Policia nuk ka arritur të zbulojë ende autorët e shpërthimit me tritol të një banesë dykatëshe në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në Grudën e Re në Shkodër, objekti i sulmit ishte shtëpia e Mark Markut, i cili ndodhej brenda bashkë me gruan e tij dhe një tjetër familjar. Nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarjeje, por shpërthimi ka qenë i fuqishëm. I gjithë kati i parë i ndërtesës dykatëshe është dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm. Muret, dyert, dritaret janë rrëzuar në tokë. Fillimisht, autorët kanë shkëputur energjinë elektrike. Më pas kanë realizuar sulmin. Nuk dihet ende se çfarë përbërje ka patur eksplozivi.
Njëra pako që ishte vendosur në kolonën e shtëpisë, rreth 700 gr, shpërtheu dhe shkatërroi plotësisht katin e parë. Dyer e dritare të katit të dytë gjithashtu u dëmtuan. Kur i zoti i shtëpisë doli jashtë, gjeti një tjetër pako me eksploziv që ishte vendosur tek kolona tjetër. Për fat ajo nuk shpërtheu.
Shpërthimi i ka terrorizuar dhe vënë në panik gratë me fëmijën që flinin në katin e sipërm, por fatmirësisht ato nuk pësuan lëndime. Ndërsa kati i parë i ndërtesës është shkatërruar.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi i hetimit, por sipas të dhënave të Policisë, Mark Marku ka deklaruar pasi është marrë në pyetje se nuk e ka idenë se kush janë autorët e kësaj ngjarjeje. Ai ka mohuar të ketë konflikte me persona të tjerë. Ai i ka kërkuar policisë ta zbardhë këtë ngjarje dhe të dijë se kush janë autorët, pasi tani e tutje jeton me frikën se kjo mund të përsëritet. Nga sa mësohet, kanë qenë tre thasë me tritol artizanal të punuar me dorë të vendosura në tri pika të ndryshme, nga të cilët njëri prej tyre fatmirësisht nuk ka shpërthyer.
Familja Marku ka dy banesa në oborr, shtëpinë e vjetër dhe vilën trikatëshe, ku është vendosur lënda eksplozive. Në ditët e zakonshme, familja Marku ka qëndruar te shtëpia e vjetër, sepse ndërtesa e re ishte ende në ndërtim e sipër. Por të shtunën, në shtëpinë e 62-vjeçarit kanë shkuar disa miq, duke bërë që bashkëshortja e tij së bashku me vajzën dhe nipin të dalin për të fjetur te banesa e re. Autorët dyshohet se kanë hyrë pas shtëpisë së re dhe kanë vendosur tre thasët me tritol në tri vende të ndryshme kur të gjithë ishin në gjumë.
Dy prej thasëve kanë qenë të lidhur me një fitil dhe një tjetër me një fitil veçmas. Një nga thasët nuk ka shpërthyer, edhe pse fitili është ndezur, duke bërë që të ketë vetëm dëme materiale dhe të shpëtojnë tre personat që po flinin. Në momentin kur kanë vendosur sasinë e lëndës shpërthyese, në fshat është shkëputur energjia elektrike, duke favorizuar autorët e kësaj ngjarjeje.
Ata kanë prerë telin rrethues në afërsi të banesës dhe janë futur brenda rrethimit. Tre djemtë e Mark Lazër Markut jetojnë në Itali, por sipas babait të tyre as ata dhe as ai vetë nuk kanë konflikte me persona të tjerë. Forcat e Policisë kanë marrë në pyetje disa persona, banorë të asaj zone, por deri më tani nuk kanë arritur që të bien në gjurmët e autorëve të ngjarjes.
Policia tha se, ka dyshime se ky shpërthim mund të ketë ardhur për ndonjë konflikt të mundshëm apo ndonjë histori konflikti të viteve të fundit, edhe pse 62- vjeçari Marku mohon që kjo ngjarje të ketë ndodhur për motive të tilla. Gjithashtu, një pistë tjetër që po hetohet është veprimtaria e djemve të tij në Itali, pasi nuk përjashtohet që ky të ketë qenë një sinjal hakmarrjeje.