Shpenzimet e turistëve në Shqipëri kapin shifra rekord, analiza: A mjafton vetëm imazhi i përmirësuar për tërheqjen e investitorëve?

Në vitin 2023, Shqipëria pati promovimin më të lartë në mediat ndërkombëtare për turizmin. Efekti i arritur është një rekord historik në numër vizitorësh. Ndikimi i këtij bumi u pa qartë te rritja e industrive mbështetëse dhe u vulos nga bilanci pozitiv i llogarisë korrente. Por, a mundet një imazh i përmirësuar turistik të ndikojë në busullën e investitorëve? Për institucionet ndërkombëtare në Shqipëri, si hallka mes investitorëve potencialë dhe vendit tonë, vetëm imazhi i mirë turistik nuk mjafton. Për bizneset italiane, gjermane dhe holandeze ka nevojë për hapa shtesë në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit. Gjithsesi, ky moment i mirë për turizmin është një element që i jep pikë Shqipërisë në sytë e të gjithëve.

Shqipëria u vizitua në 2023-n nga mbi 10 milionë të huaj, duke e kthyer në vitin më të mirë historik të sektorit të turizmit.

Ndikimi i kësaj rritjeje shihet qartë te bilanci i llogarisë korrente, ku sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën për 9 mujorin rekordin e 3.2 miliardë eurove, me rritje prej 47% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe dyfishi i 2019-s.

Ndikimi i turizmit shkoi përtej sektorit, duke e shtrirë këtë efekt edhe tek industritë mbështetëse, të cilat gjithashtu kanë qenë në lulëzim, duke nisur nga makinat me qira tek industria detare.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=629&loc=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fshpenzimet e turisteve ne shqiperi kapin shifra rekord analiza a mjafton vetem imazhi i permiresuar per terheqjen e investitoreve%2F&referer=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb

 

Ky momentum për Shqipërinë, emri i së cilës u lakua më shumë se kurdoherë në artikuj promovues, është një pikë kyçe për atë se çfarë hapash do të hidhen në vijim.

Kjo ka të bëjë jo vetëm me masat për të vazhduar rritjen e sektorit nëpërmjet përmirësimit të shërbimit, infrastrukturës, transportit, por edhe me konsolidimin e saj si një destinacion apo markë turistike në tregjet e huaja.

Në këtë kontekst të ri, vetvetiu lindin pyetjet: A mundet që ky dimension i ri turistik i Shqipërisë të ndryshojë edhe qasjen e investitorëve për vendin tonë? A ka sjellë ekspozimi i ri rritje interesi për projekte të reja investimi?

“Monitor” mori përshtypjet nga tre organizma ndërkombëtarë që janë pika e parë e takimit që qëndron mes investitorëve potencialë dhe Shqipërisë, duke nisur me ICE Tirana për marrëdhëniet me Italinë, Dhomën Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHA) dhe Ambasadën e Holandës.

Bilanci i udhetimeve 9 mujori mln euro 1114

 

Italianët, të interesuar nga mekanika te farmaceutika e turizmi

Italia mbetet partneri kryesor tregtar i Shqipërisë me 29.5% të shkëmbimeve tregtare sipas statistikave të Tregtisë së Jashtme të muajit tetor 2023. Afërsia gjeografike ka bërë që edhe sipërmarrjet italiane që kanë investuar në Shqipëri të zënë vendin e parë dhe sektorët të jenë më gjithëpërfshirës.

Francesca Mondello, Drejtore e ICE Tirana, një agjenci me misionin e lehtësimit të ndërkombëtarizimit të ndërmarrjeve italiane në kanalet shqiptare të shpërndarjes, vlerëson se interesi për Shqipërinë vijon të mbetet i lartë dhe ecuria e mirë turistike ka zgjuar kuriozitet për vendin tonë në gjithë Europën. Por për çfarë interesohen më shumë investitorët italianë kur trokasin tek ICE Tirana?

“Kërkesat nga sipërmarrjet italiane kanë të bëjnë kryesisht me analizën e potencialit të sektorëve të veçantë, promovimin, klimën e biznesit, kërkimin dhe verifikimin e besueshmërisë së kompanive vendase partnere dhe legjislacionit vendas.

Vëmendje u kushtohet projekteve të zhvillimit infrastrukturor në sektorët e transportit, energjisë, bujqësisë, dixhitalizimit”, – pohon ajo.

Lidhur me sektorët ku investimet kanë qenë të qëndrueshme vit pas viti, znj. Mondello nënvizon se ato nisin nga mekanika, kimia, farmaceutika dhe sektori mjekësor, fusha agroushqimore, tekstil dhe veshje, ndërtimi, shërbime inxhinierike, infrastruktura dhe shërbimet kontrakt e deri te turizmi dhe trajnimet.

Hyrjet e shtetasve te huaj janar nentor 1114

 

Biznesi gjerman, interes për IT; Holanda për energjinë dhe bujqësinë

Zhvillimet globale, por edhe ato të brendshme të Shqipërisë, kanë ndryshuar projektet apo investimet potenciale që orientohen në vend. Bledar Mankollari, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë (DIHA), pohon se zhvillimet në tregun e punës e kanë bërë më pak tërheqëse Shqipërinë në projekte që kërkojnë forcë të madhe punëtore.

Nga ana tjetër, zhvillimet teknologjike u kanë dhënë hov profesioneve që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe këtë sektor, kompanitë gjermane kanë nisur ta zgjerojnë edhe në Shqipëri.

“Për sa i përket aksesit në tregun e punës mund të themi se Shqipëria nuk është më aq tërheqëse sa në 30 vitet e fundit për kompanitë e tekstilit dhe të këpucëve.

Në dy vitet e fundit, kryesisht kemi pasur kërkesa nga kompani për zhvillimet e software-ve, të cilat duan të vendosen në Shqipëri dhe të punojnë për klientë në Gjermani” pohon ai.

Lidhur me sektorë të tjerë që paraqesin potencial, z. Mankollari thekson se infrastruktura, energjia dhe turizmi mbeten pika të forta për investime në Shqipëri.

Ndërkohë sa u takon bizneseve nga Holanda, ambasada konfirmon se interesi vijon të mbetet për disa sektorë.

“Shifrat mbi tregtinë mes Shqipërisë dhe Holandës kanë pasur një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Të dhënat zyrtare vjetore për vitin 2023 do të jenë të disponueshme së shpejti, por interesi mbetet i lartë në sektorë si bujqësia,

bulmeti, energjia dhe infrastruktura”, – nënvizon Ambasada e Holandës.

Vetëm imazhi i mirë i turizmit nuk mjafton, çfarë kërkojnë investitorët

Promovimi dhe krijimi i një imazhi pozitiv për Shqipërinë si një destinacion turistik mund të jetë pozitiv, por nuk është i mjaftueshëm për të bindur një investitor të sjellë dhe të vërë në jetë projekte të ndryshme investimi në vendin tonë.

Të paktën kjo është ideja që krijohet nga përshtypjet që zyrat e kontaktit mes bizneseve të huaja dhe Shqipërisë kanë aktualisht. Një sërë elementesh të tjera më të rëndësishme që përmblidhen në atë që quhet klimë biznesi, kanë nevojë të përmirësohen që të bindin një biznes të investojë.

“Prej dy vitesh tashmë drejtoj Zyrën ICE në Tiranë. Mendoj se është thelbësore përparimi i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe si rrjedhojë, plotësimi i kushteve të përcaktuara nga tre kriteret e Kopenhagës.

Klima e biznesit duhet ende të përmirësohet dhe besueshmëria dhe qëndrueshmëria e sistemit kërkon një kombinim faktorësh të ndryshëm, si forcimi i mëtejshëm i shtetit ligjor, reforma administrative dhe gjyqësore, lufta kundër korrupsionit, informacioni i saktë, stimujt dhe mbi të gjitha mbështetjen aktive të institucioneve”, – nënvizon z. Mondello nga ICE Tirana.

Përmirësimi i klimës lidhet ngushtë me masa ligjore që synojnë heqjen e barrierave apo burokracive, në mënyrë që të bërit biznes të jetë më i lehtë.

“Në terma afatshkurtër, mendoj se thjesht zbatimi i afateve ligjore nga administrata publike, si në dhënien e lejeve të ndryshme por edhe në rimbursimet e TVSH-së do të ndikonin shumë pozitivisht në përmirësimin e klimës së biznesit.

Në terma afatmesëm dhe afatgjatë mendoj se nisma e qeverisë për derregullimin është në drejtimin e duhur, e cila do t’u jepte më shumë oksigjen bizneseve në punën e tyre të përditshme.

Kjo e shoqëruar me një qasje më pozitive në ligjin për konsultimin publik, por jo vetëm në nivel ligji, ashtu siç parashikohet, por edhe në aktet nënligjore, do të përmirësonin klimën e të bërit biznes”, – shprehet z. Mankollari nga DIHA.

Për Ambasadën e Holandës, raporti i fundit i Komisionit Europian për vendin tonë mund të japë orientim më të mirë për përmirësime që mund të bëhen.

“Shqipëria ofron mundësi, si për pozicionin e saj gjeografik, ashtu edhe për kontekstin aktual gjeopolitik. Në lidhje me mundësitë për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri, ne sugjerojmë që të hedhim një vështrim në vlerësimin e bërë nga Komisioni Europian në raportin e tij të fundit për Shqipërinë, si pjesë e paketës së zgjerimit”, – thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Shqipëria riformulon ofertën për investimet, kalon para turizmin dhe bujqësinë

Oferta e Shqipërisë për investitorët e huaj, e konceptuar çdo vit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka renditur një sërë sektorësh me potencial. I pari në renditje është energjia.

Por duket se zhvillimet pozitive të këtij viti me turizmin kanë riformuluar ofertën turistike, sektorët kanë mbetur thuajse të njëjtë, por renditja e tyre ka ndryshuar.

Një broshurë e fundit e AIDA në lidhje me investimet e huaja dhe sektorëve me potencial rendit turizmin. Në vend të dytë renditet bujqësia dhe më pas vjen energjia. Me radhë në listë vijojnë manifaktura dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit, si dhe shërbimet outsourcing.

Broshura sjell në vëmendje klimën e favorshme të vendit, lidhjet ajrore përmes Aeroportit të Tiranës dhe Kukësit, burimet natyrore të nëntokës, si dhe vijën bregdetare prej 316 kilometrash.

Oferta nënvizon klimën pozitive të investimeve, pozicionin e favorshëm gjeografik, si dhe kapitalin human ku theksohet se 46% e popullsisë është nën 35 vjeç, gjuhët e huaja që fliten si anglishtja, italishtja, greqishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja që mësohen në shkolla, si dhe të rinjtë në universitete.

Në lidhje me investimet e huaja, Shqipëria duket se vazhdon t’u mëshojë dy politikave të saj të nisura prej kohësh të tilla si: Shqipëria 1 euro dhe statusi i investimeve strategjike.

Në ofertë nënvizohet se skema 1 euro mbetet në fuqi, incentivat për investimet strategjike, si dhe incentiva të posaçme sektoriale.

Një tjetër element që vihet në dukje është kostoja konkurruese e krahut të punës. Në broshurë nënvizohet se Shqipëria ka nivele konkurruese të tatimit mbi të ardhurat, kontribute nga orët shtesë dhe sigurimet shoqërore.

Po kështu ka arsim profesional në disa sektorë specifikë, si dhe nivele të pagës nga më konkurrueset në rajon dhe një forcë punëtorë produktive.

Investimet e Huaja Direkte arritën në gati 1.1 miliardë euro për 9-muaj

Investimet e Huaja Direkte u rritën përsëri në tremujorin e tretë të vitit dhe për herë të parë kaluan vlerën e 1 miliard eurove gjatë periudhës 9-mujore.

Për 9-mujorin 2023, vlera progresive e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 1 miliardë e 88 milionë euro, shifër 10.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas informacionit paraprak nga Banka e Shqipërisë, në tremujorin e tretë 2023, flukset valutore hyrëse në formën e Investimeve të Huaja Direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e hidrokarbureve, në masën 15%, sektorin e energjetikës, në 14%, si dhe ndërmjetësimit financiar, në 10%.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se Holanda ka kryesuar investimet e huaja direkte në Shqipëri pesë vite radhazi.

Investimet direkte holandeze në tremujorin e tretë të vitit 2023 arritën në 87 milionë euro, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Ndërsa për gjithë 9-mujorin 2023 ato prekën vlerën e 212 milionë eurove, 44% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Dominimi i Holandës në renditjen e investitorëve të huaj lidhet kryesisht me faktin se ky shtet është juridiksion i preferuar për regjistrimin e kompanive offshore, për arsye fiskale, por edhe për çështje të ruajtjes së konfidencialitetit mbi aksionerët.

Disa korporata të rëndësishme me aksionerë të huaj në Shqipëri kontrollohen nëpërmjet shoqërive holding të regjistruar në Holandë.

Megjithatë, vlerësohet se një ndikim në rritje mund të ketë edhe një prej investitorëve të paktë të mirëfilltë holandezë, kompania e industrisë nxjerrëse Shell, që po kryen investime të konsiderueshme për kërkimin e naftës në zonën e Shpiragut.

Holanda është bërë në tremujorin e tretë 2023 edhe shteti që kryeson stokun e investimeve të huaja direkte, me një vlerë totale prej pothuajse 2.1 miliardë eurosh, në rritje vjetore me 27%.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se investitori i dytë më i madh i huaj në 2023 është Italia.

Për 9-mujorin investimet italiane kishin vlerën e 151 milionë eurove. Flukset e investimeve italiane janë rritur me 54% krahasuar me 9-mujorin 2022. Ndërsa stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.39 miliardë euro, në rritje me 26% krahasuar me 2022.

Por, ndryshimi më i rëndësishëm në origjinën e investimeve të huaja është rikthimi i investimeve turke. Për 9-mujorin 2023, flukset e reja të investimeve turke kishin vlerën e 126 milionë eurove.

Në të njëjtën periudhë të vitit 2022, flukset e investimeve turke kishin vlerë negative prej 3 milionë eurosh, të shkaktuar kryesisht nga shitja e aksioneve të kompanisë Albtelecom nga konsorciumi turk CETEL.

Por, në 2023, flukset e investimeve turke janë rritur ndjeshëm. Pas largimit nga sektori i telekomunikacioneve, ndërmarrjet turke vazhdojnë të kenë një rol të rëndësishëm në sektorin financiar, atë energjetik, në industrinë nxjerrëse, etj.

Stoku i investimeve turke ka arritur vlerën e 968 milionë eurove, në rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.

Ndërmarrjet me aksionerë austriakë për 9-mujorin 2023 sollën flukse të reja investimesh në vlerën e 88 milionë eurove, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022. Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik, në shërbimet e hotelerisë, ndërtimit, etj.

Stoku i investimeve austriake ka arritur në 800 milionë euro, 20% më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm.

Kosova renditet në vendin e katërt në listën e investitorëve të huaj, me një fluks investimesh të reja prej 50 milionë eurosh për 9-mujorin 2023. Investimet nga Kosova janë të përqendruara kryesisht në sektorin e tregtisë dhe ndërtimit. Stoku i investimeve nga Kosova ka rritur në 277 milionë euro, në rritje vjetore me 46%.

Investitori i pestë më i madh deri tani për vitin 2023 është SHBA, me një fluks investimesh prej 47 milionë eurosh për 9-mujorin.

Investimet nga SHBA janë rritur me 17.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Stoku i tyre kumulativ në fund të tremujorit të tretë arriti në 259 milionë euro, në rritje vjetore me 29%./MONITOR

 

Investimet e huaja direkte 9 mujori mln euro 1114
Artikulli paraprak“McGonigal”/ “SPAK duhet t’i shkojë çështjes deri në fund, të tregojë rolin e Ramës”, Lala paralajmëron “furtunë”: Ne hetim dhe…
Artikulli tjetërNjihuni me Emiljana Ulajn, shqiptaro-amerikania e dytë në Këshillin e Bashkisë së Uestçesterit