Shpërndahet bonusi i pranverës, pensionistët të pakënaqur: Nuk mjafton as për ilaçet e dritat

Ish-mësuesja e fizikës, Pashako, e cila merr rreth 29 mijë lekë pension, mori këtë muaj edhe 5 mijë lekë më shumë nga qeveria. Por, këto para nuk e bëjnë atë më optimiste se e nesërmja do të jetë më mirë.

“Tani, juve jetoni këtu dhe e dini se si janë çmimet. Është e kotë që unë të bëj një komunikim tjetër. Për pensionistët është vetëm gropa. Kështu sillen ata që kanë pushtetin”, thotë ish-mësuesja për A2 CNN.

Nga kjo e hënë, të moshuarit që marrin pension deri në 20 mijë lekë, do të marrin 10 mijë lekë shtesë në pranverë. Kush merr më shumë se 20 mijë lekë pension, do të përfitojë edhe 5 mijë lekë të tjera si bonus.

Ish i dënuari politik Jashar Asini dhe shitësja Flurura kanë përfituar nga 10 mijë lekë për shkak të pensionit të ulët. Por, edhe ata janë të pakënaqur: “Për dy ditë prishen. Me ushqimet që duhen blerë. Vetëm për ilaçe nuk dalin. Vetëm drita muajin e shkuar kam pagur 150 mijë lekë. Ça bonusi aman…”

Teksa e vlerësojnë si të nevojshëm bonusin, ekspertë të ekonomisë kërkojnë rritje të pensioneve për të zbutur varfërinë te të moshuarit.

Romina Radonshiqi, eksperte për ekonominë, thekson: “Bonusi jepet një muaj dhe kaq. Në rregull, ndihmë është, por nuk zgjidh asgjë. Ata kanë nevojë për diçka të përhershme. Nuk duhet më indeksim, por rritje reale të pensioneve.”

Ky bonus do të mund të tërhiqet deri më 30 shtator të këtij viti. Ndërkohë, për të gjithë pensionistët që nuk kanë tërhequr ende bonusin e fundvitit, afati i fundit për ta marrë është 30 qershor 2025.

Artikulli paraprakRaporti i OBSH/ Shëndetësia dërrmon shqiptarët, populli më në vështirësi në Europë