Shpërthen Benzema!

Për Karim Benzema nuk kishte mënyrë më të mirë për ta mbyllur sesonin se triumfi në Champions League. I përfshirë në çështjen e shantazhit ndaj Valbuenas, 28-vjeçari mori një goditje të rëndë, pasi nuk u grumbullua nga Franca për Euro 2016. Për të Reali i Madridit ishte streha e duhur për ta kaluar këtë periudhë të vështirë me një sukses të jashtëzakonshëm në turneun më të rëndësishëm për klube.
“Në jetë duhet të mësosh nga gabimet dhe në momentet më të vështira duhet të reflektosh. Tani jam shumë i qetë, kam fituar trofenë më të rëndësishëm me klubin tim, ndërsa në Francë janë treguar të padrejtë me mua. Mora një goditje në Botërorin e Afrikës së Jugës, por kjo që ndodhi para Europianit ishte edhe më e rëndë. Tani më duhet të ringrihem dhe të fitoj gjithçka mundem në karrierën time”, u shpreh Benzema.
Benzema i kursen sulmet ndaj trajnerit Deschamp dhe e lidh vendimin për ta lënë jashtë kombëtares edhe me situatën politike që po kalon Franca. “Deschamps u dorëzua para presionit të një pjese raciste të Francës. Duhet ta dini që në Francë, Partia Ekstremiste arriti deri në raundin e dytë në zgjedhjet e fundit. Nuk mendoj se ishte thjesht një vendim i trajnerit, sepse me të, por edhe me presidentin e Federatës ia kam kaluar shumë mirë”, tha sulmuesi i Real Madridit.
Megjithatë, Benzema nuk ia mbyll derën kombëtares, ai do të jetë i gatshëm për “Gjelat” nëse do t’i vijë një ftesë në të ardhmen. “Në planin sportiv nuk e kuptoj pse s’jam grumbulluar, ndërsa në planin gjyqësor, ende nuk jam shpallur fajtor. Në momentin që do të mendojnë se mund të grumbullohem, do të jem gati. Më pëlqen futbolli dhe të luaj me përfaqësuesen time. Në rrjetet sociale kam më shumë se 40 milionë fansa, ndërkohë që thonë se njerëzit nuk më duan. Kjo është qesharake. Trajneri ka patur shumë presion, por është edhe faji i disa gazetarëve që kanë shpikur gjëra që nuk janë të vërteta”, tha Benzema.
Në fund, Benzema foli për një marrëdhënie të shkëlqyer me Zinedine Zidane, të cilin e konsideron vëllain e madh, ndërsa thumboi Mathiew Valbuenan për qëndrimin që mbajti ndaj tij.

Artikulli paraprakFranca në Austri, Deschamp kërkon qetësi
Artikulli tjetërSadiku “trazon mendimet” e De Biasit