Shpërthen revolta: Nuk po ngopim fëmijët me bukë, dyqanet nuk na japin më borxhe…

Anëtarë të komunitetit rom kanë dalë sot sërish në protestë në afërsi të rrugës ”Jordan Misja”, për shkak se sipas tyre nuk kanë mundësi që të ushqehen, në një kohë kur nuk kanë asnjë mundësi se ku të punojnë.

Shumica e tyre jetojnë me qera, dhe shtojnë se e kanë të pamundur që të paguajnë muajin, dhe gjenden edhe përballë rrezikut që ti nxjerrin nga shtëpia.

Një pjesë e tyre kanë punuar më herët në treg, por që me mbylljen e lëvizjeve, nuk kanë se me çfarë të sigurojnë jetesën e përditshme.

“Kam 5 ditë e izoluar, po ha pensionin e babit, po a mbahen fëmijët me një pension, jemi 5 veta. A gënjehen fëmijët me lëpirëse, jemi edhe qiraxhinjë, po nuk paguam na nxjerrin nga shtëpitë”, shprehet një grua, e cila mban në krahë dhe një fëmijë të vogël.

“Qëkur ka filluar izolimi nuk ngopim fëmijët me bukë, unë kam 8 fëmijë të vegjël, ku ti çoj unë, kërkojmë ndihmë nga Edi Rama, ose kushdo që ka mundësi. Ne do të dalim prapë në protestë, duam që dhe fëmijët tanë të jetojnë si gjithë të tjerët”, tha një tjetër anëtarë e komunitetit rom për gazetarin e Fax News Sokol Dema.

Banorët thonë se tashmë as dyqanet nuk u japin mallra veresie, dhe janë të detyruar që fëmijëve t’iu mbajnë shpirtin gjallë vetëm me ujin e çezmës.

”Jemi duke e mbajtur shpirtin gjallë vetëm me ujin e çezmës, dyqanet nuk na japin më borxhe, policët na morën me dhunë dhe na hoqën nga rruga. Njerëz jemi dhe në, nuk jemi qenë”, thotë një tjetër qytetare.

Banorët nuk janë kundër maasave të marra nga ana e qeverisë, por thonë se e kanë të pamundur që të kujdesen dhe për rregullat më minimale të higjenës së tyre.

“Jemi dakord për çfarë thotë kryeministri, edhe ne kemi qejf të vëmë maska, të dizinfektohemi, por ne nuk kemi bukë. Ne jemi me qera, qiraxhiu do lekët, ne nuk kemi dalë me lypë, po të hapi rrugët ai ne do të kthehemi në punë, skemi nevojë për ndihmë”, përfundon një prej banorëve.

Policia ka qenë edhe sot, njësoj si mbrëmë në këtë zonë, dhe është përpjekur që të shpërndajë banorët, pasi një nga masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit është dhe shmangia e grumbullimeve të njerëzve.

Exit mobile version