Skënderbeu, Tirana dhe Partizani mësuan rivalët e tyre europianë me 3 skuadrat shqiptare që patën një fat të ndryshëm nga goglat e Nionit sa i përket skuadrave që do të gjejnë përballë, ku bardheblutë janë skuadra që kapi rivalin më të vështirë, ndërsa korçarët dhe për faktin se ishin kokë grupi do të ndeshen me St.Julia të Andorës. Korçarët, që u shortuan të fundit në radhë do të gjejnë përballë një ekip pa përvojë dhe lehtësisht të përballueshëm si St.Julia i Andorës, që është renditur e 3-ta në kampionatin vendas, ka fanellë të ngjashme me korçarët, por ajo që është më e rëndësishmja eliminohet gjithmonë në raundin e parë dhe prej pesë edicionesh nuk shënon dot asnjë gol në raundet eliminatore. Ndeshjen e parë Skënderbeu do ta luajë në shtëpi, ndërsa të dytën në transfertë.
Partizani doli i dytë në radhë në short dhe gjeti përballë bullgarët e Botev Plovdiv, në një short që mund të konsiderohet i përballueshëm për të kuqtë e Starovës, pavarësisht se ky klub ka një të kaluar të lavdishme në arenën ndërkombëtare teksa në vitin 1961/62 ka arritur deri në çerekfinalet e Kupës së Kupave, ndërsa më 1972 ka fituar dhe titullin ballkanik. Ndeshjen e parë Partizani do ta luajë brenda dhe atë të kthimit në transfertë më 6 korrik.
Bardheblutë e Tiranës nuk patën një short të favorshëm në raundin e parë eliminator të Europa League teksa goglat e Nionit peshkuan Maccabin e Tel Avivit për të. Skuadra izraelite, që ka shumë përvojë në kompeticionet europiane, është padyshim një emër i vështirë që ka luajtur dhe në fazën e grupeve të UEFA Champions League dikur. Ndeshjen e parë skuadra e Tiranës do ta luajë në Izrael më datë 29 qershor, ndërsa të kthimit më datë 6 korrik në Shqipëri.
Shkëndija e Tetovës “peshkon” Dacia Chisinau
Jo vetëm Kukësi, pasi një tjetër skuadër shqiptare do të ketë përballë një ekip moldav në këtë edicion të kupave të Europës. Shorti i turit të parë kualifikues të Europa League i ka buzëqeshur deri diku Shkëndijës së Tetovës, pasi kuqezinjtë edhe pse ishin në vazon e skuadrave jo favorite do të sfidojnë nënkampionët e Moldavisë, Dacia Chisinau. Short ky që mund të konsiderohet i mirë për skuadrën shqiptare që luan në kampionatin maqedonas, sepse Shkëndija evitoi përballjet me ekipe më të forta si Maccabbi i Tel Avivit edhe sllovakët e Trencin.
Duke parë eksperiencën që fitoi në Europë vitin e kaluar, ku arriti të kalonte me sukses tri ture duke u eliminuar në play offin e Europa Leagues nga belgët e Gent, Shkëndija ka shanse të mëdha për ta kaluar turin e parë edhe në këtë sezon. Nuk është hera e parë që Dacia Chisinau përballet me një skuadër shqiptare që luan në futbollin maqedonas. Në sezonin 2015-2016, kjo skuadër eliminoi në turin e parë të Europa Leagues, Renovën me rezultat të përgjithshëm 5-1, ndërkohë që më 2013-2014 ka nxjerrë jashtë këtij kompeticioni sërish në raundin e parë Teutën falë golit në fushë kundërshtare sepse rezultati i përgjithshëm ishte 3-3.
Më 2003-in në Kupën Intertoto, Dacia ka shkatërruar Partizanin me rezultat të përgjithshëm 5-0. Megjithatë pavarësisht forcës që paraqet kundërshtari, Shkëndija vitin e kaluar kishte një ecuri fantastike në Europë dhe ka një skuadër të fortë që të bëjë një figurë të mirë dhe të kalojë disa ture edhe në këtë sezon. Ndeshjen e parë formacioni i Qatip Osmanit do ta zhvillojë në datë 29 qershor në Moldavi, ndërsa atë të kthimit një javë më pas në Shkup.