Ish-kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika është dënuar 4 vite burg nga Gjykata e këtij qyteti, por dënimi do t’i konvertohet në shërbim prove për dy vite. Gjithashtu, togat e zeza kanë vendosur që t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për tre vite.
Gjika akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve, ndërtim i paligjshëm dhe veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës. Biznesmeni Artur Haxhi u dënua me 3 vite burg, i cili u konvertua me 3 vite shërbim prove. Ridvan Mersinaj u dënua me 1 vit burg i konvertuar me 2 vite shërbim prove. Për ish-vartësen e Gjikës, Doriana Sulaj u vendos rrëzimi i të gjitha akuzave.
Sipas Prokurorisë, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentacionin për dy pallate 11-katësh të ndërtuar në Vlorë. Në dokumentet e KRRT-së rezulton se, pronarët e truallit kishin dhënë miratimin për ngritjen e objektit dhe se punimet e firmës janë kryer konform rregullave, por nga verifikimet u zbulua se ato ishin të falsifikuara.
Për pallatet, Gjykata vendosi konfiskimin e tyre. Kjo është hera e tretë që Shpëtim Gjika përballet në Gjykatë me akuzat e Prokurorisë. Dy herët e para, ai u shpall i pafajshëm për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave përsëri me lejet e ndërtimit.