“Show i bashkisë Vlorë”, Gjergji Nika: Pasi pritën shiun të lante rrugët pas përmbytjeve, tani i pastrojnë me mjete të mara borxh

Kryetari i degës së Demokratëve Euroatlantikë në Vlorë, Gjergji Nika, shprehet se bashkia e qytetit po bën show me pastrimin e rrugëve pas përmbytjeve të fundit.

Ai vëren se, pas një muaji pritje, bashkia vendosi të përdorë mjete larëse të marrë borxh nga qytete të tjera për të pastruar rrugët, duke e bërë këtë në një atmosferë të mbushur me prezencë zyrtarësh që jepnin intervista.

Sipas Nikës, pastrimi është bërë në mënyrë simbolike, ndërsa rrugët e lagjeve vazhdojnë të mbeten të ndotura dhe me baltë.

Ai thekson se është e rëndësishme të parandalohen situata të tilla në të ardhmen, përpara se të ndodhin katastrofa, duke kritikuar gjithashtu mungesën e përgatitjes dhe efikasitetit nga ana e bashkisë.

Postimi i plotë i kryetarit të Demokratëve Euroatlantikë dega Vlorë, Gjergji Nika:

Bashkia, show-n e radhës në Vlorë!

Pasi pritën një muaj se mos binte shi që të lante rrugët, të hiqte pluhurin dhe mushkonjat të ngordhnin, sot bashkia e Vlorës u kujtua se duhet të pastronte më në fund rrugët nga balta.

Për këtë mori borxh edhe disa mjete larëse nga Durrësi, Fieri, Himara e Selenica dhe nisi që në pikët të mëngjesit larjen me llastik të rrugëve nën praninë e shtuar të drejtuesve të lartë, të cilët lanë shtretërit e ngrohtë për t’i ndenjur punës në kokë!

Dhe, ndërkohë që rrugët laheshin me llastik me ujë zyrtarët bashkiakë jepnin intervista pa fund dhe së bashku me shoqëruesit e tyre shikonin me vëmendje ata pak punëtorë që pastronin me ujë e fshesa ndonjë trotuar dhe baltën e hidhnin ose në cep të tij, ose e linin në një mënyrë të tillë që ajo me shiun e parë të mbllokonte përsëri kanalizimet…

Sot, një muaj pas përmbytjes, e cila ishte katastrofike dhe që mund të bëhet edhe film nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, u kujtuan të bëjnë show-n e radhës përpara qytetarëve vlonjatë në prani të kamerave dhe në prezencë të ministrit!

Kjo tregon se sa “shumë” punon bashkia!

Përpara përmbytjes me mospastrimin e kanalizimeve, marrjen e masave dhe efiçencën e hidrovorit dhe pas përmbytjes me vonesën një mujore të kthimit të qytetit në normalitet, pra të pastrimit të tonelatave të baltës e të pluhurit vetëm nga rrugët kryesore.
Sepse rrugët brenda nëpër lagje vazhdojnë të jenë plot baltë të tharë, pisllëk, mbeturina dhe vatra epidemish të mundshme.

Në mjekësi thonë: “Më mirë të parandalosh, se sa të kurosh!”

Dhe bashkia dhe zyrtarët e saj më mirë do të ishte të punonin dhe të parandalonin paraprakisht situata si ajo e datës 4 tetor, se sa të kujtohen “të punojnë e t’i përkushtohen qytetit” si “kofini pas të vjelit”.

Megjithatë, sot me ca llastikë lanë disa rrugë.

Deri në përmbytjen e ardhshme kur justifikimet përsëri do të jenë prurjet katastrofike dhe Ujësjellës Kanalizimet do të justifikohen zyrtarisht me bejten e radhës: “Erdhi uji nga mali, nuk e përballoi dot kanali”!
Dhe pastaj t’ja shtrojnë me ndonjë drekë të mirë…

FB IMG 1730480791503

Exit mobile version