Stefano Piolit i kanë mjaftuar pak javë për të kuptuar se sa shumë punë ka për të bërë për të rregulluar diçka te Interi ku gjithçka duket e shkatërruar. Eliminimi i zikaltërve nga Liga e Europës tregoi pikërisht se trajneri do të duhet të vuajë shumë derisa të fillojnë të vijnë rezultatet bindëse dhe ai nuk e fshehu aspak mërzinë e tij ndaj lojtarëve pas disfatës me Hapoel Ber Sheva duke i kritikuar hapur.
“Nuk bëhet kështu, u treguam mendjemëdhenj, ndalëm së luajturi dhe kjo nuk është aspak e pranueshme. Kishim në këmbë topin e 3-0, nuk u konkretizua dhe ndalëm së luajturi, duhet të punojmë shumë. Nuk mund të luajmë dy ndeshje në një, me dy fytyra të ndryshme. Në pjesën e parë ecëm shumë mirë, në të dytën ndodhi e kundërta. Problem fizik? Jo. Në minutat e fundit, në 10 kundër 11 kishim edhe mundësi shënimi. Problemi është në kokë dhe aty duhet të përmirësohemi. E kaluara nuk ka vlerë dhe nuk jemi të kënaqur me punën tonë. Nuk luajtëm si Interi, u tërhoqëm shumë duke i dhënë mundësinë kundërshtarëve tanë të merrnin zemër. Ky nuk është Interi”, ishte shpërthimi i trajnerit pas ndeshjes.
Ditën e enjte, Interi theu një traditë të mirë të ndërtuar prej vitesh. Në dhjetë sezonet e fundit që kishin marrë pjesë në kompeticionet europiane (Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës), Interi kurrë nuk ishte eliminuar që në fazën e parë.
“Në minutat e para, Interi luajti mirë dhe u duk qartë se donim që të merrnim fitore. Për plot 50 minuta zhvilluam një lojë të mirë, por në vazhdim luajtëm pa personalitet. Fraksioni i dytë ishte për t’u harruar. Ajo që na ndodhi sot nuk është një fenomen që përsëritet rrallë. Për fatin tonë të keq jemi shumë të brishtë nga ana psikologjike”, tha Mauro Ikardi.
“Tani duhet që të harrojmë këtë humbje therëse dhe të vazhdojmë të punojmë, pasi vetëm kështu do të kemi shans që të rikthehemi në vendin që na takon”, përfundoi sulmuesi.