Shpërthim tritoli në banesën e oficerit të policisë në Rinas

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm në shtëpinë e një polici që shërben në Rinas. Persona të panjohur për policinë kanë vendosur një sasi eksplozivi në katin e dytë të saj, rreth orës 2:25 minuta të mëngjesit. Shpërthimi i fortë që u dëgjua në të gjithë Fushë–Prezën shkaktoi vetëm dëme materiale në shtëpinë e efektivit të policisë, Arben Kajmaku.
Policia nisi hetimet për rastin, por ende nuk ka të dhëna mbi shkaqet apo autorët e mundshëm. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka ngritur dyshimin se lënda shpërthyese, duhej të ketë qenë rreth 100 gramë. Sipas rrëfimit të të afërmve, ajo dyshohet se mund të jetë hedhur nga jashtë rrethimit të banesës. Vetë Kajmaku ka pohuar se nuk ka konflikte apo probleme private, apo që lidhen me detyrën e tij.
Policia bëri të ditur se, rreth orës 02:25, ka ardhur një telefonatë tek numri i emergjencave 112, në Fushë-Prezë, është dëgjuar një shpërthim. Menjëherë janë dërguar Shërbimet e Policisë, të cilët kanë konstatuar se në katin e dytë të banesës së shtetasit A. K., me detyrë Punonjës Policie në Rinas, dyshohet se i kanë vendosur një sasi të vogël lëndë eksplozive. Nga shpërthimi i kësaj lënde të dyshuar eksplozive, ka patur vetëm dëme të lehta materiale.
Agjenti i krimeve të Komisariatit të Policisë Kufitare të Rinasit, i cili tha se ai dhe familja e tij ndjehen të shokuar për ngjarjen. 42-vjeçari tha se, ai nuk ka konflikte me asnjë person dhe nuk e di nëse sulmi i ka ardhur për shkak të detyrës. E paqartë mbetet mënyra që autorët kanë vendosur sasinë e vogël të lëndës eksplozive, duke qenë se banesa është e rrethuar. Ata mund ta kenë hedhur nga jashtë sasinë e tritolit, ndërsa, sipas burimeve nga grupi hetimor, nuk përjashtohet mundësia që autorët të kenë ngatërruar banesë. Hetimet janë fokusuar në pistën e sulmit për shkak të detyrës si agjent krimesh në Komisariatin e Rinasit.
Shpërthimet me tritol janë kthyer në të gjithë vendin. Para një jave, një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Fushë-Krujës, duke krijuar frikë dhe panik tek banorët. Eksplozivi ka shpërthyer në qendër të qytetit, ku si pasojë u dëmtuan pesë mjete që ndodheshin të parkuara pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Në të njëjtën ditë u hodh në erë me eksploziv makina e nëndrejtorit të ALUIZNI-t në Durrës, Gerti Aleksi. Makina që u hodh në erë me tritol ishte e bashkëshortes së nëndrejtorit, por ajo përdorej nga ai. Burime nga grupi hetimor thanë se, hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë përqendruar në dy drejtime, konflikte të krijuara nga pozicioni i tij i punës, apo për probleme personale të vetë Aleksit.

Exit mobile version