Teuta kthehet në Shqipëri, pasi mbylli pjesën e parë të përgatitjeve në tokën italiane, ndërsa drejtuesit e klubit projektojnë edhe një rikthim në skuadër. Bëhet fjalë për portierin Shpëtim Moçka. Pas aktivizimit në “Niko Dovana” gjatë dy sezoneve të fundit, kontrata e gardianit me durrsakët përfundoi me mbylljen e kampionatit të kaluar.
Megjithatë gjasat janë që Moçka të bëhet sërish pjesë e Teutës, edhe për edicionin e ardhshëm. Portieri vlonjat është në bisedime me drejtuesit e klubit dhe akordi duket fare pranë. Sipas gjasave, 27-vjeçari pritet t’i bashkohet skuadrës prej javës së ardhshme, ndërsa është parashikuar të vendoset nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani këtë të hënë.
Në këtë mënyrë, Teuta do të garantonte portën, ndërsa Shpëtim Moçka do të jetë gati për t’u stërvitur me grupin, në pjesën e mbetur të fazës përgatitore, që ekipi do ta zhvillojë në Ohër.
“Djemtë e Detit” do të nisen më 15 gusht drejt Maqedonisë, ku do të stërviten për dy javët në vijim, për të qenë të gatshëm për startin e Kategorisë Superiore më 9 shtator, ku në javën e parë të kampionatit Teuta do të presë në shtëpi Luftëtarin.