Shpërfillja cinike e Edi Ramës ndaj Ramush Haradinajt

Kryeministri Edi Rama është udhëheqësi i fundit i Shqipërisë që reagoi për dorëheqjen e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj— një ngjarje që ishte lajm i rëndësishëm botëror dhe e komentuar menjehërë nga politikanë shqiptarë dhe të huaj.

Por në mënyrë befasuese, komenti i Kryeministrit Rama është i përgjithshëm, pa asnjë referencë të drejtpërdrejtë ndaj Zotit Haradinaj dhe me fjalë dogmatike e boshe:

 “Këto ftesa në radhë nga Haga për protagonistët e UÇK, janë një sfidë e re e çdonjërit prej të thirrurve, në vazhdën 20-vjeçare të betejës së pasluftës, për të provuar deri në fund pafajësinë e tyre. Por janë edhe një sfidë e papërfunduar kombëtare në anën e duhur të historisë.”

Mesazhi duket si fjalë të detyruara sa për të “larë gojën”, pa asnjë simpati apo solidarizim të drejtpërdrejtë për Zotin Haradinaj.

Marrëdhëniet mes Zotërinjve Rama dhe Haradinaj kanë ardhur duke u acaruar prej muajsh për shkak të qendrimeve të kundërta të tyre në lidhje me shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Zoti Rama është dakord për shkëmbimin e territoreve dhe ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të kësaj ideje.

Madje ka patur zëra të ndryshëm që shprehen se ideja ka lindur fillimisht në diskutime mes tij dhe presidentit serb Vuçiç, me të cilin Zoti Rama ka një marrëdhënie të ngushtë miqësore.

Nga ana e tij, Zoti Haradinaj ka kundërshtuar me forcë çdo ide për ndryshimin e kufijve të tanishëm të Kosovës dhe ka denoncuar treshen Rama-Thaçi-Vuçiç për këtë plan.

Marrëdhëniet mes zotërinjve Rama dhe Haradinaj u ashpërsuan më tej pasi qeveria e Kosovës vendosi taksë 100 për qind për importet serbe, si ndëshkim për përpjekjen e suksesshme të Serbisë për pranimin e Kosovës në Interpol.

Serbia ka arritur të pengojë anëtarësimin e Kosovës në thuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare përfshi Kombet e Bashkuara.

Kryeministri shqiptar i ka bërë presion atij Kosovar për të hequr taksën dhe mundësuar kështu rifillimin e bisedimeve Serbi-Kosovë. Përpjekja e fundit, në samitin ballkanik të Parisit çoi në shkëmbime kritikash dhe akuzash reciproke pas takimit, çfarë ftohu mëtejshme marrëdhëniet mes tyre.

Pavarësisht këtyre mosdakordësive, është e rëndë që Kryeministri shqiptar shpërfill dhe nuk afron asnjë mbështetje të drejtpërdejtë për Zotin Haradinaj.

Akoma më e rëndë është kjo shpërfillje cinike, në kushtet kur Zoti Haradinaj po thirret për t’u hetuar për krime të supozuara gjatë luftës së UÇK-së kundër forcave të Milosheviçit, gjatë kohës kur Presidenti Vuçiç, me të cilin Zoti Rama ka marrëdhënie të ngushtë, shërbente si Ministër i Informacionit të Milosheviçit.

/Exit

Exit mobile version