Shoferi i Tahirit i dënuar për vrasje dhe grabitje

Shoferi i ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka qenë i implikuar në vrasje dhe grabitje. Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Kombinati i Tiranës, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, ku shkruan se, për këto akuza shoferi i Tahirit, Edmond Muça është dënuar me 18 muaj burg. Ai shkruan më tej se, Muça mban lidhje me Serezin e hashashit, Krenar Cenollarin etj.
Në një postim në Facebook Berisha shkruan se, shoferi i Saje qorrit i implikuar në grabitje dhe vrasje! “Qytetari dixhital denoncon: Saje qorrin se mbanë shofer Edmond Muçën, i cili është: – i implikuar në grabitje dhe vrasje  – Mban lidhje me Serezin e hashashit, Krenar Cenollarin etj. Pas badigardit të Saje qorrit që u akuzua që në fillim për vrasjen e Besnik Pudjas, tani është edhe shoferi anëtar i bandave kriminale!”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Mimëbrëma zoti Sali Berisha. Jam nga Kombinati, po të them një të vërtetë. Shoferi i tretë i Saje qorrit është Edmond Muça, i dënuar për pjesëmarrje në vrasje dhe grabitje. Ka bërë 18 muaj burg. Ka qenë në bandë me Eduart Ymerin nga Selita me pseudonimin “Kartela”. Dhe tani u bën presion njerëzve. Është i besuari i Saje qorrit, ka lidhje aktualisht me Serezin që u kap me hashash me Gent Alizotin, shoferin e Krenar Cenollarit. Të lutem anonim se më vihen mbrapa këto plehrat jo se i kam frikë, por të fusin në burg kot. Të lutem thuaja atij Saje qorrit se nuk merren votat me kriminelë ordinerë. Kjo që unë të shkruajta është e saktë me pikë e presje se e kam në lagje”, shkruan qyterari në mesazhin dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
Truproja i ministrit Tahiri, Elvis Rexha është akuzuar për vrasjen e 36-vjeçarit Besnik Pudja më 7 tetor të vitit të kaluar në një magazinë hashashi në fshatin Kollagjesh të Shëngjergjit. Ish-Kryeministri Berisha publikoi pak ditë pas ngjarjes një mesazh të mbërritur në adresë të tij nga një oficer policie, i cili shkruante se vrasja është kryer, ose është porositur nga Elvis Rexha, që është badigardi i ministrit Saimir Tahiri. “Oficeri dixhital hedh dyshime se: Dyshime tejet serioze ka hedhur në informacionin e tij se, badigardi dhe kryesekseri i Saje qorrit, Elvis Rexha mund të jetë dhe ekzekutori ose porositësi i vrasjes së Besnik Pudjas. Elvis Rexha është kryesori i parcelave të kanabisit në malësinë e Shëngjergjit! Të gjitha manipulimet, fshehjen dhe zhdukjen e provave të vrasjes së Besnik Pudjas i ka bërë drejtori i Drejtorisë së Policisë së Tiranes, Ervin Hodaj me porosi të Saje qorrit. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi implikimin direkt të Saje qorrit, sekserit të tij, Elvis Rexha dhe drejtorit Ervin Hoda, në këtë krim të shëmtuar dhe përpjekjen për të paraqitur ekzekutimin mafioz të Besnik Pudjas si vetëvrasje!”, shkruante Berisha në Facebook, duke publikuar të plotë mesazhin e oficerit të policisë.
“Pëshëndetje doktor. Jam një oficer i Policisë në Komisariatin Nr. 4 në Tiranë. Ju bëj me dije se, Besnik Pudja personi që u gjet i vrarë në hangarët e hashashit në fshatin Kallogjesh në Shëngjergj është mik dhe lidhje e ngushtë e Elvis Rexhës, badigardit dhe sekserit më të ngushtë të Sajmir Tahirit dhe e di e gjithë zona. E gjithë vendngjarja dhe servirja e rrethanave të rreme për këtë ngjarje është bërë me porosi të drejtorit të Tiranës, Ervin Hodaj, që të mos dalë e vërteta që mbas këtyre parcelave dhe kësaj ngjarje kaq të rëndë të mos dalë në dritë emri i Elvis Rexhës, që është kaq shumë i implikuar në atë zonë me parcelat e hashashit”, shkruante oficeri i policisë.
Policia njoftoi në atë kohë se, Besnik Pudja ishte vetëvrarë, por ekspertiza ka vërtetuar se në duart e viktimës nuk ka patur gjurmë baruti apo faktorë të tjerë plotësues. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur tre ditë më parë se, Besnik Pudja nuk është vetëvrarë, por është vrarë nga persona të tjerë për motive që mund të kenë lidhje me drogën.

Artikulli paraprakBilanci i 2016 në Tiranë: 18 të vrarë, 58 të vdekur e 4 grabitje bankash
Artikulli tjetërNë charterin e Bashkisë edhe Dabulla i Artës