Shoqata e Gazetarëve në krah të Olldashit e Çollakut: Prokuroria të mos ndikohet politikisht në procesin e hetimeve

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë ka reaguar në mbështetje të gazetarëve Jetmir Olldashi dhe Basir Çollaku të përfshirë në procese hetimore të prokurorisë për shkak të detyrës.
Deklarata e plotw
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë po ndjek me vëmendje përfshirjen e dy gazetarëve investigativë Jetmir Olldashi dhe Basir Çollaku, në dy procese hetimore, ku figurojnë edhe emra politikanësh të lartë.
Jetmir Olldashi, gazetari i njohur publikisht se realizoi një intervistë me Albert Veliun dhe i siguroi mjetet për të realizuar një përgjim telefonik, ku pretendohet implikimi në trafik ndërkombëtar droge, i vëllait të ministrit të brendshëm, po përballet me masën “Detyrim paraqitje“, pasi akuzohet se ka synuar të denigrojë figurën e ministrit të brendshëm. Siç na informon, gazetari Olldashi është ndeshur me presion e kërcënime gjatë seancave të pyetjeve në prokurorinë e krimeve të rënda, për të treguar burimin e informacionit, që refuzon ta deklarojë, një e drejtë që ia njeh ligji, në këtë fazë të hetimeve.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë nxit prokurorinë, që teksa bën detyrën për të zbardhur sa më shpejt të vërtetën, të respektojë punën e gazetarit, aspak e lehtë, kur bëhet fjalë për një investigim që përfshin edhe politikanë të lartë, e në pushtet.
Me të njëjtën vëmendje po ndjekim edhe hetimin ndaj gazetarit Basir Çollaku, i paditur pas publikimit të një interviste, që realizoi me një nënkomisar policie, në proces azili politik në një vend të BE, që përmend gjatë intervistës emra politikanësh e zyrtarësh të lartë, e pretenduar se është kërcënuar me jetë, për të anashkaluar një rast të denoncuar dhune, nga djali i një deputeti të mazhorancës. Edhe në rastin e z.Çollaku, hetimi përfshin politikanë të lartë në pushtet dhe gazetari është paditur për kallëzim të rremë e shpifje, nga një politikan i lartë i mazhorancës në pushtet.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë nxit prokurorinë, që në procesin e zbardhjes së dy çështjeve, të respektojë punën investigative të gazetarëve Jetmir Olldashi e Basir Çollaku, e të mos ndikohet politikisht në procesin e hetimeve. Eshtë detyrë e çdo gazetari, investigimi e raportimi publik i rasteve kur ligji shkelet, apo abuzohet me detyrën, qofshin qytetarë, zyrtarë apo edhe persona në pushtet, e me imunitet.

Exit mobile version