Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Elbasan, Shpëtim Agolli, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Në një reagim prekës të publikuar në rrjetet sociale, Agolli e përshkruan Papën si një figurë të jashtëzakonshme të përulësisë, dashurisë dhe shpresës.
Ai nënvizon se Papa Françesku ishte një udhëheqës shpirtëror i vërtetë që mbeti gjithmonë pranë të varfërve, të pambrojturve dhe atyre në nevojë, duke përçuar mesazhin e mëshirës dhe paqes në një botë gjithnjë e më të përçarë.
Postimi i plotë i Shpëtim Agollit:
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, një njeri i përulur, i dashurisë dhe shpresës. Ai u bë zëri i paqes, i të varfërve dhe i mëshirës në një botë që shpesh harron këto vlera.
Largimi i tij lë një boshllëk të madh në zemrat e miliona njerëzve anembanë botës, por fryma dhe shembulli i tij do të jetojnë përgjithmonë. Lutemi që Zoti ta pranojë në mbretërinë e Tij të amshuar dhe t’i japë paqen që ai aq shumë e predikoi.
U prehsh në paqe, Atë i Shenjtë.
Sh.A