Shoferët e autobusëve të linjave ndërqytetase kanë ndaluar punën ditën e djeshme dhe janë ngritur në protestë kundër asaj që ata vetë e quajnë padrejtësi që po u bën Ministria e Transporteve. Në shumë qytete të vendit është paralizuar lëvizja e këtyre mjeteve e si pasojë mjaft udhëtarë kanë ngelur pa shkuar nga njëri qytet në tjetrin. Nga Korça autobusët nuk janë nisur për në Tiranë dhe destinacione të tjera mëngjesin e sotshëm.
Sa i takon terminalit të Jugut në Tiranë, ai ka qenë i mbushur me autobusë që nuk lëviznin nga vendi, shoferë që protestonin si dhe turistë të interesuar për të shkuar në destinacione turistike në jug, por edhe udhëtarë të tjerë. “Kemi tre orë këtu te terminali i Jugut për në Vlorë po autobusët janë në grevë. Ka shumë të huaj që kanë ardhur për turizëm dhe duan të shkojnë në Jug, po jemi dhe ne të tjerët që kemi hallet tona e s’po lëvizim dot. Ata protestojnë, sepse Ministria e Transportit në ikje do të japë licenca të reja, kanë ndryshuar kushtet”, thotë një qytetar.
Protesta 1 ditore erdhi për shkak të një vendimi të fundit të Ministrisë së Transporteve për shtimin e 80 linjave të tjera ndërqytetase. Sipas shoqatës, licencimi i 80 linjave të reja është i jashtëligjshëm dhe çon në faliment 360 linja aktuale. “Na çon në faliment. Janë linja paralele që hapen”, thotë Nexhdet Dalipi, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Ndërqytetas.
Të kundërtën mendojnë qytetarët, të cilët shtimin e autobusëve e shohin në favor të tyre. “Sa më shumë të shtohet aq më mirë është”, thonë qytetarët.
Nga protesta u prekën edhe turistë të huaj. “Jam shumë e shqetësuar, sepse kam një avion për të marrë nesër në mëngjes nga Korfuzi dhe duhet të shkoj në Sarandë sot të marr tragetin”, thotë një turiste. Shoqata Kombëtare e Transportit thotë se, nëse qeveria nuk tërhiqet nga shtimi i linjave të reja, protesta do të përshkallëzohet.