Shkrimtarja e njohur shpërthen ndaj Ramës: Është kthyer në makthin e shqiptarëve, po s’na u binde e di ç’të pret….

Shkrimtarja e njohur, Elvira Dones përmes një shkrimi në mediat sociale, ka komentuar gjendjen në të cilën ndodhet vendi, duke marrë Teatrin Kombëtar si një shembull të rëndësishëm rezistence që dëshmon që në këtë vend ka ende shpresë. Aleanca për mbrojtjen e teatrit i ka bere jehone, mesazhit te saj.

Nga Elvira Dones

Erdhën në pushtet si shpresa e re e Shqipërisë. I vunë vetes një emër të bukur e domethënës: Rilindje.

U treguan të shpejtë në ngrënien e premtimeve. Rilindja u zbeh e u zvordh e u nëpërkëmb me shpejtësi rrufeje.

Sot kanë vënë një vend e popullin e tij në gjunjë. Ia kanë vrarë frymën, ia kanë lodhur shpirtin përtej çdo imagjinate.

I kanë hedhur para syve popullit ca ngjyra e ca lulka, ca imazhe të filmuara e orkestruara me mjeshtëri artistike. Fasada të zbrazëta, gënjeshtra në ditë të diellit imponuar me agresivitetin e një bande prej Far West.

Po s’na u binde, e di se ç’të pret. Nëse nuk je dakord, o popull, është faji yt që nuk e sheh madhështinë tonë, sepse nuk ke instrumentat për të kuptuar. Ne jemi kaq përpara në vizion sa ti, o popull bukëshkalë, nuk na rrok dot. Kështu që rri urtë, nëmospo të bëjmë të vdesësh, pa të vrarë me plumb.

Të vrasim me kotheren e bukës, me pjatën e gjellës në darkë për fëmijët. Të shantazhojmë e frigojmë me vëllain a motrën që ta heqim nga puna, të djegim tokën rreth e rrotull.

Erdhën në pushtet si qeveria e Rilindjes. Sot janë Qeveria e Riciklimit, të shumëanshëm, Qeveria e Parave të Qelbura. As më shumë as më pak.

Sot janë makthi i një vendi, i çdo vendi që do kish fatkeqësinë t’i kish sipër kokës. Por me pasqyrën këta njerëz kanë një marrëdhënie të çuditshme; e shohin veten të bukur.

Kush nuk i sheh kështu është idiot, antishqiptar, naiv, i shitur tek opozita – në më të mirën e rasteve.

Kush nuk ua bën të lehtë yryshin e gllabërimit, duke i bërë t’u hasë sharra në gozhdë – duke i bërë shumë nervozë – etiketohet si trushpëlarë, i çmendur e epitete të tjera, njëri më me spec se tjetri.

Studentët më parë, dhe qëndrestarët e Teatrit Kombëtar sot treguan e po tregojnë se Shqipëria ka ende një puls që rreh. Edhe sikur vetëm njëri prej qëndrestarëve të mbetet në atë fushë beteje, ai njeri i vetëm do t’ju tregojë, zotërinj, se Shqipëria që po mbysni nuk ka vdekur. Jo ende.

Exit mobile version