku na zhytën partitë tona politike. Pra ata i ndihmon realizimi i njërit nga kushtet më të rëndësishëm për vetë shkatërrimin e një populli: asgjësimin e më të vlefshmen që ai ka – rininë e tij, e që më së lehti arrihet, o duke ia ndaluar shkollimin, me çka ajo do kriminalizohet, o duke ia degraduar sistemin arsimorë deri në ato përmasa ku ka arritur sot arsimimi shqiptarë – të prodhosh të shkolluar e të paditur, të cilët tërë jetën do e mbjellin farën e injorancës dhe do ndjehen inferior ndaj moshatarëve të vetë të etnive tjera.

Pa dyshim se të gjithë qendrat antishqiptare sot i kënaq e vërteta se në Shqipëri, e keqja nuk krahasohet me të mirën, por me më të keqen e jetuar në të djeshmen, se ‘hajdutokratët’ e Kosovës më lehtë merren vesh me politikanët serb, se me njëri tjetri dhe se shqiptarët e Maqedonisë, ka vite që kalben në gropën septike të pisllëkut politik, që e prodhuan qarqet politike e policore maqedonase, por kapaku i së cilës grope janë politikanët shqiptarë.

Dhe me çka del se shqiptarisë së sotme nuk ia marrin frymën armiqtë e huaj, por atë e ngulfasin duart e kriminelëve dhe të hajdutëve tanë, se atë sot është duke e mbytur ligësia shqiptarë

Në të mirën e dashakeqëve të shqiptarisë, punuan edhe disa qarqe Perëndimore, që kurrë nuk kërkuan nga udhëheqësit tanë që ata të ndërtonin shtete ligjore dhe institucione demokratike, por shoqëri ‘stabilokrate’, me çka shqiptarët i lanë në duart e leninistëve dhe hajdutëve që kishin ‘muskuj’ por e jo edhe ‘kokë’, që nuk dinin gjë tjetër përpos partinë ta barazonin me popullin dhe shtetin, pra shqiptarinë e dëmtuan edhe disa qarqe perëndimore, të cilave u duheshin partner që me gënjeshtra dhe dhunë, do e mbanin nën kontroll pakënaqësinë e shqiptarëve, gjë që në Shqipëri më së miri mund ta bënte ‘Rilindja’, e cila krimin dhe veprimtarinë mafioze i ngriti në rrafshin e vlerave politike, si dhe injorantët partiak të Kosovës e të Maqedonisë, që e plaçkitën popullin, por duke e mbuluar fytyrën e vet të hajnit, me emblemën e shenjtë të UÇK-së.

Kundërshtarët tanë sot janë më të kënaqur se kurdoqoftë më parë, sepse e kanë kuptuar se shumica e politikanëve shqiptarë të kudondodhur, vlerë dhe dëshmi të vetmen se janë demokratë e properëndimorë, i kanë fotografitë me burrështetasit dhe diplomatët e huaj, të cilat fotografi i mbajnë nëpër zyre krahas atyre të familjarëve të vet, mbase ngaqë e dinë se vetëm ato foto, sadopak mund ta mbulojnë të vërtetën se janë pjesëtarë të familjes së madhe hajdutokrate, pjesëtarë të nëntokës politike, nëntokë e cila ‘Shqipëritë’ tona i bëri të pabanueshme për rininë dhe i zbrazi ato, nëntokë politike që trojet shqiptare i bëri vende pleqsh, ku ka kush të vdesë, por jo edhe kush të lindë fëmijë.

Sot i fërkojnë duart ata që nuk ia duan të mirën shqiptarisë, sepse e shohin se ne ndërtuam shoqëri të ‘tallava’ vlerave, shoqëri në të cilat diplomon e doktoron xhepi e jo koka, ku ‘këndon’ trupi e jo zëri, ku lajmës më i vlerësuar është ‘tellalli’ partiak, shoqëri të cilat është duke i mbuluar ‘tallava’ arsimimi, ‘tallava’ gazetaria, ‘tallava’ politika…, me çka kanoset rreziku të bëhemi ‘tallava’ popull.

Dhe siç janë katandisur punët, duket se nuk është e largët dita kur ne do na përfshijë malli për ‘baballarët’ e socializmit, kur do nisë ata të na duken si ‘heronj kombëtarë’, në krahasim me hajdutët dhe banditët e sotëm që i drejtojnë ‘Shqipëritë’ tona, pra duket se nuk është e largët dita kur do na duken më të mirë ‘Xhaxhallarët’ e dikurshëm stalinistë, që nuk e tradhtuan shqiptarinë pse ishin të joshur nga përfitimet personale, por ose shkaku i verbërisë ideologjike dhe karrierizmit, ose pse ishin të shantazhuar për çështje që kishin të bëjnë me amoralitetin e tyre, për dallim nga ‘hajdutokratët’ tanë të sotëm, të cilët të veshur me petkun properëndimorë dhe të atdhetarisë, e shitën të sotmen dhe të ardhmen e popullit që përfaqësonin, vetëm për interesa personale.

Ku ta dish, mbase e vetmja gjë që sadopak ua prish gjumin dashakeqësve të shqiptarisë, janë miqtë tanë të huaj, që shpeshherë të lënë përshtypjen se populli ynë u dhimbset më shumë se sa burrështetasve që vetë ne i kemi zgjedhur. E me çka del se ne jemi duke e plotësuar edhe kushtin e fundit të vetë shkatërrimit, kushtin që e ngërthen në vetvete thënia e njohur se një populli që voton mashtruesin, të korruptuarin, hajdutin dhe tradhtarin, ai popull nuk është viktimë por bashkëpunëtorë i tyre.
Andaj lirisht mund të thuhet se përderisa shqiptaria është në duart e ‘Rilindjes’, të ‘Klanit pronto’ dhe në ato të hajnave leninistë të BDI-së, ajo nuk është e rrezikuar nga qarqet e huaja antishqiptare, por nga vetvetja.

Artikulli paraprakZbythet Rama, policia liron kreun e FRPD Shkodër
Artikulli tjetërKLSH konstaton skandalin e madh: Si AKU i pagoi 3.3 miliardë lekë kompanisë pa ndjekur gjyqin