Shpërthimi në Ballsh, një rrezik i paralajmëruar nga punëtorët e Rafinerisë

 

Shpërthimi i ndodhur mbrëmjen e djeshme në rafinerinë e Ballshit ku humbi jetën një naftëtar dhe u plagosën 7 të tjerë ishte një ngjarje e paralajmëruar nga vetë punëtorët e uzinës. Prej disa ditësh ata kishin shprehur shqetësimin për kompresorin e dëmtuar në repartin e njohur si ai i hidropastrimit, i cili pavarësisht denoncimit nga punonjësit, nuk ishte riparuar.
Nisur nga rreziku i pritshëm, punonjësit kishit bllokuar valvulën e bombolës së hidrogjenit, në këtë mënyrë në pritje të riparimit të defektit. Kjo valvul shërbente në procesin e fundit të filtrimit të naftës, shumë pranë repartit të reaktorëve në uzinën e Ballshit.
Si pasojë e faktit që valvula nuk bënte shkarkimin e duhur, ajo është bllokuar dhe ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme, duke shkaktuar dhe zjarrin masiv. Shpërthimi i provokuar nga shkarkimi i valvulës dhe më pas kontakti me lëndën djegëse ka shkaktuar një shpërthim të fuqishëm, i cili ka tronditur të gjithë banorët e Ballshit, të cilët dhanë alarmin të parët.
Në ambientet e repartit ku shpërtheu zjarri janë plagosur 7 punonjës, të cilët ishin më afër vatrës. Njëri prej tyre ndërroi jetë, pikërisht Shkëlqim Muça, 40 vjeç, nga Ballshi, ndërsa të tjerët janë dërguar në spitalin e qytetit e më pas në Fier e në Tiranë për mjekim të specializuar.
Në momentet e zjarrit, në të gjithë uzinën ishin në turn 300 punonjës, të cilët janë larguar me shpejtësi nga ambientet e punës. Zjarrfikëse nga Ballshi, Fieri, Tirana e Vlora shkuan në uzinë për të bërë të mundur izolimin e flakëve. Rreziku më i madh qëndronte te reparti ngjitur, ai i reaktorëve, pasi nëse flakët depërtonin aty, atëherë mund të ndodhte një katastrofë e vërtetë.
Reaktorët shërbejnë për të bërë ftohjen e turbinave përpunuese dhe sipas specialistëve të uzinës, mësohet se kanë në përbërje të tyre lëndë radioaktive dhe ujë. Pas rreth 90 minutash u konfirmua se zjarri ishte izoluar dhe nuk përbënte rrezik për ambientet e tjera të uzinës.
Burime nga vendngjarja thonë se flakët janë vënë nën kontroll dhe pritet që të zbardhen shkaqet e sakta të zjarrit të fuqishëm. Në vendngjarje mbërritën dy prokurorë e më pas edhe vetë ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. Pas izolimit të zjarrit, vëmendja është përqendruar te të lënduarit, për të cilët është kërkuar ndërhyrje e specializuar.

Artikulli paraprakTërmeti “Trump”
Artikulli tjetërBasha: Hetim të plotë, naftëtarët janë vetëm si të përmbyturit