Analisti Namir Lapardhaja në një lidhje ‘skype’ për ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta janë kapituj të mbyllur në politikën shqiptare dhe se tashmë opozita duhet të ecë përpara dhe ta tejkalojë këtë moment të vështirë ku ndodhet.
Lapardhaja ironizoi veprimet e Berishës duke i quajtur si pjesë e një ‘big brother’, që ushqehet nga media për të mbajtur publikun të ngërthyer te spektakli dhe jo te politika. Ndërsa tha se tashmë ish-kryeministri është kapitull i mbyllur për politikën shqiptare duke i krahasuar militantët që mblidhen poshtë shtëpisë së tij me ato të Enver Hoxhës kur u rrëzua busti i tij në vitin 1991.
“Berisha na është bërë si banorët e Big Brother tani që duhet të merren me të të gjithë Tv dhe opinionistët. Berisha është një kapitull i mbyllur i politikës shqiptare. Opozitës i duhet ta tejkalojë këtë moment. Sepse ata që vijojnë të ndjekin atë që ka ngelur nga Berisha janë pjesë e një procesi që historia e ka parë edhe më parë. Në 1991, kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës, në gjithë Shqipërinë u ngritën grupe të atyre që u quajtën vullnetarë të Enverit. Është fazë momentale, nuk është se Shqipëria po përballet për herë të parë me diçka të tillë”- tha analisti.
Mes të tjerash, Lapardhaja tha se pas Berishës dhe politikanëve që kanë dominuar politikën në 30 vitet e fundit, si Rama dhe Meta, shoqëria shqiptare do të hyjë në rrjedhën normale të funksionimit.
“Ky procesi i Sali Berishës do përfundojë si ai i Saimir Tahirit. Deri tani jemi në fazën e Big Brotherit, por ndryshe nga herët e tjera dje Berisha sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumanin. Berisha dje iu bashkua Metës dhe Ramës, si trio e sulmit ndaj Dumanit. Ky është lajm i mirë për politikën shqiptare. Ata që mbështesin në këto kushte këto 3 figura, janë shumë pak. Sepse shoqëria shqiptare është e etur për drejtësi. Kështu që edhe sikur një grup më i madh njerëzish të mblidhen aty, nuk ka asnjë rëndësi. Mendoj se shoqëria shqiptare do futet në rrjedhën e saj normale”– shtoi Lapardhaja.
Ai shtoi më tej se opozita zyrtare nuk është inekzistente, sepse ajo ka përfunduar disa procese të brendshme të organizimit, por zëri i saj në media është i paktë, sepse kryeministri Edi Rama nuk ka interes që të ketë përballë një opozitë normale.
Lapardhaja solli në vëmendje se ndërsa të gjithë mediat janë të fokusuar te ballkoni i Berishës, asnjë prej tyre nuk pasqyron deklaratat dhe reagimet e PD zyrtare lidhur me denoncimet apo alternativën e saj.