“Shoqata e Gazetarëve Profesionistë” Kuvendi të reagojë për censurën

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Shoqata e Mediave Elektronike dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin indinjatën e thellë për aktin e paprecedentë të Televizionit Publik Shqiptar, që ndërpret sinjalin e transmetimit për mediat e tjera gjatë ceremonisë me rastin e Lumturimit të 38 martirëve  të Kishës Katolike nga Papa Francesku, që u mbajt sot në Katedralen e Shkodrës.
Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike është një ngjarje me interes mbarëkombëtar që mblodhi në qytetin e Shkodrës autoritetet më të larta të vendit, përfaqësues të Vatikanit e të komuniteteve fetare në vend. Ceremonia solemne u ndoq nga mijëra qytetarë në sheshin para Katedrales së Shën Shtjefnit, e miliona shikues të tjerë përmes mediave vizive.
Por Televizioni Publik Shqiptar, që si zakonisht në raste të tilla prodhon sinjalin për të lehtësuar konfuzionin që do krijohej nga prania e shumë kamerave të televizioneve të tjera, në mënyrë të njëanshme e me një akt banditesk e injorant, ndërpreu papritur sinjalin për televizionet që po e përcillnin ceremoninë për shikuesit e tyre. Pa e kuptuar rëndësinë mbarëkombëtare të kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, me një sjellje të padenjë, TV Publik e konsideron prodhimin e sinjalit të kësaj ceremonie, si një produkt të vetin, duke u hequr mundësinë mediave të tjera që ta përcjellin për shikuesit e tyre, si të ishte një ceremoni sportive a event artistik.
TV Publik që duhet të jetë modeli i informimit pa kufij të shikuesve, po shndërrohet në modelin e mendësisë së mbyllur, e krejt të paditur për rëndësinë e rolit të vet.
Tv Publik nuk mund të bëhet konkurent në treg me veprime të tilla që reflektojnë vetëm injorancë, por me përmirësimin e programeve që prodhon vetë. Nuk mund të jetë kurrë një ngjarje e tillë me rëndësi kombëtare, ekskluzivitet i transmetimit të një televizioni të vetëm dhe ligji e parashikon qartë si veprohet në raste të tilla.
Shoqatat tona i kërkojnë Komisionit Parlamentar të Medias, Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Këshillit Drejtues të RTSH, të analizojnë këtë shkelje të Ligjit të Medias dhe të marrin masa ndaj drejtuesve injorantë që urdhëruan aktin arrogant e të paprecedent të ndërprerjes për të gjithë televizionet e tjera të sinjalit të këtij evenimenti të rëndësishëm kombëtar.

Exit mobile version