Shoferi i aksidentit makabër lihet në burg

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për shtetasin Andrea Memollari, autori i aksidentit makabër që i mori jetën 45-vjeçares, Dhurata Prifti. Ndaj 20-vjeçarit Memollari rëndojnë dy akuza, aksident me pasojë vdekjen dhe largim nga vendi i aksidentit. Vetë i riu ka shfaqur shenja pendesë në dëshmitë e dhëna prej tij. Ai ka deklaruar se e ka zënë paniku, ndaj është larguar nga vendi i ngjarjes.
Aksidenti i rëndë ndodhi ditën e mërkurë në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë dhe pamjet makabre janë regjistruar nga kamerat e biznesve pranë rrugës. Nga këto pamje vërehet viktima e cila pasi shpëton dy fëmijët e saj përfundon vetë nën rrotat e makinës së drejtuar nga Memollari.
Vetë ky i fundit rezulton person me precedentë të mëparshëm sa i takon shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ndaj tij, Gjykata kishte vendosur dënimin me 40 orë punë për përpjekjen për të korruptuar një efektiv policie që e kishte zënë në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Artikulli paraprakPse varianti i qeverisë shkel rekomandimet e Venecias
Artikulli tjetërShpërthen në flakë një makinë në Vlorë