Shokohet Japonia, i riu vret me thikë 19 persona, plagos 25 të tjerë

Japoni ka përjetuar një prej ngjarjeve më tragjike në dekada, teksa një 26-vjecar vrau me thikë 19 persona në një qendër ku trajtoheshin individët me aftësi të kufizuara, si dhe ka plagosur 25 të tjerë. Autoritetet mundën të arrestojnë e më pas identifikojnë autorin të quajtur Satoshi Uetmatsu. Ky i fundit ka qenë dikur i punësuar në këtë qendër ku trajtoheshin personat e sëmurë. Janë të moshave të ndryshme, ku më i riu është 19 vjeç ndërkohë që personi më i moshuar i ndarë nga jeta është një 70-vjeçar. Mjekët kanë bërë me dije se 20 nga 25 personat e plagosur janë në gjendje të rëndë dhe se do të duhet që qëndrojnë në ambientet spitalore për të marrë trajtimin e nevojshëm shëndetësor. Ata nuk e kanë përjashtuar mundësinë e rritjes së bilancit të viktimave. Ende nuk dihen motivet e këtij sulmi shokues, por në bazë të raportimeve paraprake, autori 26-vjeçar ka deklaruar se kërkonte që t’i zhdukte të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Në këto rrethana, autoritetet kanë nisur të vënë në pikëpyetje shëndetin e tij mendor, teksa po hetojnë për të zbuluar më shumë detaje për ngjarjen. Në momentin e sulmit, në qendrën ku ndodhi sulmi ndodheshin gjithsej 150 persona, ku tetë prej tyre ishin pjesë e stafit. Agresori është ndalur vetëm pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë. Ngjarja e rëndë ka tronditur mbarë opinionin vendas, pasi Japonia konsiderohet si një prej shteteve më të sigurta të botës. Një bilanc i tillë nuk ishte regjistruar në vendin ishullor prej shumë dekadash.

Exit mobile version