Në një kohë që Kuvendi miratoi dje projektligjin me procedurë të përshpejtuar për prishjen e Godinës së Teatrit Kombëtar, një pjesë e mirë e artistëve nuk dorëzohen, duke kërkuar me çdo kusht që të ndalin të keqen.
Së fundi, një nga mbështetësit e kauzës për mbrojtjen e Teatrit, shkrimtar dhe përkthyesi i njohur, Rudi Erebara ka kërkuar ndihmën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të mbrojtur artin nga mafia.
Në një postim publik ai i bën thittje Berishës që të dalë publikisht në mbrojtje të kauzës së aktorëve, dhe ky mesazh i është dërguar dhe në komunikim personal ish-kryeminstrit.
Reagimi i Erebarës
Zotit Sali Berisha,
I nderuar, ish president, ish kryeministër i Shqipërisë. Jeni në dijeni të përpjekjes së mafies në pushtet për të shembur Teatrin Kombëtar, ku herën e fundit jemi takuar bashkë në shfaqjen “Shtrigat e Salemit” të Arthur Miller, vënë në skenë për mrekulli nga trupa e këtij teatri, nën regjinë e Spiro Dunit. Unë isha aty, thjesht se përktheva veprën e autorit.
Duke qenë se kulisat gjithmonë i kam urryer, kam përshtypjen po aq sa edhe ju, marr guximin, siç do të thoshte Ushtari i Mirë Shvejk, përkthyer nga babai im, Gëzim Erebara dhe miku i tij Tonin Bushati, t’Ju ftoj, të Mbroni Teatrin Kombëtar nga mafia, si një qytetar edhe artdashës i shquar.
Rudi Erebara, piktor, shkrimtar, përkthyes