Shpërthen Lautaro: Nuk ka më drejtësi për “Topin e Artë”, prisja renditje më të mirë

Lautaro Martinez u rikthye të gjente golin dhe të ishte sërish vendimtar për skuadrën e Interit, ashtu si në kohët e arta.

 

Kapiteni zikaltër dha një asist dhe shënoi 1 gol duke qëndruar në fushën e lojës për 90 minuta. Ai foli për “DAZN” për ndeshjen, por jo vetëm. Lauti e ka vlerësuar Empolin si një nga ekipet më në formë të Italisë dhe nuk ishte aspak e lehtë.

“Empoli është një skuadër në shëndet dhe shumë e vështirë për t’u përballur. Është skuadër fizike dhe që luan shumë mirë në mesfushë. Por ne e kishim përgatitur mirë, por pastaj me një lojtar më shumë në fushën e lojës ishte më e lehtë për ne”, ka thënë Lautaro.

TOPI I ARTË- Një nga temat e diskutimit ishte edhe renditja e tij në “Topin e Artë” ku u pozicionua në vendin e shtatë. Ai bën ironi duke thënë se ka vend për përmirësim.

“Sinqerisht prisja që të renditesha pak më lart, por ndonjëherë këto çmime nuk vendosen në mënyrën e duhur dhe të drejtë në shumicën e rasteve”, tha Lautaro duke e mbyllur diskutimin.

FORMA- Nisja e sezonit për të ishte për t’u harruar, por pak nga pak është duke qenë vendimtar ashtu si në sezonin e vitit të kaluar.

“Jam i lumtur sepse po rigjejë formën. Kam ardhur shumë vonë në fazën përgatitore pas një sezoni të gjatë me Interin dhe në finalen e Kupës së Amerikës. Lodhja ishte e dukshme. Por jemi duke punuar të gjithë për të qenë në formë, për të dhënë maksimumin. Kampionati është shumë i gjatë dhe ne kemi besim për të mbërritur deri në fund dhe me objektiva të rëndësishëm”, përfundoi kapiteni i Interit.

Exit mobile version