Shoqëria dhe efektet sociale të teknologjisë dixhitale

NGA GËZIM TUSHI

Që në fillim duhet të pra nojmë se përfshirja e shoqërisë shqiptare në këto përmasa europiane të përdorimit të internetit, “Facebook”-ut, rrjeteve të shumta sociale është shenjë e sigurt e ritmeve të përparimit social dhe progresit të qartë e të sigurt të adoptimit të suksesshëm të ritmit social bashkëkohor tekno-informativ. Kjo është njëra anë e problemit, që ka të bëjë me pjesën objektive të të raporteve të njerëzve tanë dhe shoqërisë shqiptare në tërësi me sfidat e “epokës dixhitale”. Por shfaqja e shumë problemeve me natyrë sociale, psikologjike dhe formave të ndryshuara të sjelljes dhe komunikimit social ka diktuar një realitet kontroversal. Kjo është arsyeja pse tani jemi në moment kur shoqëria shqiptare në mënyrë të natyrshme është përfshirë nga dilema dhe debate, të cilat deri tani kanë qenë më shumë me natyrë empirike dhe më pak të përqendruara në ndikimet ontologjike të internetit dhe rrjeteve sociale, në ndryshimet thelbësore që ato kanë sjellë dhe që përditë e më shumë ndihen për rolin e tyre të fuqishëm, në transformimet e thella që po sjellin në mënyrën e sjelljes individuale dhe adoptimin e formave të reja të ndikimeve, interferimeve dhe relacioneve sociale.

Padyshim, shqetësimi i qytetarëve dhe shoqërisë në të gjithë gamën e influencave të teknologjisë në sistemin e komunikimit social dhe interpersonale, në rritjen e njohurive dhe problemet e edukimit, në shtimin e anomalive sociale të panjohura më parë, në shumë aspekte herë evidente e të dukshme e herë të pritshme e të padukshme, me impakte humane e morale të drejtpërdrejta apo të tërthorta, nuk është eterik dhe i imagjinuar, por real dhe konkret. Sido që ta shikojmë realitetin e raporteve të shoqërisë dhe individit me teknologjinë dixhitale, janë fare të dallueshme reperkursionet, ndikimet evidente në jetën e individit, familjes, shkollës, medias, botës së punës, komunitetit dhe shoqërisë në tërësi. Jo vetëm në aspektet formale të sasisë dhe intensitetit të lartë të lidhjeve interpersonale, informacionit publik dhe komunikimit social, por dhe shfaqjes së konceptimeve dhe realiteteve të reja të lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale.

Diagnostikimi sociologjik i efekteve dhe kundërefekteve të lidhjeve të reja të njerëzve tanë me teknologjinë dixhitale, sidomos me rrjetet sociale ka sjellë analiza e konkluzione sociale e gjykime sociologjike herë të qarta e herë të nxituara. Në bisedat me qytetarët ka një qëndrim të hapur dikotomik dhe gjykime të personalizuara që fillojnë nga njerëzit që ndihen të bezdisur nga teknologjia, që shfaqin hapur prirje teknofobiste (kundërshtues të internetit dhe rrjeteve sociale që i konsiderojë si “fajtorë” dhe burim i mëkateve sociale) e deri tek teknoprofetistët (simpatizantë dhe mbivlerësuesit pa kushte, të rolit utilitar të internetit dhe rrjeteve sociale). Kjo dikotomi konceptuale dhe optikë kontradiktore e shikimit të anëve të mira dhe negacioneve sociale ndikuese në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, aktualisht mund dhe duhet të bëhen objekt gjykimi profesional, duke i parë gjërat në optikë logjike. Epistemologjike pse jo edhe ideologjike, sociale e psikologjike, për të ndihmuar në krijimin e balancave dhe perceptimit të ekuilibruar të dikotomive të këtij realiteti të përzierë: real e virtual.

Sepse në analizën sociologjike që kam mundur t’i bëj realitetit dhe diagnostikimit të patologjive shoqëruese, më kanë sjellë në konkluzionin se aktualisht te shumica e qytetarëve tanë, është krijuar ideja se tani në kohën e internetit dhe informacionit të dixhitalizuar, duket sikur jetojmë në kohën e “lirive të mëdha” në krahasim me të kaluarën. Kjo është njëra anë e së vërtetës, por me sa nuk mund në mënyrë të semplifikuar, të themi se kjo është plotësisht e vërteta. Sepse duhet parë edhe ana tjetër e problemit dhe fakti që tashmë si kurrë më parë, po jetojmë në një realitet social që teknologjikisht nuk ka qenë kaq shumë i kontrolluar sesa tani.

Besoj se nuk ka njeri, qytetar, punonjës të çdo profesioni, nxënës shkolle apo student që nuk e kupton dhe e ndjen që çdo veprim social, madje pse jo edhe në jetën private është i monitoruar me mjete dhe metoda dixhitale.

Madje sikurse po duket, janë shtuar konfliktet sociale në shoqëri, madje deri edhe krimet dixhitale për shkak të intervenimeve të shpeshta, të shumta e shpeshherë të panevojshme në jetët tona private. Shoqëria shqiptare ka filluar të ndihet e bezdisur nga këto lloj kufizime të jetës nga intervenimet dixhitale, që kanë filluar të na imponohen në të gjitha veprimtaritë tona fizike, mendore, profesionale apo private dhe intime. Jemi në situatën kur “Shfrytëzimi i internetit njëkohësisht i ka zgjeruar dhe fragmentuar ndërvartësitë e komunikimit”, ka thënë filozofi Jurgen Habermas.

Një vërtetë që tashmë shfaqet e konturuar qartë edhe në strukturat e jetës dhe realitetet sociale të shfaqura në të gjithë institucionet ku jetojnë dhe ndërveprojnë njerëzit tanë. Nëse do i bëjmë një diagnozë të përgjithësuar raporteve të shoqërisë shqiptare, në mënyrë evidente ajo është kthyer gati në një “turmë sociale” të masivizuar pas rrjeteve sociale, e izoluar nga internet, rrjetet sociale dhe celularët. Kjo pandemi sociale ka si pasojë të parë një sjellje monotone, me të cilën po mësohemi dhe po adoptohemi, e cila po “anestezon” ndjeshmërinë dhe po mpin mendjen e njerëzve dëmton shpirtin. Sidomos tek fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë. Mbi të gjitha ky sistem i mbyllur komunikimi dhe informacioni dixhital, po “izolon” individin brenda vetes dhe njëkohësisht po cenon bashkëjetesën, lidhjet reale, bashkëjetesën njerëzore.

Intelektuali dhe gazetari i njohur Will Storr, ka bërë një analizë të zgjeruar të raporteve të reja të njeriut me rrjetet sociale. Ai mendon se “…rrjetet sociale janë më tepër se thjesht dukje. Ato janë njëkohësisht një produkt thellësisht neoliberal që e ka veshur unin me tipare loje, duke e kthyer kështu identitetin tonë në një gur shahu që konkurron në platforma dixhitale për të fituar pëlqime, reagime dhe miq…”. Will Storr, “Selfie” f. 361

Është fakt që interneti dhe rrjetet sociale brenda një kohe të shkurtër janë bërë një realitet psiko-social dhe komunikativ në zgjerim, ndikimi dhe pasojat e të cilëve janë tejet evidente. Këtu është fjala për zgjerimin e lidhjeve virale dhe kombinimin, që po bëhet aq shumë dominant në lidhjet midis njeriut dhe teknologjisë. Është fakt që pothuaj të gjithë njerëzit sot harxhojnë orë të tëra në celularët e tyre, duke parë tekste apo informacione të ndryshme. Kjo tashmë është kthyer në një sjellje sociale normale. Mund të konsiderohet si “sjellje sociale e pashëndetshme”, por paradoksalisht “imperilizmi dixhital” po bëhet sjellje të përshtatshme për kohën që jetojmë, duke vlerësuar edhe pasojat e shumta mendore e sociale që e shoqërojnë këtë lloj sjelljeje.

Është e vërtetë që tani jetojmë në realitete të reja sociale dhe komunikative, sepse interneti, rrjetet dhe mediat sociale kanë sjellë shkurtimin e distancës midis ngjarjeve dhe perceptimit të tyre. Madje, ndikimi i tyre është shumë i fuqishëm edhe në jetën politike (si kurrë më parë jemi nën pushtetin e formave moderne të komunikimit publik përmes videopolitikës dhe telepolitikës), në sistemin e zgjedhjeve elektorale, në poetncimin e lëvizjeve me natyrë sociale. Nëse do e shikojmë me optikë strategjike dhe vlerësim gjithëpërfshirës, duket sikur sociologjikisht jemi përballë një realiteti të ri, i cili e ka bërë shoqërinë gati si një “turmë të masivizuar”, pikërisht nga përdorimi zgjeruar i celularëve dhe rrjeteve sociale.

Të gjitha këto realitete të reja të raporteve të shoqërisë shqiptare me teknologjinë dixhitale, janë tregues të sigurt se tashmë shoqëria shqiptare është në koherencë të plotë me dilemat dhe zhvillimet globale që ka sjellë paradoksi i zhvillimit të teknologjisë, me efektet dhe ndikimet e zgjeruara të tij në formatimin dhe riformatimin e moduleve psikologjike dhe modeleve etiko-sociale të jetës së sotme. Duket qartë shqetësimi social, që tashmë është dukuri e prekshme dhe në përmasa masive, i cili kërkon një përgjigje nëse shoqëria shqiptare ka kapacitetet sociale dhe kulturën e nevojshme, si kusht që në kohën e sotme do mund të ecë në mënyrë organike me impertaivat e jetës postmoderne. Sa janë mundësitë që në këto kushte të mund të sigurohet dhe “hibridizohet” bashkëjetesa në nivele kaq intensive, midis teknologjisë dixhitale dhe formave virtuale në zgjerim, që ka intervenuar pothuaj në të gjitha fushat, me format e vjetra të strukturave të jetës shoqërore tradicionale? A duhet marrë në konsideratë fakti që format elektronike të lidhjeve sociale virtuale, po bëhen faktorë që determinojnë me forcë ndryshimin e formave klasike të saj?

Padyshim prania masive e internetit, celularëve dhe omnipotenca komunikative e rrjeteve sociale, është një realitet evident, i prekshëm dhe në përmasa të zgjeruara tashmë edhe në shoqërinë shqiptare. Por nuk është ana teknike e problemit që duhet parë. Ndoshta është momenti që gjërat t’i shikojmë më thellë nga pikëpamja sociologjike, duke vlerësuar efektet dhe kundërefektet e këtij realiteti teknologjik. Sepse ndryshimet nuk janë të thjeshta, aq më pak të mund të vlerësohen me përfytyrime mekaniciste, sepse sikurse shkruan Sheryl Sendberg, ish-drejtore ekzekutive e “Facebook”-ut “Teknologjia ka shndërruar mënyrën tonë të komunikimit, jetën e njerëzve”.

Kështu që jo vetëm po mësohemi me këtë situatë, por edhe po përshtatemi me këtë realitet ekzistencial, që ka shanse e mundësi të shtojë informacionin dhe intensifikojë lidhjet dhe komunikimin virtual midis njerëzve, për qëllime profesionale, sociale apo argëtuese. Kjo është “ana e ndritur” e realiteteve të reja të përdorimit të teknologjisë. Por nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë, po përballemi me disa dukuri komplementare të përdorimit pa kulturën e duhur dhe në forma abuzive të teknologjisë, që me sa duket po “anestezojnë ndjeshmërinë”, duke mpirë mendjen dhe cenon modulet e lidhjeve, marrëdhënieve dhe formave humane të bashkëjetesës njerëzore. Kjo është arsyeja që shpesh sociologët postmoderne, thonë se jemi bërë të gjithë pjesë e një shoqërie tërësisht teknologjike, e përbërë nga konsumatorë të hutuar pas celularit dhe rrjeteve sociale. Ato kanë marrë dimensionet e një psikovampiri që po atrofizon energjitë reale të njeriut, duke dëmtuar në të njëjtën kohë edhe kohezionin social të jetës dhe institucioneve fondamentale të shoqërisë.

Beteja e zhvilluar deri tani nga institucionet, familja, shkolla dhe shoqëria shqiptare për të krijuar kulturën e duhur dhe për t’i përdorur me maturi internetin, celularin dhe rrjetet sociale, duket se nuk ka krijuar bindje sociale apo të ketë sjellë atë mature që kërkohet.

Sociolog Mjeshtër i Madh

Exit mobile version