Shoqata e Gjyqtarëve: Policia nuk procedoi vrasësin e gruas në Fier

Pas ngjarjes së Fierit që tronditi opinionin publik, kur bashkëshorti dhunoi dhe hodhi gruan e tij të zhveshur nga dritarja e pallatit, ka reaguar Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve. Shoqata është shprehur se, për këto ngjarje faji nuk i duhet drejtuar vetëm gjyqësorit, pasi përgjegjësinë kryesore e ka policia që nuk e procedoi vrasësin. Në një deklaratë për mediat, Shoqata e Gjyqtarëve ngre disa pyetje në lidhje me rastet e dhunës në familje: “Pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse Policia e Shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa”.
“Konstatojmë me keqardhje që për një periudhë të gjatë kohe nga faktorë të ndryshëm të vendit, kryesisht ata politikë, po hidhet baltë në mënyrë të parreshtur ndaj pushtetit gjyqësor. Një sjellje e tillë armiqësore e ka paraprirë nisjen e procesit të shumëpritur të Reformës në Drejtësi dhe po e shoqëron atë. Klima e nderë dhe e tensionuar që ekziston ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor, por mbi të gjitha mosbesim i qytetarëve në organet shtetërore, rëndohet edhe më tepër nga deklarata të tilla dashakeqe, të pabazuara dhe arrogante që kryhen ndaj sistemit gjyqësor”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Shoqata e Gjyqtarëve shprehet më tej se, problematikat që kanë lindur në lidhje me dhunën në familje, si një fenomen antisocial, edhe pse janë përpjekur të trajtohen si nga Shoqëria Civile, por edhe nga institucionet përkatëse shtetërore nuk kanë gjetur kurrë zgjidhje të përshtatshme. Zgjidhjet e pjesshme që janë ofruar, më tepër kanë çuar në rëndimin e fenomenit sesa në shërimin e tij. Si rrjedhojë, të gjithë ne, si pjesëtarë të shoqërisë, jemi përgjegjës për situatën aktuale të dhunës në familje, duke përfshirë institucionet ligjvënëse, ligjzbatuese, por edhe publikun e gjerë. Është e papranueshme që për një akt kriminal të fajësohet vetëm pushteti gjyqësor.
“Krimi në përgjithësi dhe krimi në familje, në veçanti, nuk ndodh vetëm, sepse Gjykata nuk jep gjykimin e kërkuar. Krimi është një sjellje antihumane dhe antiligjore, që ka shkaqet dhe pasojat e tij, e si i tillë duhet të trajtohet në mënyrë integrale. Referuar çështjes së rëndë të ditëve të fundit, askush nuk analizon shkaqet pse një krim i tillë ndodhi, por shumë syresh mundohen të varin në xhaketë medaljen e mbrojtësit të vlerave dhe denoncuesit të së keqes ose të lajnë duart, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja”, thuhet në deklaratë.
Nëse edhe gjyqësori do të reagonte me një shkallë të tillë papjekurie, atëherë ne do të shtronim pyetjet: pse nuk janë siguruar qendra sociale për strehimin e viktimave nga ministritë e linjës, pse Policia e Shtetit nuk kryen detyrën e saj, duke filluar procedimin penal ndaj autorit të dhunës në familje, apo pse nuk sigurohen banesa sociale për personat që vendosen të largohen nga banesa, si pasojë e marrjes së masave kundër dhunës në familje.
“Pyetje të tilla sigurisht që do të mbeteshin pa përgjigje, pasi siç u theksua problemi është shumë më kompleks nga sa trajtohet. I ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët shtetërorë, median, por edhe opinionin publik, që nga ngjarje të tilla kriminale të nxjerrim mësimet e duhura dhe secili prej nesh të kërkojë përgjegjësitë e veta. Gjithashtu, i ftojmë që problemin ta trajtojnë me gjakftohtësi dhe të mos hedhin akuza përbaltëse ndaj sistemit gjyqësor. Në të njëjtën kohë, i kujtojmë funksionarëve ekzekutivë dhe politikë që gjykatat janë të pavarura dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Çdo përpjekje për të cënuar këtë pavarësi vjen në kundërshtim me vlerat më të larta demokratike, të cilat synojmë t’i mbrojmë dhe promovojmë. Në fund na lejoni t’iu ftojmë për të qenë më të përgjegjshëm në trajtimin e rasteve të ngjashme dhe të mos nxitohemi për të hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit. Kjo, jo vetëm që nuk do ta zgjidhte problemin, por nga ana tjetër, do ta rëndonte atë dhe do të acaronte klimën tashmë të tendosur ndërmjet pushtetit politik dhe atij gjyqësor. Në këtë kontekst, një sjellje e tillë do të minonte një nga reformat më të rëndësishme që po kryen vendi ynë në këtë çerekshekull demokraci, atë në sektorin e drejtësisë, duke i dhënë sakaq ngjyrime të gabuara, të cilat do ta dëmtonin në themel besimin reciprok dhe çka është më e rëndësishme besimin e publikut në organet shtetërore, çka përbën gurthemelin e ndërtimit të shtetit të së drejtës”, përfundon deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve.

Artikulli paraprak14 miliardë lekë për zyrat, 530 milionë për kondicionera
Artikulli tjetërVritet me armë zjarri 55-vjeçari në Përmet