Shoqëria civile dënon autoritetet serbe për dëbimin e aktivistëve

Më 22 Janar, katërmbëdhjetë aktivistë të shoqërisë civile u morën në pyetje nga autoritetet serbe dhe u dëbuan nga Serbia, pasi kishin udhëtuar drejt Beogradit për të marrë pjesë në një konferencë. Atyre iu ndalua gjithashtu hyrja në Serbi për një vit, me argumentin se përbënin “rrezik për sigurinë.

Ndër ta ndodheshin edhe dy kolegë shqiptarë, Edlira Lilaj nga organizata HELP dhe Gazmir Memaj nga fondacioni Mary Ward Loreto.

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri shprehën shqetësimin dhe i dënuan këto veprime si të papranueshme nga ana e autoriteteve serbe.

“Shprehim shqetësimin e thellë dhe dënojmë këtë veprim të papranueshëm që cënon rëndë vlerat demokratike, të drejtat themelore dhe lirinë e lëvizjes,” thuhet në deklaratën publike të shoqërisë civile në Shqipëri.

“Ky akt, i cilësuar si ‘kërcënim për sigurinë’, është i pajustifikueshëm dhe i pabazuar në standarde demokratike apo ligjore”, vijon deklarata.

Lidhur me këtë ngjarje, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë zhvilloi një takim me Ambasadorin e Serbisë në Shqipëri dhe kërkoi rishikimin e vendimit, teksa kërkoi gjithashtu që ngjarje të tilla të mos përsëriten në vijim.

“Ngjarje të tilla përbëjnë një zile alarmi edhe për Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit të vendeve kandidate, duke nënvizuar se respektimi i të drejtave themelore dhe standardeve evropiane mbetet një sfidë serioze në rajon”, shkruajnë organizatat e shoqërisë civile në reagimin e tyre.

Ata theksojnë se mungesa e progresit në fushën e të drejtave themelore, jo vetëm që cënon aspiratat për anëtarësim në BE, por edhe vë në rrezik të ardhmen demokratike dhe stabilitetin e këtyre vendeve.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile gjithashtu bënë thirrje për solidaritet me kolegët e ndaluar në mënyrë të paligjshme.

“Mbështetja jonë kolektive është jetike për të mbrojtur hapësirën demokratike dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë aktivistët”, përfunduan ata.

Exit mobile version