Shpifësi Karaj i kërkon flaje Shkëlzen Berishës në Gjykatë

Eksperti ligjor i OSHEE, Romeo Karaj ka kërkuar të pajtohet në Gjykatë me djalin e ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha. Ditën e djeshme është zhvilluar gjyqi lidhur me padinë për shpifje që Shkëlzen Berisha kishte bërë për Karajn, ku ky i fundit akuzoi djalin e ish-kryeministrit Berisha se ka udhëtuar me Kastriot Ismailajn për në Pragë.
Avokati i Shkëlzen Berishës ka pohuar se, në seancën e pajtimit, nuk është arritur asgjë e tillë, pasi sipas tij, për këtë çështje nuk ka vend për pajtim. Shkëlzen Berisha depozitoi në fund të janarit një padi penale ndaj Romeo Karajt, fill pas deklaratave që lëshoi juristi i CEZ. “Përgjigja më e mirë për shpifësit është rruga ligjore. Në këtë mënyrë do u jepet mundësia të flasin aty ku duhet dhe jo atje ku nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shpifjet e tyre. Padi të tjera do të vijojnë në ditët në vazhdim”, u shpreh Shkëlzen Berisha.
Padia e Shkëlzen Berishës u bë pas deklaratave të Karajt në televizionin e Karlo Bolinos, që njihet si sekser i Edi Ramës. Karaj u shpreh në deklaratën e tij se përgjatë vitit 2010-2011, Shkëlzen Berisha ka udhëtuar dy herë në të njëjtin avion me administratorin e DIA, Kastriot Ismailaj drejt Pragës. Intervista e dhënë u mbështet dhe nga gazeta e Bolinos një ditë më vonë. Por gjithçka rezultoi një flluskë, sepse vetë Bolino do të pranonte se kishte gënjyer në gazetën e tij, duke i paraprirë kështu një padie penale që mund të ngrihej dhe ndaj tij për shpifje. Kjo pas paralajmërimit të Shkëlzen Berishës se çështjen do e çonte në gjyq.
“Një nga tualetet mediatike të Ramës që ushqehet me para publike përmes koncesioneve të dhëna nga qeveria, përcolli shpifjen e radhës sipas së cilës unë paskam udhëtuar me z.Ismailaj (me të cilin nuk kam pasur kurrë asnjë lloj lidhje e aq më pak punë apo udhëtime të përbashkëta) drejt Pragës për ta ndihmuar atë në lidhje me kontratat e tij me CEZ.
Për ta vërtetuar këtë u servirën disa gjysma datash kur z.Ismali dhe unë kemi rastisur në vajtje ose në kthim (asnjëherë në të dyja) në të njëjtin avion në segmentin Tiranë-Vjenë. Për të hamendësuar për atë që ka ndodhur përtej këtij segmenti, në mungesë të fakteve, media në fjalë serviri shpifjet e porositura të urithit të Ramës.
Unë si cilido pasagjer përgjigjem vetëm për veten dhe destinacionin tim dhe nuk mbaj asnjë përgjegjësi kush hipën apo ku shkojnë 200 udhëtarët e tjerë të avionit. Pavarësisht kësaj deklaroj me përgjegjësi të plotë ligjore se nuk kam udhëtuar kurrë as në Pragë dhe në asnjë destinacion tjetër të rruzullit as me z.Ismailaj as me ndokënd të afërt me të.
Disponoj të gjitha provat e duhura për të paditur për shpifje të gjithë ata që mendojnë se do shpëtojnë koncesionet, sarajet, paratë e vjedhura në marrëveshjet me CEZ dhe lëkurën e tyre përmes mashtrimit dhe trillimit. Padia për shpifje do të jetë Penale”, shkruante Shkëlzen Berisha në një status në Facebook.
Ndërkohë, seanca e radhës ndaj shpifësit Karaj do të zhvillohet më 20 mars.

R.POLISI

Exit mobile version