Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) dënon ashpër sulmin e dhunshëm dhe kriminal të ushtruar mbi administratorin e grupit “OMNIX” në Shqipëri, Fadi Mitri.
Shoqata e Investitorëve të Huaj beson se, ky është qartazi një veprim i ndërmarrë nga individë që operojnë jashtë kufijve ligjore, të cilët në këtë formë vënë në rrezik reputacionin e të gjithë komunitetit.
Megjithëse, FIAA e supozon se ky është një “rast i izoluar” dhe duke vlerësuar reagimin në kohë të forcave zbatuese të ligjit, i bën thirrje institucioneve shtetërore të marrin masat më të forta të mundshme ndaj këtyre “armiqve të përbashkët”. Në këtë rast FIAA, dëshiron të sjellë në vëmendje rëndësinë e miratimit të Reformës në Drejtësi, e mbështetur në mënyrë efektive nga FIAA që nga fillimi i procesit.
FIAA, si përfaqësuese e bizneseve të huaja që aplikojnë praktikat më të mira dhe standardet më të larta etike, deklaroi se është e gatshme për të bashkëpunuar me të gjithë komponentët e shëndetshëm të shoqërisë civile dhe me institucionet e shtetit për të shmangur që ngjarje të tilla fatkeqe të ndodhin përsëri në të ardhmen.
Dy ditë më parë përfaqësuesi zyrtar i kompanisë ‘OMNIX’ njoftoi se biznesmeni libanez, Fadi Mitri, tërhiqet nga të gjitha investimet në Shqipëri.
Sulmi barbar i datës 10 shtator kundër tij dhe familjes është shkak i këtij largimi, njoftoi kompania në një deklaratë për mediat.
‘OMNIX’ Albania kishte nisur të ndërtonte në Gjirin e Lalzit një resort turistik me vlerë 450 milionë USD.
Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e hotelit me 5 yje, 370 dhoma me të gjithë elementet e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, park ujor, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj., thuhet në reagimin zyrtar të ‘OMNIX’.
Ky projekt gjigant do të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan”, është shprehur përfaqësuesi zyrtar i kompanisë.