Zëri më produktiv i buxhetit, shpenzimet kapitale këtë vit po tregon dobësi të theksuar teksa disa ente publike që ofrojnë shërbime jetike si spitalet po kalojnë vështirësi.
Në tremujorin e parë të vitit 2023 buxheti i shtetit ka alokuar vetëm 4,8 miliardë lekë investime. Kjo shumë është 71 për qind më e ulët se, plani i tremujorit 2024, ndërsa ishte gjithashtu 61 për qind më e ulët se fakti i vitit të kaluar në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, investimet e tremujorit të parë 2024 ishin më të ulëtat që nga tremujori i parë i vitit 2019, por ndërkohë fondi i investimeve kapitale këtë vit është më i madhi në histori.
Ecuria e deritanishme e fondit të investimeve kapitale sinjalizon për përqendrim të alokimeve në fund të vitit duke hedhur dyshime për eficencën e përdorimit të tyre.
Teksa ka kaluar 1 e katërta e vitit, buxheti ka shpenzuar vetëm 3.6 për qind të programit vjetor të investimeve prej 145 miliardë lekësh.
Historia e përdorimit të fondit të investimeve publike tregon se në tremujorin e parë alokimet kanë vështirësi për shkak të vonesave në prokurime. Por këtë vit ecuria e investimeve ka qenë shumë e dobët se të gjithë tremujorët e parë të 15 viteve të fundit.
Burimet nga entet publike pohojnë se ka hezitim për të firmosur tenderët nga frika e SPAK.
Struktura e Posaçme e Hetimit të Korrupsionit ka hetuar skema alarmante të abuzimeve me taksat e shqiptarëve nëpërmjet prokurimeve publike. Korrupsioni në prokurime nga pagesat e përqindjeve nën dorë ka kaluar në nivele të tilla, ku zyrtarët krijojnë kompani dhe kanalizojnë të gjithë tenderin si përfitim vetjak.
Shqipëria vitet e fundit ka përmirësuar arkëtimin e të ardhurave buxhetore në vlerë si rrjedhoje e rritjes ekonomike dhe inflacionit të lartë, por rishpërndarja e taksave mbetet shume problematike.
Institucionet financiare ndërkombëtare nga ana tjetër kanë rritur shqetësimet se menaxhimi i kornizës së investimeve publike përballet me dobësi në të gjitha fazat që nga klasifikimi i projekteve deri tek zbatimi i tyre.
Në analizën e plotë të rishikimit të programit me Shqipërinë këtë vit Fondi Monetar ndërkombëtar referoi se SPAK ka vërtetuar shqetësimet e mëparshme se korrupsioni ka rritur koston e investimeve publike. “Ndjekjet penale të kohëve të fundit në profilin e lartë nga SPAK që përfshijnë disa nga projektet më të mëdha të PPP-vë në vend, tregojnë se si korrupsioni, i shoqëruar me një kuadër të dobët kornizës së investimeve mund të rrisë koston e investimeve publike” vuri në dukje FMN në janar 2024./Monitor