Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit shpall në kërkim dy persona, të cilët kanë urdhëruar vrasjen e komisarit të Policisë, Artan Cukut. Shpallja në kërkim është bërë pas dëshmisë së Mikel Shallarit. Mësohet se pas rrëfimit pendues për krimin e kryer, Prokuroria ka shpallur në kërkim dy persona, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi. Ndërkohë jo zyrtarisht, burimet thonë se në kërkim është shpallur një i afërm i 24-vjeçarit Shallari dhe një person tjetër. Të dy të shpallurit në kërkim, thonë burimet dyshohet se kishin role të ndryshme, njëri si ndërmjetësues dhe person që i ka siguruar armët dhe i dyshuari si porositës për vrasjen e Artan Cukut.
Por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak se, si Policia ashtu edhe Prokuroria po tregohen mjaft të rezervuar duke mos treguar emrat e personave për llogari, të cilëve ka kryer vrasjen e komisarit. Nuk jepen detaje, se kush janë porositësit, duke hedhur dyshime për dy versione, atë të porositësve nga Shkodra që janë pjesëtarë të familjes Daka që nuk janë përjashtuar nga hetimi në asnjë rast apo edhe të dyshuarit për vrasje nga qyteti i Vlorës, me të cilët Cuku është përplasur kur ishte në krye të Drejtorisë së Policisë së Vlorës dhe Fierit.
Sipas këtyre burimeve, thuhet se Prokuroria po vazhdon verifikimin e thënieve të 24-vjeçarit Shallari në lidhje me rastin e vrasjes së komisarit Artan Cuku. Kjo për shkak se ka dhënë versione të ndryshme gjatë dëshmisë, duke ngritur dyshime për hetuesit se Mikel Shallari po tenton të fshehë emrat e disa personave të tjerë, veç atyre që ka treguar. Por për hetuesit, tashmë është provuar shkencërisht dhe me pohim se 24-vjeçari është autori i vrasjes së komisarit Cuku.
Nga ana tjetër, këto burime nuk kanë përjashtuar nga verifikimi edhe të dhënat që ka treguar 24-vjeçari Shallari për krimet e tjera, për të cilat ka dijeni apo i ka kryer edhe vetë për llogari të personave të tretë.
Ndërkohë, Prokuroria është në pritje të përfundimit të akt-ekspertimeve balistike dhe krahasuese të armëve të gjetura në fshatin Polovinë të Kuçovës me predhat dhe gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, ku u vra komisari Cuku mbrëmjen e datës 8 prill në hyrje të pallatiti të tij.