Shpërblim për Izmir Smajlajn

Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, ka pritur në një takim kampionin e Europës në atletikë, Izmir Smajlaj. Triumfi i atletit shkodran, i cili në fundjavë fitoi medaljen e artë në kërcimin së gjati në Kampionatin Europian të Atletikës në Beograd është përshëndetur edhe nga kryebashkiakja shkodrane, e cila organizoi një pritje zyrtare për kampionin, trajnerin e tij, Vildan Tufi dhe babanë Muhamet Smajli.
Kryebashkiakja Ademi i premtoi Smajlajt mbështetjen e saj nga tani e në vazhdim për ta mbështetur financiarisht. “Jam shumë krenare që Izmir Smajlaj arriti të shpallet kampion Europe duke bërë krenar çdo shkodran e çdo shqiptar. Besoj se është një ndjenjë e jashtëzakonshme dhe që është pjesë e traditës shkodrane. Ne jemi munduar të mbështesim talentet dhe do ta bëjmë patjetër edhe për Izmir Smajlajn. Po përpilojmë diçka dhe do ta paraqesim për miratim në Këshillin Bashkiak që është një mbështetje financiare. Po ashtu, ajo që do të përpiqemi të bëjmë është edhe nëpërmjet bizneseve apo çdo mundësie tjetër që t’i krijojmë kushtet e duhura kampionit që na nderoi dhe na dha shumë emocione. Këto ditë kemi edhe një tryezë të hapur për ligjin e sportit, ku ftojmë të gjithë të marrin pjesë për të dhënë mendimet e tyre se si mund të zgjidhen problemet që ka sporti. E di që ka shumë për të bërë, por garantoj se ne do të bëjmë maksimumin”, tha kryebashkiakja Ademi.
Nga ana tjetër, vetë kampioni Smajlaj ndihet i kënaqur që tashmë po kthehet vëmendja ndaj tij. “Ndihemi mirë kur na presin dhe na vlerësojnë. Nëse do të kem vëmendjen e duhur, premtoj se rezultatet do të vijojnë që të jenë të larta. Shpresoj që të vazhdojmë kështu”, tha Smajlaj.
Mbështetje për kampionin e Europës në zyrën e kryebashkiakes e kërkoi edhe trajneri i tij, Vildan Tufi. Në Europianin e 34-t të sallave të mbyllura në Beograd, Smajlaj do të arrinte rezultatin 8.08 metra, për më tepër në hedhjen e fundit.

Artikulli paraprakNga dajrja..te vetingu..!
Artikulli tjetërBernadeschi te Interi për 40 milionë euro