Shkrimtarja Açka: PD duhet të fitojë, Shqipëria është e lodhur dhe po vuan një depresion të injektuar

Flutura Açkën deri tani e kemi gjetur nëpër libra, por tashmë drejt një sfide të re, duke vendosur që të kontribuojë në politikë brenda sistemit. Ku e ka burimin zanafilla e përfshirjes suaj në Partinë Demokratike?

Pavarësisht se nga jashtë sistemit, unë jam marrë në një mënyrë apo në një tjetër me politikën; fundja vetë njeriu është qenie politike, për sa kohë jeton në komunitet dhe ka qasjet e tij mbi sjelljet shoqërore, mbi drejtimin dhe organizimin e saj dhe në hapësirën e politikës në të. Si një natyrë e paqetë ndaj njollave të errëta që e kanë shoqëruar në këta tridhjetë vjet demokracinë shqiptare, kam qenë e pranishme me shqetësimet e mia “politike” përderisa e kam gjykuar atë. Në shoqëritë e emancipuara kjo është një rutinë, ose e thënë më saktë, detyrë e elitës mediatike, letrare, artistike, ajo e ka për detyrë t’ia kujtojë politikës gabimet, dhe politika modestinë t’i pranojë dhe t’i ndreqë. Kjo nuk funksionon ndër ne, ndoshta sepse jemi ende një demokraci e brishtë që po ndërtohet përmes një tranzicioni të ngadaltë, të turbullt e të lodhshëm, që i ka shtyrë shqiptarët shpesh të kthehen në nostalgjikë të së shkuarës së tyre të errët, kur po të citoj ata “kishte shtet”, edhe pse nuk ishte shtet që u shërbente atyre.

Kjo klisheja e një shteti pa shtet, po e bjerr durimin tonë për ta çuar deri në fund tranzicionin. Nga dita e parë e vokacionit tim të qartë politik në shërbim të demokracisë, dhe këtu po flas për reportazhet e mia të para si gazetare e re pak ditë para kthesës historike të marsit 1992, kanë kaluar dekada, dhe ne jemi kthyer në pikën zero në nivelin e demokracisë sonë. Kemi rrugë më të shtruara, veshje më të bukura, ekrane më me shkëlqim, por kemi cenuar parametrat elementarë të asaj që thirret politikë, e që nënkupton shërbim ndaj qytetarit. Politikë te ne do të thotë mundësi për pasurim, mundësi për vila, mundësi për privilegje; kjo është vjellëndjellëse.

Sa besoni se një shkrimtare e “ndjeshme”, do të mund të përshtatet me ashpërsinë e politikës?

Ja përmes asaj ndjeshmërie që përmendni në pyetjen tuaj, unë kam aq ndjeshmëri sa të kuptoj hendekun mes meje dhe tjetrit, atij tjetrit që të ka besuar votën, shpirtin dhe jetën e tij. Ai tjetri, qytetari, nuk kërkon luks, as privilegje, por një jetë normale. Ndoshta unë nuk kam asgjë në dorë të ndryshoj, por kam fuqinë dhe mirësinë të dëgjoj, dhe ta përcjell zërin e tij duke e përfshirë në shqetësimin tim njerëzor. Kjo ndjesi, që ju mund ta lexoni si “qetësi mrekullitëse”, më vjen ngaqë nuk kam asnjë ngasje materiale, publike apo eterne. Këto paradigma që e drejtojnë dhe e mundojnë njeriun e gjallë, tek unë janë fashitur tashmë; jam një qenie e bërë e që i ka mbaruar kërkesat. Unë besoj se nuk përshtatem dot me modelin klasik të politikës, atë model që kemi ndërtuar ne, së paku. Kjo ngaqë njoh edhe një model tjetër, atë të parametrave të botës perëndimore ku jam barabitur njëzet vite. Kam qenë te të gjitha protestat e shoqërisë civile, që nga ajo e liqenit artificial e këtej, por shembja e Teatrit Kombëtar, i shembi edhe iluzionet e mia të fundit se ndryshimi mund të vijë nga jashtë.

Nuk mendoja se pas ikjes së tim Biri do të më trondiste në këtë jetë ndonjë gjë më, por atë ditë kam qarë. Kështu e kapërceva Rubikonin, por jo si Çezar që do të pushtojë syerrur nga amoku i pushtetit, por të mund t’ia vështirësoj politikës uzupimin e plotë të jetës sonë shoqërore. Ajo ka marrë aq shumë territore në jetën tonë, sa është tronditëse; ajo është shkëputur kaq shumë nga toka e saj, sa i ngjan një balone farfuritëse; ajo ka mjelë kaq shumë nga kjo shoqëri, sa e ka kthyer veten në armike të saj. A mund të ndryshojë kjo? Ngadalë, por mund të ndryshojë, dhe duke vëzhguar nga larg një grup vajzash e djemsh të rinj që drejtojnë sot PD-në, kam krijuar përshtypjen se do të sjellin një frymë të re drejt këtij modeli, politikanë të qetë, që argumentojnë, që nuk gërçasin, të papërlyer, një pjesë e të cilëve kanë studiuar jashtë dhe që ngjallin besim.

A ekziston frika se pena juaj tashmë e konsoliduar do të kthehet në një shije të athtë, për shkak të mjedisit ku ju po hyni, siç është politika?

Në fakt pena ime është e athtë, veç në u ngjeftë në shërbet! Nuk e besoj këtë, por po të përdor një shprehje të Adem Demaçit “pushteti është drogë e fortë”, do të vaksinohem në kohë nëse shoh ndonjë shkarje të vetes. Ftesa e Partisë Demokratike ishte shumë e sinqertë, kërkonte prej meje atë që unë isha, jo atë që duhej të isha dhe kjo nuk ka përse të ndryshojë. Unë nuk e shoh të qenët deputete (nëse fati e ka thënë të jem pasi të kenë folur votuesit) si pushtet, por si shërbim. Nja dy miq të mi holandezë kur u thashë se po e bëja këtë kapërcim, vunë duart në kokë, pasi unë nuk do të kisha kohë të merresha me letërsi prej rraskapitjes që të jepte deputetllëku. Natyrisht, ashtu e dinë ata këtë punë, rraskapitëse. Unë pata zor t’ua shpjegoja se çfarë dizajni dhe stofi ka deputeti shqiptar në sytë e publikut shqiptar dhe që sa larg është nga modeli europian. Për shkak të këtij modeli njerëzit e letrave, artistë e specialistë të shkëlqyer të fushave të ndryshme, kanë drojë të hyjnë në politikë, sepse rruga është bërë kaq pis, sa nuk i shpëton dot stërpikjes. E di riskun tim, por penën nuk besoj se do ta sheqeros lehtë, dhe ky nuk është një betim fals i thënë shkarazi, por nevojë për të mbetur dhe për të vdekur vetvetja.

Cilat janë njohjet tuaja me kreun e opozitës Lulzim Basha; cili është momenti i ftesës së tij për t’u angazhuar në PD?

Unë nuk kam njohje të afërta me z. Basha, e kam takuar rastësisht në ndonjë panair libri. Emrin e tij e kisha dëgjuar mes studentëve shqiptarë në Utrecht në kohën që unë u lidha me Holandën, pra jetonim në një qytet, por nuk kam pasur rast ta takoj atje. Në një bisedë të tillë të rastit për librin më pyeti në isha e gatshme t’i shërbeja demokracisë dhe ftesa serioze erdhi në zgjedhjet e vitit 2017, por unë nuk isha e përgatitur. M’u deshën thuajse katër vite ta mendoja vendimin tim. Kjo pasi kërkesat nga e djathta kanë qenë të shpeshta në këta tridhjetë vite, por e marrosur pas hobit tim dhe nga droja e ruajtjes së zërit tim, kam hezituar. Në fakt ende nuk jam mësuar me këtë realitet të ri, të qenit e ekspozuar krejtësisht, në përballje me shqiptarin e thjeshtë, me përditën substanciale shqiptare.

Është një botë krejt ndryshe nga vetmia ime që thuajse më ka plakur, nga bota paralele që ndërtoj përditë me komoditetin tim të pagjykueshëm; kjo jetë e re kërkon tjetër energji, një përkushtim gati sublim. Dhe kam kaluar nëpër të vetëm pak ditë, por e mjaftë për të kuptuar se si funksionon zemra e demokracisë, se si njerëz të thjeshtë i bashkon vetëm ideali. Kjo më ka prekur shumë. A mund t’i tradhtosh kaq lehtë këto qenie të dashura që të shohin në sy, që kanë besim se ti do t’ua kuptosh brengën: papunësinë, varfërinë, diskriminimin, sorollatjen, fyerjen? Nuk e di, nuk besoj, veçse në ndryshofsha ADN.

A i njihni strukturat e partisë, pasi ju kandidoni si e dyta në listën e PD-së në qarkun e Elbasanit? Si e kanë pritur kandidimin tuaj pjesa tjetër e kandidatëve?

Njoh shumë nga strukturat e të dyja partive, i kam pasur miq në rrethana jashtë partive, por nuk e njoh se si funksionon zemreku i partisë. Po e njoh përditë e nga pak. Natyrisht, pozicioni im në listë duket si i sigurt, por nuk është shumë etike të mjaftohesh me kaq. Të duhet të provohesh me ngarkesë të plotë, t’u japësh besimin që të të besojnë. Në aq pak ditë që jam pranë këtij pulsi, kam ndier një entuziazëm të dukshëm prej pranisë sime dhe kolegëve të mi, fundja pavarësisht radhës së listës, të gjithë kemi një detyrë kolegjiale dhe punojmë në ekip: të sjellim fitoren e PD-së dhe të koalicionit opozitar në zgjedhjet e 25 prillit.

Nuk e di se ç’mendojnë kandidatët e tjerë për mua, atë që di është se mes nesh ka një kimi përbashkuese, kimi që na e imponon edhe ai puls njerëzor për të cilin ju fola. Natyrisht, të sjellurit e mi me fushatën, për nga natyra, por edhe nga mungesa e përvojës, nuk është si e tyrja, e cila është tipike politike dhe në këtë mes atyre u duhet të kompensojnë shumë këtë “mungesë” të nervit tim tipik politik, sikurse unë plotësoj ekipin me qëndrimet e mia publike, fushë ku luaj lehtësisht prej tridhjetë vitesh. Me këtë qasje të re në jetën time besoj se vetëm kam shtyrë kufijtë e mi publikë kah fusha e së mundshmes, siç është politika.

Cilët nga politikanët e PD-së i njihni më tepër?

Njoh disa prej tyre, një pjesë janë lexues të përhershëm të mi. I kam miq në marrëdhënie distante, të kujdesshme, rrallë për kafe. I kam pasur përherë telefonat e tyre, por kurrë nuk u kam rënë. Jam njeri i tërhequr dhe nuk jam natyrë qokash, as nuk kam pasur kurrë kohë e nevojë të fitoj simpatira. Kam pasur përherë punën time që më ka bërë njeri të lumtur e të plotësuar. Kalimin te territoret e politikës e kam bërë nga shumë arsye, të cilat ndonjëherë do të më duhet t’i rrëfej gjatë dhe bindshëm, dhe ngaqë janë shumë dhe shumë personale, do të më duhen më shumë rreshta për t’i shpjeguar.

Vite më parë ju jeni shprehur se “të bërit opozitë do edhe sharm, edhe mend, edhe ndershmëri”, si një reagim ndaj mospërfshirjes së Jozefina Topallit në listat e PD-së në 2017. Pas 4 vitesh, a besoni se PD-ja po shkon drejt pushtetit me mend dhe ndershmëri, pse jo edhe me sharm?

Po sigurisht po shkon, sepse besoj ka mësuar nga gabimet e veta të kohës së pushtetit dhe nga gabimet e veta gjatë të bërit opozitë. Nuk ka qenë e thjeshtë të bëje opozitë në kushtet në të cilat u katandis shoqëria dhe shteti shqiptar vitet e fundit. Pa asnjë institucion drejtësie në këmbë, me një parlament që i bënte të qeshnin edhe qentë e rrugës nga niveli mjeran (me ndonjë përjashtim të vogël) i të bërit politikë, me një nivel të shkatërruar të marrëdhënieve president-këshill ministrash-parlament-opozitë, me një polici të vënë e gjitha në shërbim të pushtetit, me një medie të pambrojtur para presionit të pozitës në pushtet, me një uzurpim të paskrupullt të të gjitha fushave dhe kthimin e administratës shtetërore në një hienë grabitëse të xhepave të shqiptarëve, me një grusht njerëzish që shembin teatro e mbjellin vetëm beton, me një ethe të uzurpimit nga propaganda të të gjithë hapësirës sonë mediatike e shoqërore, me trajtimin e opozitës jo si pjesë të demokracisë por si armike të popullit, me krijimin e opozitave false shpesh me para të pista, si mund të jemi një Shqipëri e dinjitetshme? Jemi një Shqipëri e sikletshme, aq sa i shtymë me mijëra djem e vajza të mos e donin më atë dhe ta braktisnin. Është trishtim i madh të bësh këtë enumeracion. Këto fjalë që po ju them, janë shenjë e besnikërisë ndaj vendit, të cilën e kam të përhershme, siç thotë Mark Tuein, sepse atë ndaj qeverisë, kjo e jona nuk e ka merituar.

Si e konsideroni listën e PS-së për garën e 25 prillit? Po përfshirjen e dy zonjave, Luljeta Bozo dhe Najada Çomo?

Nuk e njoh mirë listën e tyre, dhe një pjesë të tyre i njohim mirë të gjithë, çfarë mund të bëjnë veç në vazhdofshin zullumet e tyre. Më kanë pyetur shpesh për dy zonjat e nderuara në profesionin e tyre. Është një zgjedhje e menduar apo emocionale e Ramës, nuk e di, varet nga Ora e tij e atij çasti kur e ka menduar. Nëse Ora i ka thënë se këto dy zonja do t’ia pastrojnë veshtullinë e errët të dy çështjeve më të mëdha të ditëve tona: Korona e Tërmeti, ka qenë shumë emocional, sepse në këto dy gjëra qeveria nuk ka asgjë për t’u lëvduar, veç paaftësisë së saj të plotë. Nëse Ora i ka thënë se këto dy zonja të nderuara duhen shpërblyer për punën e shkëlqyer që është bërë, ka qenë në delir, dhe duhet kuruar. Këtë përgjigje e jep vetëm ai vetë. Dhe përgjigjja ime nuk ka fare të bëjë me nderimin tim me figurat e tyre si profesioniste në fushat e tyre.

A jeni entuziaste për rolin e femrave në politikën shqiptare? Sipas jush, a po arrijnë ato suksesin e duhur apo po keqtrajtohen nga politika?

Ngaqë sapo ju fola për dy zonja të nderuara, nuk po e vazhdoj gjatë këtë shtjellim. Ju mjafton sulmi i paturpshëm ndaj zonjave të opozitës pas ditë më parë, për të kuptuar se në çfarë niveli trajtimi ndaj zonjave jemi. Në një vend të qytetëruar jo vetëm që kjo nuk mund të ndodhë, por sikur hipotetikisht të ndodhë, kryeministri do të ishte së paku jashtë politike, për të thënë më të voglën. Dhe ta shpjegosh këtë me “sarkazëm politike” e bën edhe më të shëmtuar.

Me kë kujton se flet ky njeri? A nuk e di ai se të tillë sjellje prej klouni, e bëjnë të padurueshëm para publikut?! Edhe kur dikur kanë dalë fotot e tij nudo, nuk më ka pëlqyer fare dhe më është dukur akt i shëmtuar. Ka nervozizëm të madh ky njeri, por nuk më habit fare fare. Ju kujtoj, në fjalimin e tij të parë si kryeministër, ai përdori fjalën “alpin” dhe qysh atë ditë nuk kam pasur më iluzione për të. E kam ditur.

Sipas jush, a arriti Edi Rama në lartësinë e të qenit një burri shteti?

Po ç’burrë shteti! As katundi jo, meqenëse shpesh Shqipërinë e ka thirrur vetë kështu. Z. Rama më kujton Princ Vidin, për të cilin një nga oficerët holandezë u shpreh se “nuk mundte dot të menaxhonte gjatësinë e vet”, por ndryshe nga ai, kryeministri ynë nuk mund të menaxhojë egon e vet, atë “yllin te vendi që nuk thuhet”, siç ka shkruar dikur për veten te revista “Përpjekja”.

Unë kam shpresuar shumë dikur te Rama, unë dhe plot miq të huaj të përbashkët që kemi, ngaqë jemi të një brezi. Do të kisha pëlqyer një Ramë që të meritonte nderim prej shqiptarëve, që kurdo të ikte, të ikte i pëlqyeshëm nga të gjithë si një burrë shteti. Nga kjo kam keqardhje, aspak lumturi, fundja është kryeministri im. Nuk kemi kohë këtu, por mund t’jua shpjegoj edhe këtë shumë gjatë.

Lulzim Basha, a besoni se është kryeministri i duhur për ta nxjerrë vendin nga gremina?

Është europian, i qetë, i qeshur, nuk ka ndonjë histori grushti me të dashurat, merret me argumentin. I ngjan kryeministrit tim holandez. Të paktën, aq sa shoh unë. Nuk ka pamje pashai apo bejlurçine. Shqiptarët, nëse duan të vazhdojnë me pashallëqe, në dorë e kanë, dhe janë në të drejtën e tyre.

Në gjykimin tuaj, Ilir Meta a është presidenti më konfliktual me qeverinë?

Nga bashkëpunimi që kanë pasur dikur, nuk duhej të ishin në konflikt, fundja kjo qeveri e ky pushtet e zgjodhi. Por konfliktin ia imponoi qeveria përditë, dhe jo vetëm atij, por të gjithë neve. Dilni në rrugë e pyesni njerëzit, a kanë konflikt me qeverinë: te kadastra, te spitali, te legalizimi, te prona, tek energjia, tek uji. Konflikt i hapur…

Sali Berisha, i pesti në listën e PD-së në Tiranë; sipas jush, vazhdon t’i inspirojë demokratët drejt fitores?

Natyrisht, ka një fashë njerëzish që e adhurojnë me çmenduri, unë nuk hyj tek ata. Do të kisha dashur ta shihja një senator të urtë që na duhet shumë, por është vendim i tij. Atë që di të them, është se Sali Berisha është prej atyre lexuesve që botuesit do të duhet ta adhuronin: një makinë leximi dhe memorieje mahnitëse, që rrallë e ka ndonjë politikan shqiptar.

Si e vlerësoni Monika Kryemadhin, si lidere e një force politike dhe si një politikane ‘luftarake’ dhe gjithnjë aktive?

Nuk e njoh mirë, për të mos thënë që nuk e njoh fare. Por e njeh politikën dhe afron të rinj.

Çfarë do të jetë përparësi në aktivitetin tuaj politik?

Është shpejt ta them, por natyrisht do të më pëlqente të shqetësohesha për çështje që kanë lidhje me kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Dhe ekskluzivisht për qytetin tim të lindjes, Elbasanin.

Si do e ndani jetën tuaj mes Holandës dhe Shqipërisë? Cilën pasaportë nuk do të hiqni tashmë nga çanta?

Vitet e fundit kam jetuar më shumë në Shqipëri, kjo është edhe arsyeja pse e kisha kohën dhe mundësinë e një vendimi të rëndësishëm si ky. Jam qytetare e të dyja vendeve dhe në të dyja, besoj, jam një qytetare e denjë.

Si e shikoni aktualisht Partinë Demokratike, a besoni se ngjall shpresë për shqiptarët?

Pa dyshim! Deri dje e shihja më nga larg, tani e shoh nga afër dhe imët. Edhe pyetja juaj ka dyshimin e asaj farës që ka mbjellë Rama mes nesh, që e djathta është e paaftë. Me këtë formulë të gatuar në magjen e tij të zbrazur nga premtimet e parealizuara, po kërkon t’ua veshë shikimin shqiptarëve. PD është organizëm i gjallë ku ka plot të rinj të gatshëm për të qeverisur dhe plot të tjerë me përvojë që të mos i lënë të gabojnë. Është mirë dhe e nevojshme për higjienën e demokracisë ndryshimi. Nëse shqiptarëve u pëlqejnë të vazhdojnë me batuta dhe bark të zbrazur, janë në të drejtën e tyre të vazhdojnë me regjimin që kanë mbi krye. Ata vendosin, vetëm nëse vota nuk u vidhet.

A besoni se PD-ja do të jetë fituesja e zgjedhjeve të 25 prillit?

Po, besoj. Ka ardhur koha, jo vetëm për PD-në, por për shoqërinë shqiptare të freskojë ajrin e ndotur të shtëpisë së saj. Shqipëria është e lodhur dhe po vuan një depresion të injektuar nga një qeveri në depresion, që ka vetëm dy-tre fortafolësish, dhe kaq. A shkohet në Europë me të tillë shkarravinë shtetërore?/GSH.al

Exit mobile version