Shoqata e ndërtuesve: Bashkia Tiranë na shantazhon t’i çojmë dherat në incenerator

Kryetari i shoqatës së ndërtuesve Luigj Aleksi i thirrur si dëshmitar nga komisioni hetimor për inceneratorët, tha se Bashkia Tiranë i detyronte ndërtuesit që të depozitonin dherat dhe inertet në Inceneratorin e Tiranës pa një dokument zyrtar, por duke i kërcënuar me lejet e ndërtimit

Mijëra metër kub dhera që dalin nga ndërtimet në Tiranë shkojnë në landfillin e Sharrës në mënyrë anti-ligjore, pa një vendim të Këshillit Bashkiak dhe nën presionin e Bashkisë Tiranë ndaj ndërtuesve. Këto ishte pretendimet e ngritura nga kreu i shoqatës së ndërtuesve, Luigj Aleksi i thirrur si dëshmitar të martën në Komisionin Hetimor për inceneratorët.

“Me një vendim që nuk e dimë, një vendim që nuk ekziston, nga bashkia detyrohen ndërtuesit që të lidhin një marrëveshje të veçantë me përfaqësuesit e landfillit dhe  duhet të paguajmë për të gjitha llojet e dherave që gërmojmë, një taksë sikur këto janë mbetje inertesh”- dëshmoi Aleksi. Sipas tij të konsiderosh dheun mbetje është e palogjikshme dhe e paligjshme.

I pyetur se si detyrohen pa një akt zyrtar, Aleksi u përgjigj se, bashkia i bënte presion ndërtuesve nëpërmjet lejeve të ndërtimit. “Nuk japin leje ndërtimi nëse nuk shkojmë të nënshkruajmë marrëveshje me kompaninë konçensionare”- tha ai.

Aleksi sqaroi se ndërtuesit i kanë kërkuar bashkisë disa herë vendimin e Këshillit Bashkiak mbi të cilin bazohet kjo kërkesë, por bashkia nuk ua ka vënë në dispozicion.

“I kemi kërkuar sqarim (bashkisë), por ata bënë të paditurin, na thanë se dhe ne si ju jemi klientë të kompanisë konçensionare, kur në fakt ata miratojnë çmimin, në fakt ata na detyrojmë të shkojmë të bëjmë marrëveshje me landfillin”- tha ai.

Kreu i shoqatës tha se tarifa është rreth 350 lekë për ton, ndërkohë dheu që depozitohet, sipas tij, “është vlerë, e pasuron landfillin, nuk e dëmton, mund të përdoret për ndërtime lulishtesh, etj.”

Duke e cilësuar këtë gjë të pabazuafr në ligj, Aleksi iu referua dy vendimeve të këshillit të ministrave, në të cilët  është miratuar katalogu i klasifikimit të mbetjeve. Sipas tij vetëm dherat e gërmuara nga zona të kontaminuara, apo mbetje që dalin nga prishjet,  quhen mbetje dhe duhet të depozitohen në landfill, jo dherat e tjerë.

Po ashtu ai iu referua dhe katalogut shqiptar të mbetjeve, i cili sipas tij, është në përputhje me katalogun europian, ku po ashtu përcaktohet qartë se çfarë quhet mbetje nga gërmimet dhe çfarë janë dhera të pastra.

“Në katalogun e mbetjeve, ky aneks, parashikon që kjo direktivë Europiane përcakton masat. Në lidhje me menaxhimin e dheut si mbetje, nuk parashikon asnjë detyrim për ta depozituar në landfill apo për ta trajtuar atë. Përjashtohet nga fushë veprimi toka e pa kontaminuar dhe materiale të tjera. Ky është fakti, kjo është esenca. Në një kohë, që ne çdo metër kub dhe që çojmë në landfill detyrohemi ta paguajmë si mbetje, dhe t’i japim pronarit të landfillit edhe një taksë”- sqaroi ai.

Deputeti demokrat Lefter Gështenja tha se është policia bashkiake që i detyron ndërtuesit që të shkojnë në incenerator, deklaratë e cila nuk u komentua nga kryetari i shoqatës.

Ndërsa deputetët socialistë e shtruan çështjen në planin e ndotjes së mjedisit dhe e pyetën se ku shkojnë këto dhera nëse nuk do të shkonin në landfill.

Por Aleksi u përgjigj se ndërtuesit janë ankuar vetëm për dherat që vijnë nga zonat e pakontaminuara për të cilat nuk i detyron ligji të paguajnë tari

Arben Pëllumbi e pyeti nëse “depozitimi i dherave në landfillin e Sharrës është vetëm një marrëveshje mes dy privatëve”, apo hynte edhe shteti në këtë mes. Pyetja mori të njëjtën përgjigje nga Aleksi se bashkia i detyronte ta bënin këto marrëveshje, duke ua kërkuar si dokument para dhënies së lejes së ndërtimit.

Pëllumbi tha se komisionit i intereson se kjo politikë e bashkisë ishte në shërbim të qytetarëve dhe pastrimit të ambjentit, ndërsa pjesa e tarifave nuk është punë e komisionit.

Por sipas përfaqësuesit të ndërtuesve kjo ishte e paligjshme. “Ndërtuesit i kanë kërkuar bashkisë 4 vende depozitimi. Pastaj pse duhet t’i paguaj taksë sikur është mbetje? Nuk është mbetje. Përse koncesionari duhet të përfitojë padrejtësisht para nga një mall kur nuk është mbetje, por mall. Këtë konstatojmë ne”- ripërsëriti ai.

Ai tha se kjo tarifë depozitimi nuk rëndon vetëm ndërtuesit privatë por edhe taksat publike. “Ne ndërtojmë edhe për publikun. Çfarë ndodh me fondet? Nuk i merr ndërtuesi. Do t’i paguajë buxheti i shtetit”- tha duke iu referuar ndëtimit të rrugëve apo veprave publike.

Aleksi tha se ndërtuesit paguan para për ta depozituar dheun dhe më pas e blinin përsëri dheun nga kompania konçensionare për të bërë lulishtet e pallateve.

Kryetarja e komisionit Jorida Tabaku që e kishte thirrur si dëshmitar kreun e shoqatës së ndërtuesve iu referua një shtese në kontratën konçensionare të inceneratorit të Tiranës për depozitimin e mbetjeve për të çuar të ardhura shtesë tek kompania konçensionare. “Nuk është objekt i kësaj kontrate, ndërsa administratorja e kompanisë konçensionare e ka pranuar para komisionit se po marrin të ardhura shtesë për një shërbim që nuk është parashikuar në kontratë”- tha ajo.

Në komisionin hetimor dëshmuan të martën edhe dy administratorët shtetërore të inceneratorit të Elbasanit, Faraudin Arapi, administrator i shoqerisë “Intergrated Teknology Servis” shpk dhe Arjan Baci, Administrator i shoq. “Albtek -Enrgjy” shpk. Të dy administratorët folën si avokatë të këtyre kompanive të cilat janë në sekuestrim nga drejtësia dhe pronarët e tyre janë shpallur në kërkim për pastrim parash. Administratorët thanë se inceneratori është vënë në punë nuk shet energji elektrike, ndërsa sipas tyre fondet e dhëna nga buxheti i shtetit përputhen me invetimin e kryer. Ndërsa Baci nuk iu përgjigj dot pyetjes nëse a ka ky incenerator mekanizëm për trajtimin e hireve që dalin nga djegia e plehrave. Ata nuk komentuan mbi pretendimet e deputetit Belind Këlliçi për një skemë të pastrimit të parave me anë të faturave fiktive me kompani të ndryshme, pasi sipas Arapit dokumentet janë të sekuestruara nga SPAK.

Deputetët e dy palëve u përplasën dhe debatuan gjatë në lidhje me dëshmitë e dy gazetarëve, Jetmir Olldashi dhe Artan Rama, pasi socialistët pretenduan se ishin thirrur në mënyrë të kundraligjshme si dëshmitarë pasi ndaj tyre kishte padi ose vendime gjykate nga pronarët e inceneratorëve. Socialistët ia dolën të ndërprisnin dëshminë e gazetarit Rama me këtë argument dhe pse demokratët cituan praktikën e mëparshme të Kuvendit që i lejonte të pranonin dëshmitarin në këto kushte.

Artikulli paraprak“Së bashku në emër të miqësisë së kohërave për të ardhmen e përbashkët europiane”, Gjekmarkaj takon ambasadorin italian
Artikulli tjetërTabaku bën publike gjetjet e KLSH për Inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranën/  Nuk ka leje mjedisore! Drejtorit të Agjensisë së Kombëtare të Mjedisit nuk i kujtohet raporti i dërguar nga KLSH