“Shpërthen” Simeone

Diego Simeone nuk e ka përtypur aspak mirë barazimin 1-1 që regjistroi Atletico e Madridit në “Camp Nou” ndaj Barcelonës, në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit, rezultat ky që e eliminoi skuadrën kryeqytetase nga Kupa e Mbretit, pasi Barcelona kishte fituar me shifrat 2-1 në “Vicente Calderon” një javë më parë. Në fund të ndeshjes El Cholo nuk është përmbajtur dot duke sulmuar drejtpërdrejtë gjyqtarët e sfidës, por edhe skuadrën blaugrana në konferencën për shtyp. Atletico në fakt u penalizua shumë nga gjyqtari Manzano dhe asistentët e tij në mbrëmjen e të martës, pasi kishte shumë episode për të cilat Simeone ankohet me të drejtë.
“Gjyqtarët mund të gabojnë, por gabimet e tyre do të mbahen mend, tashmë e kuptoj se përse kemi më shumë shanse në Champions League për të fituar se në La Liga dhe në Kupën e Mbretit”, theksoi trajneri argjentinas. Deklarata të forta këto të Simeones, të cilit nuk i ka pëlqyer aspak mënyra se si arbtiri Manzano ka gjykuar sfidën e zhvilluar në “Camp Nou”. Irritimi i 46-vjeçarit ka të bëjë me një episod të minutës së 59-të, kur Griezmann iu anulua një gol për një pozicion jashtë loje inekzistent.
Nëse ai gol do të jepej i rregullt me lojën që po zhvillonte Atletico edhe mund të ishte kualifikuar sepse Barça ishte në fushë me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Sergi Robertos, ndërkohë që rezultati ishte 1-0 në favor të katalanasve. 10 minuta më pas forcat në fushë u barazuan pas kartonit tjetër të kuq që mori Ferreira Carrasco, ndërkohë që nuk duhet harruar fakti që Gameiro shpërdoroi një 11-metërsh në minutën e 80-të duke goditur shumë keq. Episod ky që mund të ndryshonte fatet e takimit. Në fund Barça mbeti me 9 lojtarë pas daljes me të kuq të Luis Suarez, por Los Colchoneros nuk shfrytëzuan rastet që kishin duke mos arritur ta çonin ndeshjen në shtesë.
U mendua se do të ishte e lehtë sigurimi i biletës për finalen e Kupës së Mbretit për Barcelonën pas fitores së ndeshjes së parë në transfertë ndaj Atletico-s, por nuk rezultoi kështu. Edhe një herë tjetër, ekipi i drejtuar nga Simeone tregoi se kurrë nuk dorëzohet. Ndeshja e kthimit Barcelona-Atletico i pati të gjitha, spektakël, gola dhe sigurisht tension i shoqëruar me 3 kartonë të kuq. Në fund, ndeshja u mbyll në barazim 1-1 dhe ishte Barça skuadra që siguroi finalen. Suarez shënoi dy minuta para fundit të pjesës së parë, duke e shfrytëzuar maksimalisht topin e kthyer nga portieri pas goditjes së Messi-t.
Pjesa e dytë foli për Atleticon, të cilët patën mundësi të shënonin nga 11-metërshi me Gameiro-n në minutën e 80, por francezi gaboi. Vetëm 3 minuta më pas, Gameiro gjen golin e barazimit. Në minutat e mbetura, Atletico e rriti ndjeshëm presionin, por goli i dytë nuk erdhi dhe ishte Barça që siguroi finalen. Katalanasit e mbyllën këtë takim me 9 lojtarë pas daljes me të kuqe të Sergi Roberto-s e Suarez në fundin e ndeshjes, ndërsa Carrasco u ndëshkua me të kuq për Atleticon.

Artikulli paraprakBajerni dhe Hamburgu në çerekfinalet e Kupës
Artikulli tjetërLahm zyrtarizon tërheqjen nga futbolli