Shpërthimet gjatë nxjerrjes së gurit në Dimal dëmtojnë banesat e zonës

Nga Vladimir Karaj

Aktiviteti i guroreve në zonën e pyllëzuar në Bashkinë e Dimalit. Foto Ilustruese E.Azizolli

Disa shpërthime të një pas njëshme janë dëgjuar pas mesnatës së të premtes në fshatin Pashalli, të Bashkisë Dimal, në Qarkun e Beratit.

Banorët e zonës u përballën në mëngjes me ndrojtje pluhuri në fshat, ndërsa në pesë banesat më të afërta të një subjekti të nxjerrjes dhe përpunimit të gurit, u konstatuan dëmtime. Pranë Postës së Policisë së Dimalit mësohet se banorët e pesë banesave bënë denoncimin për dëmtime në pronat e tyre.

“Në fshatin Pashalli dyshohet se janë kryer shpërthime me lëndë plasëse dhe si pasojë janë dëmtuar disa banesa”, tha Policia Vendore e Policisë së Qarkut të Beratit, në një informacion të shpërndarë për mediat parditen e së hënës.

Burime nga Posta e Policisë së Dimalit bënë me dije për BIRN se ankesat e banorëve të zonës kanë qenë të shumta kohët e fundit për shkak të ndotjes që vjen si rezultat i pluhurit që shkaktohet në ajër, gjatë kohës që subjektet vënë në punë pajisjet, ndërkohë që për rastin e fundit akuzojnë se janë përdorur dhe lëndë plasëse.

Policia Vendore e Policisë së Qarkut të Beratit bëri me dije se ka nisur hetimet për këtë rast.

“Stacioni i Policisë Dimal referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Ç., 51 vjeç, banues në Fier, administrator i subjektit për nxjerrjen dhe përpunimin e inerteve (gurore)”, tha policia në informacionin e shpërndarë.

Fshati Pashalli dhe zona periferike e Dimalit prej vitesh përballet me ndotje tepër të lartë mjedisore, si pasojë e aktivitetit të nxjerrjes së gurit nga kodrat e zonës, të cilat nuk vënë në punë filtra mbrojtëse gjatë aktivitetit, por përdorin herë pas here përdorin dhe lëndë shpërthyese.

Artikulli paraprakJa cila është koha më e mirë për të ngrënë darkë! Nëse hani pas kësaj ore, rrisni shanset e prekjes nga sëmundjet kardiovaskulare
Artikulli tjetër“Do jem në listën e hapur”, Basha: Demokratët Euroatlantikë janë drejt përfundimit të listës së kandidatëve për deputetë