Shpërthen La Skala

Mbledhja e djeshme e bordit të aksionerëve të Milanit, ku u shty shitja te grupi kinez, ka kaluar në një sherr të vërtetë, në një nervozizëm që as fjalët e Adriano Galianit në përfundim të takimit nuk mund ta qetësonin. “Për momentin nuk ekziston asnjë lloj mundësie apo rreziku që të dështojë tratativa me ‘Sino-Europe’. Prandaj, qëndrojmë të qetë dhe vazhdojmë të bisedojmë”, u shpreh numri dy i kuqezinjve.
Gjithsesi, debati brenda në sallë ka qenë shumë i ashpër dhe atë që zbuloi media, e konfirmoi përpara mikrofonave edhe vetë përfaqësuesi i aksionerëve të vegjël, Xhuzepe la Skala. “Është një idiotësi ta fshehim se ‘Fininvest’ ka një nevojë të dëshpëruar për ta shitur klubin. Ata nuk duan dhe mbi të gjitha, nuk kanë mundësinë të nxjerrin nga xhepi një çek prej 75 milionë eurosh për të mbyllur deficitin financiar të këtij sezoni. Dhe ne, aksionerët e vegjël, nuk mund të rrimë duarkryq ndërsa shohim se ‘Mediaset’ dhe ‘Mondadori’, apo të gjitha kompanitë e tjera që mbulojnë financat e skuadrës nuk sjellin të ardhura për të mirën e klubit”, deklaroi La Skala.
Ai e shtoi edhe më shumë dozën: “Ka ardhur koha që në këtë tratativë të hidhen hapa konkretë. Milani nuk mund të ecë më përpara me një president 80-vjeçar si Berluskoni dhe me një administrator 70-vjeçar si Galiani. Një shoqëri futbolli moderne nuk administrohet me dy persona që bëjnë 150 vjeç së bashku. Bota e futbollit ka ndryshuar. Ju duket se standardet e Milanit janë ato që i nevojiten një klubi modern dhe të madh për të mbijetuar?!”.
La Skala i pati vënë edhe në mbledhje me shpatulla pas murit Galianin, duke i kërkuar: “Jemi dakord që të presim kinezët, por më jep një përgjigje dhe ne do t’ju mbështesim: Çfarë do të bëhet me kontratën e Donarumës?”. Dhe administratori tentoi më kot të driblonte: “Nuk jemi mbledhur sot për këtë”. Me pak fjalë, situata te Milani është rënduar shumë.
3 marsi duhet të ishte dita e shumëpritur për tifozët e Milanit, por papritur nga një ditë e bukur me diell u shndërrua në një ditë të zymtë. Ajo që tashmë dihej u zyrtarizua në asamblenë e aksionerëve të mbajtur në Casa Milan. Marrëveshja për shitjen e klubit kuqezi te kinezët që ishte parashikuar për t’u realizuar me sukses pikërisht më 3 mars, ka dështuar dhe është shtyrë për një datë pa afat. Lajmi u bë publik nga administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galliani, i cili në përfundim të asamblesë u shfaq përpara mediave duke theksuar: “Nuk janë verifikuar kushtet për mbylljen e marrëveshjes me grupin kinez ‘Sino Europe Sports’, por ‘Finivest’ kompania që ka në pronësi aktualisht aksionet e Milanit po punon me këtë grup në kohë shumë të shkurtër”. Fjalë këto të Adriano Gallianit, njeriut që e di më mirë se kushdo tjetër se kalimi i Milanit në duart e kinezëve do të jetë proces i vështirë dhe i ndërlikuar.

Artikulli paraprakRumania, një histori suksesi për Shqipërinë
Artikulli tjetërVenger i mbyll derën Barcelonës